OJQ-të fituan rastin ndaj MZhE-së përqasjen në dokumentet për ‘Kosovën e Re’

Ekonomi

OJQ-të fituan rastin ndaj MZhE-së përqasjen në dokumentet për ‘Kosovën e Re’

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 12:49
Foto

Kërkesëpadia e organizatave Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), për moslejim të qasjes në dokumente zyrtare për termocentralin ‘Kosova e Re’ ndaj ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, është aprovuar si e bazuar nga Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe obligohet që ministria të lejojë qasjen në dokumentet e kërkuara.

Pas këtij vendimi këto organizata kanë dërguar sot edhe një herë kërkesën për qasje në dokumente zyrtare.

Këto organizata në janar të vitit 2017 kishin kërkuar qasje për këto katër dokumente, thirrja për parakulifikim të kompanive për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, kompanitë/koalicionet të cilat kanë aplikuar dhe janë parakualifikuar, thirrja finale për aplikim e cila i është dërguar kompanive të parakualifikuara dhe ndryshimet në pakon tenderuese që kanë ndodhur nga thirrja e parë për parakualifikim e deri më tani dhe arsyet për ndryshimet e tilla.

Me 25 janar të vitit 2017, Ministria e Zhvillimit Ekonomik kishte kthyer përgjigje, ku iu ishte dhënë vetëm thirrja për parakulaifikim të kompanive për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe kompanitë/koalicionet të cilat kanë aplikuar dhe janë parakualifikuar, por jo edhe për dy kërkesat tjera.

E pikërisht për këto dy kërkesa, organizatat kishin ushtruar padi, e për çka edhe sot i kanë dërguar kërkesë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që t’iu lejohet qasja.

Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation (BGF), tha se shpresojnë që pas kërkesës së tretë MZhE t’iu mundësojë që të kenë qasje në këto dy dokumente, që sipas saj janë shumë të rëndësishme që të dihen.

Gojani: Ne kemi dërguar sot kërkesën e tretë për këto dokumente

“Në dy dokumentet tjera na është thënë se ato paraqesin të dhëna konfidenciale dhe nuk munden me u nda me palët e treta. Ne kemi vlerësua se këto dokumente nuk janë dokumente konfidenciale dhe duhet të ndahen me publikun dhe për atë me datën 3 shkurt 2017 kemi dërguar rikërkesë për këto dy dokumente të cilat na janë mohuar dhe prapë përgjigja na kthehet që nuk mund t’i ndajmë me ju. Ne për atë kemi paraqitur padinë ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik me datën 22 shkurt 2017, për shkak se Termocentrali Kosova e Re është një projekt tejet i madh, me ndikime shumë të mëdha, kështu që kemi dashur që ky projekt të jetë transparent për publikun dhe të dimë se në çka po e fusim Kosovën për vitet në vijim. Me 4 prill të vitit 2019 është marrë vendimi që padia jonë është e bazuar dhe obligon MZhE që brenda 30 ditësh t’i ndajë dokumentet e kërkuara me ne. Ne kemi dërgu ar sot kërkesën e tretë për këto dokumente me shpresën që tani me aktgjykimin që të na jepet qasje edhe në këto dy dokumente”, tha ajo.

Ndërkaq, Agron Demi nga Instituti GAP, tha se edhe herë të tjera i janë drejtuar Gjykatës për qasje në dokumente publike, ku përmendi padinë për moslejim në qasje në dokumente publike gjatë procesit të privatizimit të rrjetit të energjisë edhe të Kosovës së Re.

Demi: Edhe pse kemi dy raste gjyqësore të fituara nuk është dënuar askush

“Edhe pse kemi dy raste gjyqësore të fituara nuk është dënuar askush, nuk ka zyrtarë të cilët mbahen përgjegjës për shkelje të ligjit në qasje në dokumente publike, nuk dënohet as Ministria ashtu siç parashihet me ligjin për qasje në dokumente publike. Vetëm lejohet qasja në këto dokumente të cilat edhe ashtu janë pothuajse të vjetra. Është e rëndësishme që këto të bëhen publike edhe pse është hy në një proces tjetër tashmë, për shkak se na lenë të kuptojmë sa herë është ndryshuar pakoja tenderuese dhe kjo është më rëndësi për shkak se Qeveria e Kosovës po thirret në ligje të ndryshme kur e arsyeton procesin e privatizimit, një herë thonë se është partneritet publiko-privat, e pastaj kthehet se është me ligjin për prokurimin publik, pastaj thirren në rregullat e Bankës Botërore. Kjo ka qenë arsyeja pse ne kemi kërkuar që të na jepen të gjitha këto dokumente qà « të shohim si ka ndryshuar procesi, a ka qenë konform ligjeve në fuqi, a është respektuar strategjia e energjisë. Është shumë e rëndësishme që këto të bëhen publike sepse së paku një rast tjetër na dëshmon që kur dokumentet mbahen të fshehura ka mundësi të mëdha për keqpërdorim, e këtu e kam fjalën për privatizimin e rrjetit të energjisë”, tha ai.

Kurse, Burim Ejupi nga INDEP, tha se është e rëndësishme që të bëhen publike dy dokumentet e kërkuara, pasi sipas tij japin përgjigje se pse është ka pasur ndryshime në pakon tenderuese që kanë ndodhur nga thirrja e parë për parakualifikim e deri më tani dhe arsyet për ndryshimet e tilla.

Ejupi: Na lenë të dyshojmë që e gjitha kjo është përgatitur për të fituar një ofertues i vetëm

“Kur është hapur tenderi, në tender ka qenë edhe Kosova B si pako, tash rrugës veç është zhdukur ka ndryshuar. Kjo vjen me një përfundim se nëse kishte qenë tenderi i parë ndoshta kishim pas ofertues më të mirë edhe çmimi kish qenë më i mirë, kushtet kishin qenë më të mira. Kështu që, kjo na lenë të dyshojmë që e gjitha kjo është përgatitur për të fituar një ofertues i vetëm dhe me kushte të cilat veç është nënshkruar kontrata”, tha ai.

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, sipas Agron Demit nga Instituti GAP, nuk është ankuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Demi: Nuk kemi marrë informata as prej Gjykatës së Apelit as prej MZhE-së se janë ankuar

“Aktgjykimi është i mëhershëm por nuk e kemi publikuar për të pritur periudhën 15 ditore nëse do të ankohen, nuk kemi marrë informata as prej Gjykatës së Apelit as prej MZhE-së se janë ankuar. Në rastin kur Instituti GAP e ka fituar padinë MZhE e ka dërguar rastin në Apel dhe prapë e ka humbur rastin, prapë nuk është përgjigjur në kërkesën tonë për qasje në procesverbale të takimit të komitetit drejtues të privatizimit, për shkak se ne dyshojmë që aty janë bërë krejt këto ndryshimet e pakos tenderuese dhe shkeljet ligjore”, tha ai.

Duke qenë se këto katër organizata i kanë ridërguar sot kërkesën për qasje në dokumente publike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka 7 ditë kohë për të kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat