Lënda më e madhe hetimore në sektorin e naftës

Ekonomi

Lënda më e madhe hetimore në sektorin e naftës

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 14:17
Konferenca per media

Politika e shëndoshë e konkurrencës inkurajon efikasitet të ndërmarrjeve, eliminon pengesat ndaj tregtisë, promovon qasjen në treg për bizneset e reja dhe eliminon ose zvogëlon privilegjet e pajustifikuara.

Lënda më e madhe që është duke u hetuar nga Autoriteti i Konkurrencë është në sektorin e derivateve.

Kështu u tha sot në lansimin e konferencës me temën "Konkurrenca është e mirë, me rregullim është më mirë", me ç’rast zëvendësshefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Riccardo Serri tha se është iniciativa më e madhe e financiar nga BE për konkurrencë.

Ai tha se rregullimi i konkurrencës vjen nga rregullimi i tregut të BE-së për lëvizjen e lirë të mallrave.

Serri theksoi se konkurrenca krijon rregulla për kompanitë për eliminimin e barrierave ose eliminimin e privilegjeve, ndërsa në Kosovë ka shumë punë për të bërë, për t’i dhënë të drejta të barabarta kompanive.

Serri: Ka monopol në tregun e Kosovës

“Ka shumë punë për të bërë në Kosovë, për të siguruar që të jetë një fushë e barabartë për të gjitha kompanitë, duke eliminuar privilegjet dhe mundësuar barazi për të gjitha kompanitë. Inkurajojmë Autoritet Kosovar të Konkurrencës që të jetë I zëshëm për situatën e krijuar me monopole në Kosovë”, tha Serri. 

Ndërsa, ministri i Financave Bedri Hamza tha se gjatë periudhës së fundit ka pasur progres në fushën e konkurrencës, por projekti do të mbështes përmbushjen e direktivave të BE, si dhe do të forcojë kapacitetet funksionale dhe teknike.

Hamza: Projekti do të mbështesë përmbushjen e obligimeve të MSA-së

“Projekti do të mbështesë përmbushjen e obligimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, gjegjësisht inventarin gjithëpërfshirës dhe legjislacionin primar e sekondar të ndihmës shtetërore… krijimi një kuadri plotësisht funksional të zbatimit, monitorimit të ndihmës shtetërore do të siguron një transparencë më të madhe në veprimtaritë e qeverisë, në mjedisin e biznesit, që e qon drejt një tregtimi më të mirë dhe zbatimit të burimeve shtetërore për të mbështetur sektorët kryesor ekonomik”, theksoi Hamza.

Kryetari i Autoritetit të Konkurencës Valon Prestreshi, theksoi se lënda më e madhe hetimore aktualisht është në tregun e naftës. Rezultati final, sipas tij, pritet të bëhet shumë shpejt.

Problem tjetër, sipas Prestreshit  është edhe trajtimi lëndëve nëpër gjykata.  

Prestreshi: Fatkeqësisht jemi duke i humbur të gjitha lëndët gjyqësore

“Edhe një problem tjetër, është edhe çështja e gjykatave. Komisioni I kaluar ka shqiptuar diku 1 milionë e 200 mijë euro dënime dhe fatkeqësisht jemi duke I humbur të gjitha lëndët për shkak të çështjeve gjyqësore ose për shkak të gjyqtarëve të cilët nuk e kanë përvojën e duhur në konkurrencë. Po ashtu edhe për shkak se nuk e kemi bërë një avokim të tillë në gjyqësor”, deklaroi Prestreshi.

Ndërsa, kryetari i shoqatës së konsumatorëve, Selatin Kaçaniku theksoi se zbatueshmëria e ligjeve në Kosovë nuk arrin as 40 përqind .

Kaçaniku ka numëruar po thuajse të gjithë sektorët në cilët ka shkelje të të drejtave të konsumatorëve dhe bizneseve të ndershme. 

Kaçaniku: Konkurrencueshmëria  thyhet në gjithë sektorët

“Konkurrencueshëmria thyhet, shkelet që nga sektori i bujqësisë, në politikë për financimin e partive politike, nga regjistrimi në çerdhe, shkollë, fakultet, në punësim, në tenderë, në gjykata e prokurori”, theksoi  Kaçaniku.

Në këtë konferencë, u përsërit se një ndër monopolet në tregun e Kosovës, është edhe ai për homologimin e automjeteve, për të cilin problem u tha se ka pasur rekomandime nga Autoriteti i Konkurrencës, e që kanë hasur në ‘vesh të shurdhër’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat