Punëtorët e KEK-ut protestojnë të martën, paralajmëron greva

Ekonomi

Punëtorët e KEK-ut protestojnë të martën, paralajmëron greva

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 11:24
Nexhat Llumnica

Marrëveshja kolektive në nivel të KEK-ut, dhënia e pagës jubilare në vazhdimësi e jo vetëm për periudhën 2015-2017, rivitalizimi Termocentralit Kosova A, rishikimi i ligjit për paga dhe rritja e shujtës së ushqimit janë arsyet për të cilat do të protestojë këtë të martë Sindikata e Re e KEK-ut.

E në rast të mos përmbushjes të kërkesave të tyre, sindikalistët paralajmërojnë greva.

Nënkryetari i Sindikatës të Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica thotë se kanë zgjedhur protestën për të paraqitur kërkesat e tyre dhe për t'i dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e atyre kërkesave.

Llumnica në një intervistë për KosovaPress, thotë se kështu synojnë të marrin vëmendjen e duhur nga Qeveria, pasi siç thotë ai, asnjëherë nuk kanë pasur bisedime para protestave, vetëm pas tyre.

Llumnica: Do të japim një afat për bisedime, ndryshe shkojmë edhe me grevë

"Protesta do të fillojë në sheshin Zahir Pajaziti, do të vazhdojë drejt sheshit Nëna Terezë, përballë zyrave qendrore të KEK-ut, në ora 12:00, më 25 qershor.. 4:00 Do të japim një afat aq sa munden me gjetë mundësinë e bisedimeve dhe të realizimit të kërkesave dhe në rast se nuk ka realizim të këtyre kërkesave, atëherë më Këshillin e Përgjithshëm të Sindikatës të Re të KEK-ut, varësisht edhe prej disponimit të tyre do të vendosim edhe për grevë”, thotë Llumnica.

Sipas tij, janë një mori kërkesa që nuk janë realizuar nga menaxhmenti i KEK-ut, e as nga Qeveria e Kosovës.

Llumnica: Kërkesat tona nuk janë realizuar as nga menaxhmenti i KEK-ut e as nga Qeveria

“Ne kemi një mori kërkesash që janë tubuar dhe nuk janë realizuar prej menaxhmentit të KEK-ut dhe Qeverisë të Kosovës, dhe kjo na shtynë të bëjmë protesta. Njëra prej pikave është pagat jubilare, të cilat kohëve të fundit menaxhmenti i KEK-ut ka vendosur të jepen vetëm për periudhën 2015-2017. Kurse, ne si sindikatë kërkojmë që kjo të jetë një vazhdimësi jo vetëm në këtë periudhë, sepse nuk guxojnë të bëjnë këtë lloj diskriminimi. Edhe rregullorja e KEK-ut e parasheh që pagat jubilare të jenë në vazhdimësi”, thotë ai.

Duke folur për kërkesat e sindikalistëve, Llumnica thotë se një ndër ato, është edhe marrëveshja kolektive në nivel të sektorit, pasi KEK është e vetmja kompani publike në Kosovë që nuk ka marrëveshje kolektive.

Po ashtu, ai shpreh edhe nevojën për rivitalizimin e termocentralit “Kosova A”.

Llumnica: Rivitalizimi i Kosovës 'A' shumë më i favorshëm sesa kontrata me Contour Global

"Rivitalizimin i Kosovës 'A' është shumë më i favorshëm sesa kontrata me Contour Global, sepse krijon një shpenzim jashtëzakonisht të madh. Nuk jemi ne kundër një termocentrali të ri, por jemi kundër kësaj kontrate të dëmshme për qytetarin e Kosovës. Në rast se kjo kontratë realizohet, unë jam i bindur që do të  dëmtohet qytetari i Kosovës dhe ngritja e çmimit do të bëhet mbi 100 përqind", shprehet Llumnica.

Ndërsa një arsye tjetër që i shtynë të protestojnë, thotë të jetë edhe ligji për paga dhe shujta e ushqimit në vlerë prej 3.5 euro, në krahasim me 1.70 euro sa është aktualisht.

Llumnica: Ligji për paga, diskriminues

 “Ligji për paga është diskriminues sepse punëtorët e KEK-ut nuk janë punëtorë administrativ dhe as shërbyes civil, por janë punëtorë të koorporatës, termocentraleve dhe minierave dhe nuk mund të konsiderohen kushtet e tyre njëjtë sikurse të shërbyesve civil. Po ashtu, ligji për paga është në shpërputhje me ligjin e punës sepse korporata punon me ndërrime dhe paga shtesë e punëtorëve të KEK-ut që punojnë me ndërrime mund të arrijë deri në 20 përqind, kurse në ligjin për paga është vetëm 8 përqind e pagës bazë”, shprehet ai.

Krejt në fund, Llumica thotë se deri më tash nuk kanë marrë ndonjë premtim nga Qeveria e Kosovës, për përmbushjen e ndonjërës nga kërkesat e sindikatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat