Qeveria pro ndërtimit të dy kyçjeve të reja në autostradën “Arben Xhaferi”

Ekonomi

Qeveria pro ndërtimit të dy kyçjeve të reja në autostradën “Arben Xhaferi”

Më: 28 maj 2019 Në ora: 16:16
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të miratojë kërkesën për ndërtimin e dy kyçjeve në autostradë për komunën e Ferizajt dhe Vitisë, si dhe një mbikalim në fshatit Betelinca.

Kërkesa e këtyre dy komunave për kyçje, pritet të ketë kosto shtesë për Qeverinë e Kosovës.

Lekaj: Afati i përfundimit të projektit duhet të jetë nga 1 qershori 2019

“Rekomandohet Qeveria e Kosovës që të merr vendimin për ndërtimin e dy kyçjeve të reja në autostradën për Ferizaj dhe Viti si dhe të ndërtimit të mbikalimit të fshatit Betelincë, përmes procedurës së negocimit me Bechtel Enca. Duke aplikuar kushtet sipas kontratës bazë, afati i  përfundimit të projektit të ndërtimit duhet të jetë nga 1 qershori 2019 deri më 1 dhjetor 2020, ndërsa mjetet buxhetore duhet të sigurohen nga ana e Qeverisë së Kosovës, respektivisht nga Ministria e Financave”, tha Lekaj.

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj është pyetur për koston që do të ketë ndërtimi i dy kyçjeve të reja në autostradën “Arben Xhaferi”, por shefi i Qeverisë tha se nuk kanë kalkuluar ende koston.

Haradinaj:  Nuk kemi kalkulim të kostos

“Nuk kemi një kalkulim të kostos, është autorizuar ministria sot t’i negociojë këto kyçje edhe koston dhe të gjithë parametrat të tjerë”, tha Haradinaj.

Kyçja e Gërlicës së Vitisë, ajo në hyrje të Ferizajt dhe ndërtimi i mbikalimit të Paldenicës së Hanit të Elezit, janë kërkesa  të parashtruara nga banorët dhe drejtuesit e komunave në fjalë si dhe një grupi të deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e kaluar, të miratuara edhe nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit të Autostradës R6.

Pasi këto ndërhyrje nuk kanë qenë pjesë e projektit fillestar, në vazhdim nevojitet projektim dhe ndërtim i tyre, punë kjo që do të bëhet nga konsorciumi Bechtel Enka, punëkryes të tërë autostradës. 

Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit “Arbën Xhaferi”, do të hapet për qarkullim  të automjeteve nesër nga ora 17:00.  Paraprakisht, gjatë ditës, do të mbahet ceremonia zyrtare e përurimit të këtij projekti, organizim ky nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar nismën për lidhjen e marrëveshjeve me Britaninë e Madhe, Irlandën e Veriut dhe Maltën për transport rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave.

Po ashtu, është miratuar edhe udhëzimi administrativ për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave dhe obligimet e autoriteteve publike dhe personave tjerë fizikë e juridikë, si dhe Plani vjetor i statistikave zyrtare për vitin 2020. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat