OAK dhe ATK të hapur për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin

Ekonomi

OAK dhe ATK të hapur për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 16:37
Pamje nga takimi

Mungesa e bordit të ankesave, procedurat e regjistrimit të bizneseve, tatimi në qira, problemet gjatë inspektimit, lirimi i lëndës së parë dhe ligji për sponsorizim ishin disa nga temat kryesore të diskutimit në takimin e realizuar sot nga përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj.

Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi theksoi që gjatë takimeve të shumta me bizneset oda ka identifikuar disa nga problemet me të cilat ato po përballen, e që janë në kuadër të ATK-së, andaj rritja e bashkëpunimit reciprok dhe krijimi i një vije komunikuese për zgjidhjen e problemeve të bizneseve është e domosdoshme.

Sipas Krasniqit, çështjet kryesore të ngritura nga bizneset kanë të bëjnë me mungesën e Bordit të Ankesave dhe Gjykatës Ekonomike të cilat po krijojnë vonesa të shumta në procedura, detyrimi që biznesi të paguajë tatim për të tjerët siç është rasti tek qiraja dhe fermerët, i cili edhe pse i specifikuar mirë nga ligjet e ATK-së, bizneset ende po përballen me problem lidhur me pagesën e tij. Ai gjithashtu shtoi që është e domosdoshme të lirohet edhe lënda e parë e blerë brenda territorit të Kosovës, pasiqë kjo po dëmton prodhuesit vendor, kontrollat nga ana e inspektorëve të mos bëhen vetëm në sezonë por edhe jashtë saj dhe se është e nevojshme të bëhet zbatimi i ligjit për sponzorizim.

Nënkryetari i bordit të OAK-së Arsim Selmonmusaj theksoi çështjen e informalitetit, të cilat po bëjnë që bizneset të mos trajtohen të barabarta në treg. Selmonmusaj gjithashtu shtoi që është i nevojshëm riaktivizimi i arkave fiskale tek bizneset e vogla dhe të mesme.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësues të bizneseve anëtare, të cilët ngitën disa nga problemet me të cilat po përballen, e që kanë të bëjnë me denimet gjatë kontrollave nga inspektorët e ATK-së, aplikimin e ngarkesës së kundërt të TVSH-së për shërbime.

Drejtori Murtezaj falënderoi Odën e Afarizmit të Kosovës për takimin, duke shtuar që bashkëpunimi është vegla kyqe për interes të përbashkët. Sa i përket bordit të ankesave, Murtezaj theksoi që do të rregullohet me draftin e ri të ligjit dhe se është shumë e nevojshme pasiqë do të jetë hallkë jashtë ATK-së dhe para Gjykatës Themelore.

Qiraja në qarkullim është e rregulluar shumë qartë me ligj dhe nuk e dëmton biznesin dhe se mbetet të rregullohet në bazë të marrëveshjes që arrin qiramarrësi dhe qiradhënësi, ndërsa lidhur me ligjin për sponsorizim Myrtezaj theksoi që ekziston një mospërputhje e ligjit të nxjerrë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me atë të ATK-së dhe se ATK-ja vazhdon të punoj me ligjet e saj, pasiqë ky ligj në formën si është tani është i pazbatueshëm.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: Kryetari i Bordit Skënder Krasniqi, Nënkryetari i bordit Arsim Selmonmusaj, Sekretari i bordit Diamant Elshani, anëtarët e bordit Hamdi Malushaj, Hysni Zogaj, Koordinatorja Qendresa Ibrahimi dhe Zyrtarja Mirjeta Shala.

Ndërsa nga bizneset të pranishëm ishin: Kreshnik Hyseni nga ALB Architect, Afrim Berisha nga Bylmeti, Ardiana Shoshi nga Onix Spa LLC, Fatos Hysenaj nga Vëllezërit e Bashkuar, Sylejman Maçastena nga HIB Petrol dhe Xhemail Smajli nga Bel Kos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat