Prezantohen planet për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Ekonomi

Prezantohen planet për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Më: 1 korrik 2019 Në ora: 05:59
Arkiv

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), mbështetur nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH - GIZ përmes grantit të financuar nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, organizon konferencën 'Lokalizimi i Agjendës 2030 - Sfidat dhe mundësitë për përmbushjen e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm'. 

Adoptimi i Rezolutës për Miratimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) - Agjenda 2030 në Kosovë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka hapur rrugën për krijimin e mekanizmit ndërinstitucional për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. 

Duke marrë parasysh mobilizimin në nivel qendror dhe iniciativën e ndërmarrë në lidhje me krijimin e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, ekziston nevoja për të krijuar edhe bashkëpunim midis nivelit lokal dhe qendror, me qëllim që të sigurohen veprime gjithëpërfshirëse institucionale në këtë drejtim. Qeveritë lokale nuk duhet të shihen vetëm si zbatues të Agjendës. 

Në fakt, qeveritë lokale janë katalizatorët e ndryshimit dhe niveli adekuat i qeverisjes për të lidhur qëllimet globale me komunitetet lokale. 

Përafrimi i planeve zhvillimore kombëtare dhe lokale me OZHQ-të dhe sigurimi i pjesëmarrjes të shumë palëve të interesit rritë mundësitë për avancim progresiv drejt zbatimit të Agjendës 2030. 

Si rezultat i kësaj, INDEP po zbaton projektin 'Qeveritë (Lokale) e Zhvilluara Qëndrueshëm për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm #SDG4SDGs', i cili është përqendruar në nxitjen dhe sigurimin e koordinimit në mes të Shoqërisë Civile dhe nivelit lokal dhe atij qëndror drejt avancimit dhe institucionalizimit të Agjendës 2030. 

Gjatë kësaj konference do të paraqesim 7 plane lokale për OZHQ të përgatitura për 7 komunat përfituese, përkatësisht komunën e Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Podujevës, Novobërdës, Deçanit dhe Vushtrrisë. 

Këto dokumente do të shërbejnë si mjet udhëzues për këto komuna si dhe komunat tjera që të angazhohen për planifikimin e zhvillimin e politikave në përputhje me Agjendën 2030. 

Ky forum do të shërbejë gjithashtu si një mundësi e mirë për të mësuar nga praktikat më të mira ndërkombëtare në aspektin e rolit që kanë qeveritë lokale drejt përmbushjes së 17 OZHQ-ve. 

Ndërsa, në të njëjtën kohë, do të ofrojë një pasqyrë të përditësuar mbi progresin e shënuar në Kosovë karshi Agjendës 2030.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat