Inspektoriati i Punës me pak gjoba ndaj bizneseve për shkelje të të drejtave të punëtorëve

Ekonomi

Inspektoriati i Punës me pak gjoba ndaj bizneseve për shkelje të të drejtave të punëtorëve

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 07:51
Foto

Besnik Beqiri tashmë 35 vjeçar, kohë më parë punonte në minierën e Kishnicës. Mirëpo, puna që bënte nuk ishte e duhura për të pasi që nuk ishte i trajnuar. Për shkak të kësaj, Besniku pësoi aksident në minierë. Një ditë ai teksa punonte kishte lënduar dorën e djathtë në tri vende.

Beqiri si njëri ndër punëtorët e shumtë në Kosovë, kishte kërkuar ndihmë për t’u shëruar, ndihmë këtë të cilën nuk e kishte marrë në vendin ku punonte. Kështu ai kishte vendosur ta paraqiste rastin në Inspektoriatin e Punës, duke menduar se do të gjente zgjidhje.“E kam paraqitur rastin në Inspektoriat të Punës. Pastaj e kam paraqitur rastin edhe në gjykatë ku i kam bërë dy padi, një penale dhe një civile, por nuk i është dhënë asnjë gjobë biznesit. Nga sigurimi unë do të duhej t’i merrja 20 mijë euro por nuk mi kanë dhënë. Në gjykim e kam fituar rastin mirëpo nuk i kam marrë paratë. E pavarësisht kësaj, këtë rast nuk do ta ndali asnjëherë, do ta vazhdojë prapë”, është shprehur ai duke treguar se tani punon si kujdestar në një hotel.

Në raportin e Inspektoriatit të Punës për vitin 2018 janë bërë gjithsej 9114 inspektime, ku 4773 inspektime të rregullta, 2439 inspektime të përsëritura, 1742 inspektime me kërkesë të palës dhe 160 inspektime të përbashkëta.

“Për vitin 2018, janë kryer 9056 raporte zyrtare”, thekson ky raport.

Ndërsa në lidhje me masat ndëshkuese gjatë vitit 2018 janë dhënë vërejtje, gjoba dhe masa tjera në shkallë të dytë.

“Janë dhënë 1340 vërejtje, 270 gjoba, 233 vendime  në shkallë të dytë. Ndërsa janë ekzekutuar 13 prej tyre për vitin 2018, kurse 62 janë dërguar në përmbarim”, thuhet në raport.

Janë kontaktuar përfaqësues të Inspektoriatit për të kërkuar numrin e gjobave dhe inspektimeve që nga janari i këtij viti deri në këtë periudhë, por nuk kanë kthyer përgjigje.Pavarësisht gjendjes së vështirë të punëtorëve dhe shkeljes së të drejtave të tyre themelore, Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se kanë kërkuar që të ndërmerren masa vetëdijësuese duke mos u shqiptuar dënime bizneseve por vërejtje.Sipas tij, dënimet janë të ulëta në Kosovë në krahasim me vendet e Ballkanit.

“Disa herë kemi bërë hulumtime rreth të drejtave edhe të biznesit edhe të punëtorëve, dhe këto kanë rezultuar që në raste të ndryshme janë shkelë nga dy palët. Ne si AKB kemi kërkuar që të mos ndërmerren masa ndëshkuese por vetëdijësuese, duke mos shqiptuar dënime  por vërejtje. Mirëpo në rastet kur ato janë shqiptuar, atëherë edhe inspektorët e punës janë të detyruar ta mbrojnë ligjin dhe shëndetin e punëtorëve, ku ka ardhur deri te dënimet. Mirëpo në krahasim me vendet e ndryshme të Ballkanit janë të ulëta”, ka thënë ai.

Shahini ka shkuar edhe më tutje, duke theksuar se duhet të ndëshkohen edhe punëtorët që punojnë pa kontrata pune.

“Është dashur që vetë punëdhënësit të vetëdijsohen duke iu ofruar punëtorëve siguri në punë, kontratë pune, dhe të gjitha të drejtat që dalin nga Ligji i Punës. Mendoj që këtu duhet të ndëshkohen edhe punëtorët që punojnë dhe nuk marrin kontrata pune, për shkak se janë në skema sociale apo arsye të ndryshme. Duhet të ngremë zërin atëherë kur zbatuesit e ligjit bëjnë selektim dhe nuk i përfshijnë të gjitha edhe pse Inspektoriati i punës ka një numër të kufizuar të vetë inspektorëve dhe ne dyshojmë se ata nuk mund të arrijnë as çerekun e punës për të cilën ka nevojë tregu i punës në Kosovë”, është shprehur Shahini.

Kurse Arian Zeka, nga Oda Amerikane, thekson se ka pasur ankesa nga bizneset lidhur shqiptimin e gjobave.Ai në një deklaratë ka thënë se çështja më e rëndësishme është interpretimi i dispozitave ligjore lidhur me këtë rast.

“Nga komuniteti i biznesit ka pasur goxha shpesh ankesa lidhur me numrin e trupave inspektuese, por edhe mënyrës së shqiptimit të gjobave, më konkretisht diskrecionit të inspektorëve për interpretim të ndonjë dispozite ligjore dhe shqiptimit të gjobave apo ndëshkimeve. Pra, përtej lartësisë monetare të gjobave, çështja më e rëndësishme është interpretimi i dispozitave ligjore, si dhe mekanizmat në dispozicion që bizneset kanë për të parashtruar ankesa, si dhe objektiviteti dhe pavarësia e trajtimit të ankesave. Bizneset në çfarëdo rrethane duhet të ndjehen se kanë mekanizmat e duhur ku mund të adresojnë ankesat që kanë të bëjnë me vendimet e inspektorateve të ndryshme, pa anashkaluar natyrisht instancat gjyqësore. Po ashtu, do të ishte e udhës që në rast të shqiptimit të gjobave monetare, ekezekutimi i tyre të pezullohej deri në përfundim të trajtimit të rastit nga instanca përfundimtare përgjegjëse”.

E Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së Re në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës ka thënë se të rralla janë rastet kur Inspektoriati i Punës ka vizituar KEK-unAi në një deklaratë ka thënë se nuk ka informacione nëse dikush është gjobitur në KEK, edhe pse sipas tij ka shkelje të të drejtave të punëtorëve.

“Prej inspektoriatit kam dëgjuar që ka pasur një vërejtje por jo ndonjë ndëshkim në vitin 2018. Masat ndëshkimore sa i përket shkeljes së të drejtave të punës, të gjithë punëtorët i adresojnë në gjykatë, sepse nuk është besimi i mjaftueshëm në Inspektoriatin e Punës. Në gjykatë ka shumë lëndë të lloj-llojshme si për punëtorët më ndërrime që nuk iu paguhet vikendi, për pagat jubilare që KEK deri më tani nuk i ka dhënë, për zbritje të pagave me ndërrimin e vendit të punës, pa fajin e punëtorëve apo për shkak të sëmundjeve etj. Raste të punëtorëve të KEK-ut që kanë bërë padi në gjykatë ka shumë dhe të gjitha shkojnë në shkallë të dytë, për arsye se KEK-u ka bërë zakon të bëjë ankesë dhe të shkojë në shkallë të dytë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, ka thënë se Inspektoriati i Punës nuk është duke shqiptuar gjoba sa duhet.Azemi në një deklaratë ka thënë se edhe nëse shqiptojnë gjoba, e bëjnë në mënyrë selektive.

“Ne kemi raste kur vetë intervenojmë që kompania ka bërë shkelje ligjore tek punëtorët me argumente, ndërsa inspektoriati bashkëpunimin më të madh e bën me pronarët e kompanive se si ta përpilojnë raportin për ikjen ndaj përgjegjësive që kanë pronarët ndaj punëtorëve. Ne kërkojmë shpeshherë që Inspektoriati të deklarohet për obligimet që kompanitë private i kanë ndaj punëtorëve, shembull për pushimet vjetore  ndaj punëtorëve, ku thuajse në 90 për qind të rasteve shumë kompani u japin vetëm 10 ditë pushim vjetor punëtorëve. Ne kemi kërkuar që ose tu shpaguhet ajo pjesë edhe për 20 ditë tjera, në njëfarë forme ata hezitojnë, dhe asnjëherë deri më tani nuk kemi pasur ndonjë dënim për shkak të shkeljeve ligjore që pronarët bëjnë ndaj punëtorëve”, ka thënë ai.

“Po të kishin bërë dënime adekuate nuk do ta kishim gjendjen kështu siç është dhe pothuajse e njëjta gjë ndodh edhe në gjykata. Ndërsa ku orientohen punëtorët në këto vitet e fundit është për të ikur jashtë vendit, sepse nuk ka shpresë, nuk ka kurajo, që institucionet tona, as inspektoriati as gjykata po e vlerësojnë çështjen ashtu siç duhet. Të vetmin shpëtim e shohin ikjen, sepse, jo që nuk kemi sinjale pozitive por kemi trende negative në përmirësimin e kushteve për punëtorët”, ka shtuar tutje Azemi.

Alush Sejdiu nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se inspektoriati nuk i bënë kontrollat në nivelin e duhur nëpër biznese.Ai theksoi se mungojnë edhe gjobat e shqiptuara ndaj shkeljeve të drejtave të punëtorëve.

“Kryesisht vizitat e inspektoriatit të punës bëhen nëpër kompani të vogla, kompani të mesme, ndërsa nëpër kompani ku ka numër të madh të punëtorëve ata nuk shkojnë fare.  Nuk kam dëgjuar deri tani që një kompani është gjobitur për shkelje të të drejtave të punëtorëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk janë në pyetje vetëm që gjobat të shqiptohen pasi që siç theksoi Sejdiu duhet të ketë përfaqësim sindikal sidomos në sektorin privat.

“Në këtë shekull të mos guxojnë punëtorët të angazhohen për të drejtat e tyre, kjo është e pashpjegueshme. Duhet të ketë dialog social, të ketë vetëdijësim rreth respektimit të drejtave të punëtorëve, si dhe të Ligjit mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, pra të bashkëpunojmë si partnerë që jemi. Ne asnjëherë nuk kërkojmë që bizneset automatikisht të dënohen”, ka përfunduar ai.

Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë thotë se barra kryesore, si ajo organizative ashtu dhe ajo financiare, për të krijuar kushte të punës të sigurta dhe të shëndetshme i bie punëdhënësit. Ky i fundit duhet që për secilin objekt të punës të përcaktojë daljet emergjente, planin për evakuim, si dhe hapësirat për pushim.

Më tutje, punëdhënësi duhet që të informojë dhe trajnojë të punësuarit se si të mbrohen nga rreziqet e punës dhe si të përdorin pajisjet mbrojtëse.

Sipas nenit 10 të Ligjit, punëdhënësi gjithashtu cakton persona përgjegjës brenda personelit të cilët janë përgjegjës për shëndetin dhe sigurinë në punë. Ndryshe në shtetet rajonale ku është kërkesë ligjore që në kompani të formohen këshille të sigurisë dhe shëndetit në punë, një gjë e tillë nuk kërkohet në Kosovë.

Ndërsa, neni 25 i Ligjit në fjalë, Inspektorati i Punës është institucioni kyç përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave. Dënimet për shkeljen e Ligjit apo neglizhencën e tij janë në të holla. Gjobat janë nga 500 deri në 35 mijë euro, varësisht nga shkelja.

Në Kodin Penal të Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës.

Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me një deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave, përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat