Shefi i një kompanie publike iu dha punëtorëve nga 100 euro në dorë

Ekonomi

Shefi i një kompanie publike iu dha punëtorëve nga 100 euro në dorë

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 07:15
Foto ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditorit ka evidentuar shumë parregullsi në ndërmarrjen komunale të Prishtinës Hortikultura.

Avancat e dhëna për punëtorët, regjistri i pasurive fikse jo i plotë, shmangie e procedurave të prokurimit, kompensimi i honorarëve për anëtaret e bordit të drejtorëve pa miratimin e aksionarit, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet kjo ndërmarrje.

Auditori ka gjetur se kryeshefi ekzekutiv i Hortikulturës ka aprovuar kërkesat e punonjësve për tu dhënë avance në shumë prej 50€ e deri në 100€ në të gatshme. Sipas librit kryesor për vitin 2018 janë dhënë avance në vlerë 15,009€, ku prej kësaj shume për punëtorët e ndërmarrjes janë dhënë 14,489€.

Auditori thotë se ndërmarrja nuk kishte një bazë ligjore apo politikë të shkruar për dhënien e avancave ndaj punëtoreve dhe se kjo ka ndodhur për shkak se ndërmarrja nuk kishte bord të drejtorëve nga viti 2013 deri në shtator 2018.

E gjetur tjetër është se Hortikultura ka një regjistër jo të plotë të pasurive, në të cilin mungojnë informacionet si numri i bar kodit, kategoria dhe burimi i financimit.

“Përveç kësaj, regjistri i pasurive jo financiare në fund të vitit 2018 ka prezantuar vlerën neto prej 38,129€, ndërsa ato të marra vite me radhë si donacion, nuk janë regjistruar në për shkak të mos përgjigjes nga Komuna e Prishtinës”, thuhet në raport

Auditori ka gjetur edhe shmangie të procedurave të prokurimit.

Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit të Prokurimit Publik pika 54.1, Autoriteti kontraktues mund ta përdorë procedurën me vlerë minimale për çdo kontratë publike vlera e përllogaritur e të cilës është më pak se 1,000€.

Gjatë testimit të 19 mostrave, në 12 prej tyre Auditori ka gjetur se ndërmarrja nuk ka zhvilluar fare procedura të prokurimit.

“Prej tyre 9 mostra ishin furnizime me mobile & inventar për zyre dhe 3 raste tjera pajisje të teknologjisë informative. Vlera totale e furnizimeve për mobile dhe inventor për zyre sipas faturimit është 860€, ndërsa vlera e pajisjeve të TI ishte 1,085€. Këto furnizime kanë qenë të planifikuara, por sipas zyrtarit të prokurimit nuk janë zhvilluar procedura të prokurimit për shkak se mobilet dhe pajisjet tjera janë blerë të kualitetit më të mirë nga operatori i përzgjedhur sesa nëse do të bliheshin përmes prokurimit”, thuhet në raport.

Kompensimi i honorarëve për anëtaret e bordit të drejtorëve pa miratimin e aksionarit është e gjetura tjetër në Hortikulturë.

Sipas nenit 20.2 të Ligjit për Ndërmarrje Publike 03/L-087, pika (ii) Honorari themelor për drejtorët e Ndërmarrjes Publike (NP) do të përcaktohet me një vendim të komisionit përkatës Komunal të Aksionarëve. Po ashtu neni 20.6.parasheh se “NP është përgjegjëse për pagesën dhe kompensimin për drejtorët e saj vetëm nga pagesat e parapara me vendimin e aksionarit. Drejtorët e NP nuk do të marrin asnjë kompensim ose përfitim tjetër nga NP”.

Mirëpo, gjatë rishikimit të pagesave për Bordin e Drejtorëve të Hortikultura, Auditori ka vërejtur se janë bërë pagesa në kundërshtim me nenin në fjalë, për kompensim të honorarëve nga 50€ për çdo mbledhje të mbajtur shtesë, përveç asaj që është caktuar nga aksionari.

“Pagesat e tilla për mbledhjet e mbajtura për muajt nëntor/dhjetor 2018 arrijnë totalin 1,700€ (për katër anëtarët e bordit). Pagesat janë ekzekutuar sipas vendimit me nr. 3921 i datës 30.11.2018, i nxjerr nga Komisioni i Auditimit dhe pa miratimin paraprak të aksionarit. Këto pagesa janë bërë për shkak të punës së tyre shtesë, për hartimin e rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes”, thuhet në raport

Auditori ka gjetur edhe dobësi në procedura të rekrutimit.

Për pozitën e zyrtarit çertifikues të gjithë kandidatët që kishin konkurruar nuk i plotësonin kriteret e kërkuara me konkurs. Pavarësisht kësaj, Auditori tregon se është përzgjedhur njëri prej tyre, ndonëse nuk kishte dëshmi për përvojën e punës (që kërkohej minimumi tri vite) dhe nuk kishte letër motivuese.

Neni 6, pika 5.1 i UA-së së lartpërmendur parasheh se, konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku tre nga kandidatet nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs.

Sipas zyrtareve të ndërmarrjes konkursi nuk është përsëritur duke pasur parasysh nevojën për mbulimin e kësaj pozite në kohë më optimale.

Gjithashtu, në konkursin për pozitën kryepunëtor në mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve, Auditori ka vërejtur që dy kandidatet e përzgjedhur në konkursin e shpallur me datë 04.07.2018, nuk i kanë plotësuar kriterin kryesor për përgatitje shkollore: shkolla e mesme drejtimi i pylltarisë ose i bujqësisë apo drejtimi përkatës.

“Kandidatët e përzgjedhur njëri kishte shkollën e mesme teknike ndërsa tjetri kishte shkollën e mesme ekonomike-juridike. Kjo ka ndodhur pasi që sipas komisionit nuk ka pasur kandidat të këtij profili dhe është vazhduar procesi me kandidatët ekzistues në mënyrë që ajo pozitë të mos mbetet e pa plotësuar”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat