FMN do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën - Bota Sot
FMN do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Ekonomi

FMN do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Më: 14 prill 2019 Në ora: 16:07
FMN

Delegacioni i BQK-së, i udhëhequr nga guvernatori Fehmi Mehmeti, ka përfunduar pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore në Uashington nga 9 deri 13 prill.

Në ditën e fundit të qëndrimit, guvernatori Mehmeti ka marrë pjesë në diskutimet e guvernatorëve dhe ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me perspektivën ekonomike rajonale të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Gjithashtu, gjatë ditës së fundit, përfaqësuesit e BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjen plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së.

Gjatë qëndrimit në Uashington dhe pjesëmarrjes në sesionet plenare të organizuara nga FMN dhe Banka Botërore, delegacioni nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës kanë takuar drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, nga të cilët kanë marrë mbështetje në realizimin e objektivave të BQK-së në mbështetje të zhvillimit të vendit.

Në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka marrë pjesë në sesionin plenar të FMN-së dhe BB-së.

Përveç takimeve me ekipin e misionit të FMN-së për Kosovën, guvernatori Mehmeti ka takuar edhe zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, nga i cili mori konfirmimin për mbështetjen e mëtejshme për BQK-në dhe Kosovën.

Delegacioni i BQK-së është takuar edhe me zëvendësdrejtorin e Bankës Botërore Cyril Muller dhe drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder, ku u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar dhe projektet që kanë të bëjnë me asistencën teknike të Bankës Botërore.

Gjatë takimeve vjetore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë përkrahje nga Departamenti i FMN-së për Evropë lidhur me asistencën teknike të FMN-së për BQK-në për zbatimin e projekteve dhe rekomandimeve të mundshme që do dalin nga procesi i Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar.

Delegacioni i BQK-së ka marrë pjesë në takimin hapës të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në takimet e ndara të Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe Kosova.

Ndryshe, takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të FMN-së dhe të Grupit të Bankës Botërore (WBG), çdo vit sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...