Bizneset kërkojnë heqjen e tatimit për kallos

Ekonomi

Bizneset kërkojnë heqjen e tatimit për kallos

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 16:43
Bizneset kërkojnë heqjen e tatimit për kallos

Rrjeti i Shitësve me Pakicë tash e dy vjet ka ngritë një shqetësim sa i përket mos trajtimit të kallos apo firës për firmat kosovare nga Ministria e Financave dhe Administrata Tatimor e Kosovës. (Kallo-humbjet të cilat bizneset paguajnë TVSH).

Bizneset duke kërkuar që mos të paguajnë tatime për pjesën e humbjes së kallos, konsiderojnë se humbjet janë 3-5 përqind e qarkullimit vjetor janw nga mos njohja e kallos që dëmtohen ose humbin peshë shumë produkte ushqimore dhe të derivateve.   

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj thotë për KosovaPress se pa dyshim që kjo humbje është shumë e madhe pavarësisht që mund të tingëllojë si e ulët për të ushtruar aktivitetin afarist.

Metaj shton se Rrejti i Shitësve me Pakicë kërkon që kjo barrierë e bizneseve të trajtohet më një Rregullore të specializuar që i trajton vetëm këto tema ku regjistrohet hyrja e çdo produkti në kuptimin e humbjes dhe jo të bazohet në kartelë të artikullit, të bëhet me Udhëzim Administrativ të firës sipas shembujve të shtetit slloven apo atij kroat, si dhe kjo të bëhet përbrenda projektligjit mbi Tatimin e Vlerës së Shtuar.

Meta: Kallo të trajtohet me Udhëzim Administrativ ose me dispozitë ligjore

“Rrjeti i Shitësve me Pakicë tash e dy vite ka shqetësimin e ngritur kundrejt Ministrisë së Financave sa i përket trajtimit kallos apo firës. Dy herë kemi marrë zotime verbale nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, tash rishtazi kishim takime dhe me shefin e kabinetit Lulëzim Rafuna sa i përket trajtimit të kallos qoftë me një Udhëzim Administrativ apo si dispozitë ligjore brenda ligjit të TVSH-së, por ende asgjë nuk është e konkretizuar. Pra, ne si Rrjet kemi interesim për këtë çështje se si do të trajtohet në të ardhmen që në këtë mënyrë me iu lehtësuar bizneseve të cilat janë brenda Rrjetit veprimtarinë e tyre tregtare”, thotë Metaj.

Drejtoresha Metaj duke numëruar produktet të cilat duhet të trajtohen me kallo nga shteti, tregon për modelin e rekomandimeve të adresuara pran Ministrisë së Financave. 

Meta: Rekomandimet janë të bazuara në modelin e shtetit slloven dhe atij kroat

“Si rrjet i shitësve me pakicë kemi adresuar edhe shkresa në Ministrinë e Financave, ku kemi jap edhe disa rekomandime. Rekomandimet janë të bazuara në modelin e shtetit slloven dhe atij kroat. Trajtimi i kallos te këto shtete është në përqindje të caktuar të qarkullimit varësisht prej produktit, dmth, xhamat, nafta, produktet ushqimore, të cilat ndahen me përqindje se sa i pranohet prej shtetit për shlyerjen e mallit”, deklaron ajo.

Këshilltari i ministrit në detyrë në Ministri të Financave, Lulëzim Rafuna pohon se ka qenë një kërkesë e kamotshme e bizneseve që të trajtohet edhe çështja e kallo apo firës, dhe me rastin e hartimit të ligjit të TVSH-së, Ministria e Financave ka angazhuar edhe ekspertizë të jashtme, ku është marrë si model sistemi i Sllovenisë ku me ligjin e Tatimit të Vlerës së Shtuar, i cili tani gjendet në kuvend si draft ligj, aty është para parë një dispozitë e veçantë ku e parasheh që ministri i Financave nëpërmjet një akti nënligjor ta rregulloj edhe çështjen e firës apo kallos.

Rafuna thotë se në momentin që Ligji i Tatimit të Vlerës së Shtuar hynë në fuqi, Ministria e Financave do ta nxjerrë Rregulloren si akt nënligjor të nënshkruar nga Ministri i Financave ku do të rregullohet edhe çështja e trajtimit të kallos apo firës.

Rafuna: Me këtë dispozitë do të përfiton biznesi jo buxheti i shtetit

“Me këtë dispozitë do të përfiton biznesi jo buxheti I shtetit, për arsye se deri më tani në mënyrë shumë të pa drejtë biznesi ka paguar në emër të tatimeve për pjesën e mallit i cili ka shkuar në humbje. Jemi dëshmitarë secili nga ne se nafta nuk e ka peshën e njëjtë në momentin e ngarkesës deri në shitjen e fundit për shkak të avullimit si rezultat i temperaturave. Kemi edhe te produktet bujqësore ku kemi mësuar nga ana ekspertëve që molla nuk e ka peshën specifike të njëjtë që në momentin vjeljes sikur që shitet pas një muaji ose dy. Më pas janë humbjet tjera që I kanë shitësit me pakicë, por edhe ata me shumicë brenda vendit tonë. Kështu që do të jetë një ndihmesë shumë madhe për biznesin që në librat e tyre t’i paraqesin në mënyrë sa më reale dhe të mos paguajnë tatime për pjesën e humbjes së kallos apo firës”, deklaron Rafuna.  

Korab Hoxha zëvendës drejtor i kompanisë “Viva Fresh Store”, deklaron se si pasojë e firës, mesatarisht humbjet në këtë kompani janë 2-3 përqind në bazë të qarkullimit vjetor të kompanisë. Kjo sipas tij, është një penalizim për biznesin.

Hoxha: Mos trajtimi i kallos është penalizim

“Ne si kompani ka kohë që e kemi ngritë këtë shqetësim nëpër institucionet shtetërore si në ATK dhe në Ministri të Financave. Kjo çështje është një problem sidomos për industrinë tonë për arsye se ka shumë produkte të cilat preken prej kallos dhe të cilat për neve nuk njihen si shitje. Kështu që është një penalizim i madh për kompaninë”, thotë Hoxha.

Ndërsa, edhe kryetari i Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Besnik Sylejmani thotë se në bazë të kalkulimeve të qarkullimit vjetor të bizneseve anëtare në Rrjet që kanë 700 milionë euro, vetëm nga kjo barrierë humbjet në vit janë rreth 14 milionë euro.

Sylejmani thotë se po të trajtohet kallo nga autoritetet e shtetit, bizneset do të kishin pasur mundësi të zhvillohen edhe më shumë.

Sylejmani: Nuk jemi duke kërkuar diçka që nuk aplikohet në vendet e tjera

“Si shoqatë ose si Rrjet nuk jemi duke kërkuar diçka që nuk aplikohet në vendet e tjera të Botës, po kërkojmë diçka që është normale që me dispozita mund të rregullohet ose sipas ligjit. Mendoj se do të ketë mundësi të punohet më mirë edhe nga ana gjithë shitësve me pakicë kur dihet që prej anës së Qeverisë ka një përkrahje në vazhdimësi. Është nevojë që Qeveria të bashkëpunoj më shumë me bizneset private në mënyrë që të arrihet një kompromis ku të dy palët të dalin fitues. Ne si  Rrjet I Shitësve me pakicë jemi ndër tatim paguesit më të mëdhenj dhe si të tillë e meritojmë një përkrahje pak më të madhe nga qeveria sidomos në aspektin ku iniciativat burojnë nga Rrejti i Shitësve me pakicë”, pohon Sylejmani.  

Kallo trajtohet në Kroaci, Slloveni dhe Serbi, por jo edhe në Shqipëri.

Rrjeti i Shitësve me pakicë ka 300 anëtarë ndër ta janë: Viva Fresh Store, ETC, Interex, Princ Coffee House, Maxi, Meridian Express, Albi, Superviva, KFC dhe Jysk.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat