‘Ndërtimi i TC “Kosova e Re” po mbahet i mbyllur në kundërshtim me ligjet në fuqi’

Ekonomi

‘Ndërtimi i TC “Kosova e Re” po mbahet i mbyllur në kundërshtim me ligjet në fuqi’

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 12:50
Foto

Grupi i organizatave të shoqërisë civile i kanë bërë sot thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që konform kompetencave që ua garanton Kushtetuta, të kërkojnë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me procesin e tenderimit të TC “Kosova e Re”.

Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, dhe Instituti për Politika Zhvillimore përkujtojnë se në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës, Ligjin për qasje në dokumente publike, aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, si dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik refuzon publikimin e dokumenteve që ndërlidhen me procesin e tenderimit të TC “Kosova e Re”.

Organizatat në fjalë po ashtu theksojnë se kanë bërë dhjetëra kërkesa që nga viti 2011, për transparencë në procesin tenderues të TC “Kosova e Re’ dhe vazhdimisht kanë marrë përgjigje refuzuese, por përkundër vendimeve gjyqësore, MZHE vazhdon të mbajë fshehur dokumentet që ndërlidhen me këtë proces.

Ato kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që konform të drejtave dhe obligimeve që ua garanton Kushtetuta, të detyrojnë MZHE-në të respektojë vendimet e gjykatave dhe të bëjë publike dokumentin e thirrjes finale për aplikim dërguar kompanive të parakualifikuara për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, të gjitha vendimet për ndryshimin e kushteve tenderuese që janë marr nga viti 2011 e deri në kontratën finale për ndërtim të “Kosovës së Re”, si dhe procesverbalet e takimeve të Komitetit Drejtues për projektin “Kosova e Re”.

“Publikimi i këtyre dokumenteve është me rëndësi për publikun dhe Kuvendin e Kosovës ngase besojmë se gjatë procesit të tenderimit, MZHE dhe Komiteti Drejtues kanë bërë shkelje ligjore, duke ndryshuar vazhdimisht kushtet tenderuese, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës nr.03-V-272 të 1 prillit 2010 për aprovimin e Strategjisë së Energjisë 2009-2018”, thuhet në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat