Normat e larta të interesit rrezikojnë investimet përmes kredive

Ekonomi

Normat e larta të interesit rrezikojnë investimet përmes kredive

Më: 18 maj 2019 Në ora: 15:36
Foto ilustrim

Më shumë se 2.8 miliardë euro ka arritur vlera e kredive të qytetarëve në dhjetë bankat komerciale që operojnë në Kosovë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, rritja vjetore e kredive është 11.4 për qind.

Prej vlerës së përgjithshme, më shumë se 1 miliard euro janë kredi familjare, kurse vlera prej mbi 1.8 miliard euro, janë kredi për biznese.

Mesatarja e normës së interesit për kredi është 6.7 për qind.

Me gjithë faktin se normat e interesit për kredi janë ulur viteve të fundit, disa qytetarë thonë se këto kamata ende janë të larta.

Bekim Muharremi nga Prishtina, tregon se ka marrë kredi në njërën nga bankat komerciale në Kosovë, pasi nuk kishte alternativë tjetër për investime. Megjithatë, ai thotë se kamatat janë shumë të larta dhe bankat janë "të pamëshirshme me gjoba për klientët” në rast të vonesës pagesës së këstit mujor të kredisë.

“Nuk kam mundur të kursej para nga rroga për ndërtimin e shtëpisë. Kamatat janë të larta, por unë tashmë e kam ndërtuar shtëpinë dhe shpejt do ta përfundoj edhe kredinë. Nuk besoj se më do të bindem të marr ndonjë kredi të re”, thotë Muharremi.

Bankat komerciale, të cilat veprojnë në Kosovë, në vazhdimësi paraqesin oferta të ndryshme të kredive, përfshirë kreditë konsumuese, ato për banim, shkollim, biznese, vetura, prodhim, por edhe për festa të ndryshme.

Një qytetar nga Mitrovica, Agon Ferizi, ka përfunduar Fakultetin Ekonomik. Ai thotë se është interesuar për të marrë një kredi, por kamatat e larta, sipas tij, kanë qenë arsyeja pse ai nuk kishte aplikuar për shumën e nevojshme të kredisë.

“Jo nuk kam marrë kredi, sepse kamatat janë shumë të larta. Kjo nuk është në rregull, kjo është sikur të marr para me fajde diku”, shprehet Ferizi.

Edhe ekspertë për çështje financiare theksojnë se normat e interesit për kredi vazhdojnë të mbeten të larta nëse krahasohen me vendet e rajonit.

Milazim Abazi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se pikërisht normat e larta të interesit janë arsye, që sipas tij, vlera e përgjithshme e kredive, është e vogël në krahasim me vendet e rajonit.

Image

“Kjo është arsyeja kryesore pse totali i kredive është shumë më i ulët karshi rajonit. Për shembull, Maqedonia e Veriut që është përafërsisht me numër të popullsisë dhe ekonomi sikurse Kosova, vlerën e kredive e ka 5.5 miliardë euro. Prandaj, bankat afariste në Kosovë duhet ta vlerësojnë më mirë situatën dhe t'i ulin interesat e kredive”, vlerëson Abazi.

Ai thekson se bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë të jenë të besueshme dhe stabile.

“Bankat në Kosovë fatmirësisht janë shumë stabile, shumë fitimprurëse dhe shumë të sigurta. Kështu që qytetarët e Kosovës mund të kursejnë mjetet e tyre në këto institucione dhe jo t'i mbajnë në shtëpi. Bankat në Kosovë janë sektori më fitimprurëse dhe kjo është një nga argumentet e stabilitetit të tyre”, shton Abazi.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës më shumë kanë kursime në bankat e Kosovës se sa kredi të marrë. Vlera e depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovës, ka arritur në mbi 3.3 miliard euro, ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës. Nga kjo shumë, më shumë se 2.3 miliardë euro janë para të kursyera nga ekonomitë familjare, derisa ndërmarrjet kanë të depozituara më shumë se 800 milionë euro./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat