OAK kërkon ndryshimin e udhëzimeve administrative që pengojnë zhvillimin ekonomik

Ekonomi

OAK kërkon ndryshimin e udhëzimeve administrative që pengojnë zhvillimin ekonomik

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 12:07
OAK

(E plotësuar) - Oda e Afarizmit të Kosovës ka organizuar sot një konferencë për media lidhur me udhëzimet administrative, të cilat janë në mospërputhje me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, dhe po e pengojnë zhvillimin e bizneseve të këtij sektori.

Zyrtarë të Odës së Afarizmit të Kosovës me këtë rast kanë shprehur shqetësimet lidhur me problemet me të cilat po përballen bizneset, e që lidhen me ligjin për miniera e minerale dhe udhëzimet administrative të sektorit të pylltarisë.

Ata thanë se ligji dhe udhëzimet administrative nuk janë të harmonizuara mes vete, dhe se udhëzimet administrative duhet të ndryshohen pasi të njëjtat po e pengojnë zhvillimin ekonomik në vend.

Mirjeta Shala nga OAK ka folur për takimet e shumta që OAK ka zhvilluar me përfaqësues të institucioneve, dhe kërkesat e drejtuara institucioneve përgjegjëse për këtë çështje.

Ajo tha se kërkesa kanë adresuar edhe te kryeministri i Kosovës, ndërkohë bëri të ditur se peticioni për shfuqizimin e udhëzimeve administrative iu prezantua edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Shala: Të ndryshohen udhëzimet administrative

“Edhe në këtë takim kemi dorëzuar peticionin, kërkesën për ndryshim të udhëzimeve administrative dhe kërkesën për shfuqizim të vendimit për ndalim të përkohshëm të pasurisë së paluajtshme të nxjerrë nga Ministria e Bujqësisë. Tani jemi në pritje për një përgjigje për përkrahjen që zoti Veseli mund të na sigurojë lidhur me këtë çështje. Përmes kësaj konference shfrytëzojmë rastin t’i bëjmë edhe njëherë thirrje kryeministrit dhe ministres së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rrual, zonjës Diana Zhiviq që të ndryshojë këto udhëzime administrative, ndryshime të cilat nuk marrin shumë kohë të gjatë, por që ka ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendi, duke marrë parasysh që sektori minerar është sektori me potencialin më të madh në vend”, tha ajo.

Duke theksuar që Projektligji për Miniera dhe Minerale tash e një vit është në Kuvendin e Kosovës, por që ende nuk është miratuar,  Shala tha se kërkesë e OAK-ut është të kthehet edhe njëherë në dëgjim publik, në mënyrë që të dëgjohet zëri i bizneseve dhe të përfshihen rekomandimet e tyre.

Shala: Ligji aktual për më shumë se tetë vjet po i dëmton bizneset

“Projektligji i parasheh disa lehtësira për këto biznese, mirëpo ligji aktual ka më shumë se tetë vjet që është i miratuar dhe ka dëmtuar për më shumë se tetë vjet bizneset. Për këtë arsye jemi duke kërkuar që në projektligjin që është momentalisht në Kuvend, të përfshihen të gjitha rekomandimet e bizneseve, në mënyrë që të eliminohen këto vështirësi për bizneset, duke pas parasysh që po u bëhet shumë dëm”, tha ajo.

E Rreze Cana, zyrtare për komunikim me biznese, përmendi disa raste ku ka mungesë harmonizimi ndërmjet ligjit dhe udhëzimit administrative.

Siç tha ajo, te Ligji për Miniera dhe Minerale thuhet se toka e marrë ka kohëzgjatje maksimale prej 25 vjetësh, ndërsa udhëzimi administrativ thotë që pas marrjes së vendimit, nënshkruhet kontrata nga kryeshefi ekzekutiv i APK-së dhe qiramarrësit për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm me qira të pyjeve dhe tokave pyjore shtetërore deri në 5 vjet.

Sipas saj, në këtë rast ka mungesë harmonizimi ndërmjet ligjit dhe udhëzimit administrativ, dhe që licenca e kufizuar në vetëm 5 vjet e pengon të bërit biznes në Kosovë.

Cana: OAK kërkon sa më shpejt të ndërmerren hapa për përmirësimin e situatës

“Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të largohet edhe vendimi për ndalimin e përkohshëm të përdorimit të pasurisë së paluajtshme të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Duke pas parasysh dëmtimi që po u bëhet këtyre bizneseve dhe ndikimi në zhvillimin ekonomik të Kosovës nga mos harmonizimi i ligjeve me njëra-tjetrën apo me udhëzimet administrative, Oda e Afarizmit të Kosovës e përsërit kërkesën për marrje më të shpejtë të hapave për përmirësimin e kësaj situate”, tha ajo.

Në konferencë u bë e ditur se me ministren e Bujqësisë, Diana Zhiviq, janë takuar tri herë gjatë këtij viti, dhe se ajo ka premtuar se do të ndërmerren hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve të bizneseve të këtij sektori. Gjithashtu, u tha se ministrja ka premtuar që do të dërgojë në Kuvend Ligjin për pyje, përmes të cilit do të tejkalohen disa nga çështjet që po e bllokojnë sektorin.

Ndryshe, këto janë udhëzimet, të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës po kërkon që të ndryshohen:

Udhëzimi Administrativ Nr.10/2010, Neni 4 paragrafi 13.7 dhe paragrafi 13.8, të cilat kufizojnë kontratat e shfrytëzimit të tokave në 5 vjet dhe 5 ha;

Udhëzimi Administrativ MA – Nr 12/2005, paragrafi 1.b i nenit 8, obligon bizneset të paguajnë për shfrytëzim të pyjeve dhe tokës pyjore për destinime tjera ku vlera e shtimit vjetor të masës drunore për 25 vjet për pyjet cungishte dhe 60 vjet për pyje trungishte pa e shfrytëzuar atë pjesë;

Udhëzimi Administrativ  MA-Nr.16/2007, Neni 1, paragrafi 7, që obligon bizneset të paguajnë taksë 0.20€ për vit për ndërtim të përkohshëm;

Vendimi për Ndalimin e Përkohshëm  të Ndërrimit të Pasurisë së Paluajtshme të MBPZHR, i datës 20/07/2010. 

OAK i bënë thirrje Qeverisë për ndryshimin e Udhëzimeve Administrative

Oda e Afarizmit të Kosovës, ka folur për problemet me të cilat po hasin bizneset, e që kanë të bëjnë me ligjin për Miniera dhe Minerale.

OAK përmes një konference për media, kërkon ndryshimin e udhëzimeve administrative të Ministrisë se Bujqësisë, meqë të njëjtat u pengojnë bizneseve në zhvillimin e punës.

Mirjeta Shala, zyrtare për komunikim me biznese, kërkoi që ligji për Miniera dhe Minerale të kthehet edhe njëherë në dëgjim publik.

"Kërkesë e jona është që projektligji për miniera dhe minerale të kthehet edhe një herë në dëgjim publik. I bëjmë thirrje kryeministrit dhe ministres së Bujqësisë që të ndryshojnë udhëzimet administrative që do të kishte pastaj ndikim në zhvillimin e vendit”, tha Shala.

Në këtë konferencë OAK kërkoi që të largohet edhe vendimi për ‘Ndalimin e Përkohshëm të ndërrimit të Pasurisë së Paluajtshme’.

“Oda e Afarizmit kërkon që të largohet edhe "Vendimi për Ndalimin e Përkohshëm të ndërrimit të Pasurisë së Paluajtshme të MBPZHR" i datës 20.07.2010. Duke pas parasysh dëmtimi që po i bëhet këtyre bizneseve dhe ndikimi në zhvillimin ekonomik të Kosovës nga mos- harmonizimi i ligjeve me udhëzimet administrative me njëra-tjetrën. Oda e Afarizmit përsërit kërkesën për marrjen e hapave më të shpejtë për përmirësimin e kësaj situate", tha Rreze Cana, poashtu zyrtare për komunikim me biznese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat