Gjendja në Telekom, menaxhmenti dhe kryetari i Bordit ftohen në raportim

Ekonomi

Gjendja në Telekom, menaxhmenti dhe kryetari i Bordit ftohen në raportim

Më: 23 prill 2019 Në ora: 10:57
PTK

Komisioni Hetimor Parlamentar ka vendosur që të ftojë në raportim menaxhmentin aktual dhe kryetarin e Bordit të Telekomit për të pasqyruar gjendjen në Telekom.

Kryesuesi i këtij Komisioni Visar Ymeri theksoi se menaxhmenti duhet të raportojë këtë javë për gjendjen në Telekom, por jo si dëshmitar.

 Ymeri tha se nga java e ardhshme fillohet me intervistimin e dëshmitarëve të cilët janë të kategorizuar lidhur me hetimin për Valën dhe PTK-në.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan se në listë të futen dëshmitarët edhe përfaqësuesit politik dhe menaxhmenti, që mund të jenë ish-kryeministra, ish-ministra gjatë periudhës së skandaleve që kanë ndodhur në këtë kompani. Deputeti Armend Zemaj, tha se problemi në kompanitë publike ka filluar që nga shpallja e Pavarësisë, kur ka filluar bartja e përgjegjësive tek vendorët.

“Pra, problemi kyç është politik në degradimin e kompanisë më profitabile në vend. Sepse është mundësuar ndërlidhja e kontratave të dyshimta dhe mbipunësimi”, tha Zemaj.

Kryesuesi, Ymeri theksoi se kontrata me Z-Mobile shpërfaq logjikën për gjithë kontratat e këqija dhe të dëmshme në PTK. Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar nga menaxhmenti i Telekomit që mos të ripërtërihet kontrata me Z-Mobile, meqenëse është edhe kërkesë e punëtorëve dhe sindikatës së kësaj kompanie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat