OEK shënon 20-vjetorin e rifunksionalizimit, kritikohen politikat ekonomike

Ekonomi

OEK shënon 20-vjetorin e rifunksionalizimit, kritikohen politikat ekonomike

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 12:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

Oda Ekonomike e Kosovës shënoi me një ceremoni të veçantë sot 20-vjetorin e lirisë dhe rifunksionalizimit të saj e cila nisi më një minutë heshtje për të gjithë ata që kanë kontribuar në OEK dhe që tashmë nuk jetojnë më.

Kryetari aktual i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, deklaroi se edhe ata kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të Kosovës e rrjedhimisht edhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve,

Ai theksoi se OEK ballafaqohet dhe sot me sfida, por mundohen t’i tejkalojnë. Ai falënderoi të gjithë ata që para 20 vitesh punuan shumë që Oda të kthehet dinjitetshëm dhe të shndërrohet në një institucion serioz dhe i besueshëm.

Rukiqi: OEK ka dhënë kontribut në zhvillimin ekonomik të Kosovës

“Secili institucion në këtë vend në këto 20 vite e ka dhënë kontributin e vet që ky vend të jetë më mirë, por edhe ne besojmë që Oda Ekonomike e Kosovës ka arrit me gjithë bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata kanë punuar dhe punojnë që të japin një kontribut qoftë edhe simbolik për zhvillimin e këtij vendi. Duke dhënë një kontribut simbolik për zhvillimin e këtij vendi të ndihmojnë edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë dhe këtu nuk jam unë më meritori, unë jam ndoshta më së paku, jeni ju që qëndroni në atë pjesën tjetër dhe jo vetëm për pjesën pas vitit 1999 por për pjesën më të vështirë kur ka qenë për të gjithë ne, në vitet e okupimit, në vitet e luftës keni arrit me ruajt me shumë dinjitet emrin e këtij institucioni dhe në të njëjtën kohë ta ktheni shumë shpejtë në binarë në vitin 1999”, deklaroi Rukiqi.

Kryetari i parë i pasluftës së Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati, ka kujtuar ditët e para të qershorit 1999 kur morën drejtimin e OEK dhe filluan punën.

Ai tha se fillimisht kishin evidentuar dëmet që kishte pësuar Kosova gjatë luftës së fundit në Kosovë duke paraqitur gjendjen ekonomike të kohës dhe më pas krijimin e urave të bashkëpunimit mes bizneseve kosovare dhe atyre të rajonit.

Kastrati: Punët e para që bëmë ne OEK pasluftës

“Një nga punët e para që e bëmë është një raport mbi gjendjen ekonomike të pasluftës dhe pasqyruam shkatërrimet lufta e padrejtë dhe agresive e Serbisë dhe punën e tjetër e kishim për detyrë të krijojmë kontakte të bizneseve tona me bizneset e regjionit edhe më gjerë. Ishte nevojë emergjente ajo sepse për një kohë të gjatë bizneset kishin qenë të privuar nga ajo e drejtë, kështu që Oda shumë shpejtë e mori veten dhe filloi me të gjitha kapacitetet të veprojë”, kujtoi Kastrati.

Ish-kryetari i OEK-ut u ndal edhe në situatën aktuale ekonomike në vend. Ai ka qenë kritik ndaj politikave ekonomike dhe ka fajësuar fenomenet negative si korrupsioni e nepotizmi për mosardhjen investitorëve të mëdhenj të jashtëm.

Kastrati: Korrupsioni e nepotizmi largojnë investitorët e huaj

“Kosova edhe ma tutje mbetet vend i pazhvilluar me halle të mëdha ekonomike dhe pikërisht nga shkaku se në Kosovë nuk po udhëhiqet një politikë e mirëfilltë ekonomike me një strategji afatmesme apo afatgjatë të zhvillimit ndërkaq në mungesë të sistemit juridik apo funksionimit të drejtësisë, të korrupsionit, krimit ekonomik, klientelizmit, nepotizmit etj., ambienti biznesor nuk është i favorshëm për të tërhequr investimet e jashtme edhe nga diaspora jonë e pasur”, deklaroi Kastrati.

Kastrati tha se mesatarisht rritja e GDP në këto 20 vite në Kosovë ka qenë 4.8% që është më e vogël se rritja në kaq vite në vendet e pazhvilluara që është 5.3% e që do të thotë se Kosova nuk e ka zënë as hapin e zhvillimit të shteteve të pazhvilluara.

Sipas tij, GDP rritet kryesisht prej investimeve publike dhe konsumi, konsumi i drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthorte që ushqehet nga remitencat e diasporës.

Në fund të kësaj ceremonie, për kontribut në Odën Ekonomike të Kosovës, u nderuan me mirënjohje disa personalitete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat