MIT: “Limak” të respektojë ligjet e Kosovës

Ekonomi

MIT: “Limak” të respektojë ligjet e Kosovës

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 16:38
Ilustrim

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ka pranuar me shqetësim paralajmërimet e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ për fillimin e protestave.

Kjo ministri u bën thirrje drejtuesve të sindikatës dhe atyre të aeroportit që të diskutojnë rreth zgjidhjes së problemeve për të cilat punëtorët janë të pakënaqur.

Njëkohësisht, MIT me në krye ministrin Pal Lekaj, i bën thirrje konsorciumit “Limak”, që të respektojë me përpikëri ligjet e Kosovës dhe kontratën për koncesionimin e aeroportit “Adem Jashari”.

“Konsiderojmë që është e dëmshme ndalja e punës nga ana e punonjësve të aeroportit, pikërisht në kohën e fluksit më të madh të udhëtarëve, veçanërisht diasporës.  Këto qëndrime, te të dyja palët, në takime të ndara, i përcolli zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, për shkak të kushteve jo të mira të punës, kanë paralajmëruar grevë një orësh për datën 8 gusht, ndërsa në rast të mos zgjidhjes së kërkesave, ata nuk përjashtojnë edhe  mbajtjen e protestave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat