Balaj: Nëse falimenton Telekomi i Kosovës, falimenton i gjithë shteti

Ekonomi

Balaj: Nëse falimenton Telekomi i Kosovës, falimenton i gjithë shteti

Më: 25 prill 2019 Në ora: 14:44
Lamih Balaj

Sindikata e Punëtorëve të Telekomit ka akuzuar politikën për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot ndërmarrja publike.

Sindikalistët vlerësojnë se kontrata me Z-Mobile dhe afera "Sim to sim", rrjeti i njëjtë i njerëzve dhe auditimi i brendshëm janë faktorët kryesorë që kanë çuar ndërmarrjen në këtë gjendje.

 E falimentimi i mundshëm i kësaj ndërmarrje po vlerësohet të çojë edhe në falimentimin e shtetit.

Kështu ka thënë kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, gjatë raportimit që bëri të enjten në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ku bëri të ditur se do të kundërshtojnë me çdo kusht vazhdimin e mundshëm të kontratës me Z-Mobile.

Ai tha se qysh nga viti 2008 gjendja në Telekomin e Kosovës është rënduar, ku ka pasur borde politike varësisht nga koalicionet që ishin në Qeveri.

Balaj theksoi se dëmi është i madh sa që prej 80 milionë eurove sa kanë dhënë dividentë më parë, tash e dy vite nuk po mund të japin as 1 milionë euro dividentë për shtetin. Ai tha se nuk kanë larguar punëtorë prej punës, por punëtorëve nuk iu është dhënë punë. Sipas tij, fakti se Z –Mobile zotëron 30 përqind të tregut me vetëm 61 punëtorë, kjo përbën krim të organizuar dhe zhvatje të buxhetit.

Për të është e pakuptimtë se si një kompani si ‘Z-mobile’, e cila e ka dërgu Telekomin në gjykatë ndërkombëtare, duke ia marrë 32 milionë euro, të kërkojë që të vazhdojë kontratën me Telekomin. Tha se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

Balaj: Nuk do të implementojmë kontratën e Z-mobile

“Nga viti 2008 e këtej është gjendja më të rëndë në Telekom. Kulmi i kësaj dhe fillimi i shkatërrimit të Telekomit ka fillu kur në Telekom ka fillu, kur me kërkesë të Telekomit, njerëzit e Telekomit të lidhur me politikën jashtë, ku kanë fillu me e bë një ‘nbo’, e cila sot është e njohur si ‘Z-Mobile’, një kompani e cila sot në treg operon me fitime marramendëse dhe asnjë investim nuk e ka bërë në Telekomin e Kosovës... Paramendojeni edhe kartelat që sot i merr prej Telekomit, ta nuk e paguajnë asnjë cent. Do të thotë krejt çka i kanë, i kanë fitime të pastërta dhe sot operojnë 30 përqind të tregut dhe fitimet i kanë të barabarta me Telekomin e Kosovës... 6:03 Në rast se tentohet me u vazhdu kjo kontratë, ne si punëtorë jemi të vendosur që nuk do ta bëjmë implementimin e saj”, tha ai.

Image

“Goditje e madhe është për neve ajo që është duke u thënë në opinion publik që Telekomi falimenton. Nuk e di a është interes i dikujt apo jo, por është duke na dëmtuar jashtëzakonisht shumë kjo fjalë. Nëse falimenton Telekomi i Kosovës, falimenton edhe shteti jonë, Republika e Kosovës, sepse të gjitha institucionet e Kosovës janë të lidhura me Telekomin e Kosovës dhe, nuk kish qenë mirë sepse po na ikë klientela, po frikohen”, tha Balaj.

Image

Në këtë pikë, Balaj tha se Telekomi i Kosovës ka punëtorë të mjaftueshëm porse për interesa të ndryshme po kontraktohen kompani të ndryshme të cilat kushtojnë shumë, për të kryer punët që mund t’i bëjnë punëtorët e Telekomit.

Ndërsa shtoi se janë punësuar njerëz në baza partiake, pa pasur njohuri profesionale.

Kompanitë që shesin në emër të Telekomit, Balaj tha se nuk i duhen ndërmarrjes aspak. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar me Z-Mobile se gjoja ajo po e fal borxhin, por për 8 vjet do të marrë shërbime nga Telekomi, që siç tha ai, i bie që rreth 126 milionë euro i ka humbur Telekomi.

Balaj: Punëtorëve të Telekomit nuk iu jepen punë, merren kompani të tjera

“Ka kompani që kanë kryer punët më elementare të puëntorëve të Telekomit të Kosovës, ne kemi punëtor, ne iu japim paga atyre punëtorëve, kemi montatorë, kemi teknik që vet e kryejmë, dhe paramendojeni, sot tek ne vijnë kompani të ndryshme që e kryejnë punën e montatorit, montatorët tanë rrinë dhe ajo punë që e kryejnë na kushtun 100 herë më shumë se që duhet”, u shpreh ai.

Deputeti Shkumbim Demalijaj nga AAK-ja pyeti se a do të falimentojë Telekomi. 

Kurse, deputeti i  LDK-së, Armend Zemaj, u shpreh se ato që dëgjuan sot shërbejnë në qartësimin e pasqyrës për gjendjen në Telekomin e Kosovës. Sipas tij, punëtorët duke mbrojtur interesat e tyre, e ruajnë edhe kompaninë.

Zemaj: Telekomi me një alamet punëtorësh kish mujtë me i menaxhu vet punët e veta

“Unë e pash dhe besoj që me atë alamet punëtorësh që ju e keni, kishit mujtë me e menaxhu. Si e shihni ju nga perspektiva juaj si sindikatë?... 21:11 Ju thatë politika e fuqishme, çka nënkuptoni ju si përfaqësues i sindikatës, afera ‘Sim to Sim’, njerëz me emra dhe mbiemra që janë të lidhur me politikën, do të kishim dashur që edhe ne me i dëgju, na kishit ndihmu shumë, dhe njerëzit e krimit brenda dhe jashtë”, parashtroi Zemaj.

Image

Edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, parashtroi nevojën për sqarim të aferës “Sim to Sim”.

Haxhiu: Sindikatës e keni obligim të tregoni se kush janë ata që e kanë dëmtuar Telekomin për 22 milionë euro

“Afera ‘Sim to Sim’ është shumë e përfolur. E thatë me politikën, politika është term i gjerë. Unë mendoj që janë grupacione të caktuara kriminale të cilat kanë përfitime. Si përfaqësues i sindikatës e keni obligim të tregoni se kush janë ata? Prapa termit politikë nuk duam me e amnistu askënd, por duam të dimë se kush janë ata që e kanë dëmtuar Telekomin për 22 milionë euro”, tha ai.

Image

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, pyeti se cilat janë kontratat tjera të dëmshme pas asaj me Z-Mobile.

Haxhiu: Në oborret e cilëve politikanë janë të vendosura antenat

“Në oborret e cilëve politikanë janë të vendosura antenat? A keni informacione për këtë”, tha deputetja Haxhiu.

E Balaj tha se është e lehtë të gjenden emrat të përfshirë në këto afera, si dhe ata në oborret e të cilëve janë të vendosur antenat, por u tregua i rezervuar në përmendjen e tyre, pasi u shpreh se nuk dëshiron t’i pengojë hetimet.

I pyetur për qëndrimin e sindikatës karshi privatizimit të Telekomit, Balaj tha se janë kundër për shkak të uljes së vlerës që i është bërë kësaj ndërmarrjeje.

Balaj: Jemi kundër privatizimit të Telekomit

“Sigurisht se ne jemi kundër privatizimit... Jemi kundër sepse nuk është vlerë reale, ne jemi duke ia ulë çdo ditë vlerën”, theksoi ai.

Ai theksoi se kanë alarmuar institucionet për shumat e mëdha të qirave, porse nuk është bërë diçka deri më tani në këtë drejtim. Teksa tregoi se sa i përket dosjeve të dorëzuara për krimet ekonomike, është ftuar njëherë për të dhënë deklaratë, porse më pas nuk është thirrur asnjëherë tjetër.

Me faljen e borxheve publike, Balaj tha se janë humbur 28 milionë vetëm në shërbimet Vala.

Ndërkaq, gjatë ditës të sotme në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, raportuan edhe kryesuesja e Bordit, Besa Shatri-Berisha dhe kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

Ky i fundit tha se tani për tani, Telekomi nuk gëzon kurrfarë stabiliteti, pasi ka 3 vite që ndërmarrja nuk është në sistem të mirëmbajtjes.

Ai tha se ka degradim të shërbimeve dhe si pasojë e kësaj Telekomi ka 120 mijë konsumatorë që i janë larguar nga shërbimet. Sipas tij, sot  kjo kompani po kërkon mundësi mekanizma të shtetit, që obligimet që i kanë ndaj Telekomit t’i kthejnë në vend.    Ndërsa kryesuesja e Bordit, u shpreh se gjendja në Telekom mbetet e rëndë, ku investimet janë ndalë plotësisht, duke mos investuar në zhvillimin e kapaciteteve për të ofruar produkte të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat