Mehmeti: Ndryshimi i Ligjit e bën atraktiv sektorin e sigurimeve për investitorët e huaj

Ekonomi

Mehmeti: Ndryshimi i Ligjit e bën atraktiv sektorin e sigurimeve për investitorët e huaj

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 17:06
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se ndryshimi i Ligjit në të Ardhurat e Korporatave e bën shumë atraktiv sektorin e sigurimeve për investitorët e huaj

Ndryshimi i Ligjit në të Ardhurat e Korporatave, përkatësisht te pjesa e tatimit të sektorit të sigurimeve, e bën këtë sektor shumë atraktiv për investimet e huaja dhe në të njëjtën kohë krijon kushte më të favorshme për siguruesit për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Kështu ka vlerësuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti, duke shtuar se para se të miratohet një ligj i tillë në Kuvendin e Kosovës sektori i sigurimeve në Kosovë i ishte nënshtruar një tatimi ekstra në qarkullim prej 5 për qind, të cilit tatim nuk i është nënshtruar asnjë biznes tjetër në vend.

Sipas Mehmetit, në të kaluarën kompanitë kosovare të sigurimeve kanë paguar shuma të larta të tatimeve edhe në rastet kur kanë operuar me humbje. “Është shumë e qartë se mënyra e tatimit në të kaluarën nuk ka arritur një nga objektivat e tatimeve që është nxitja e zhvillimit ekonomik dhe alokimit efikas të resurseve të një ekonomie”, ka potencuar guvernatori Mehmeti.

 Industria e sigurimeve u dëmtua mbi 60 milionë euro

Edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka konfirmuar se me miratimin e Ligjit mbi të ardhurat e Korporatave, siç ka thënë ai, i është dhënë fund diskriminimit disa vjeçar të industrisë së sigurimeve të Kosovës, duke e hapur një etapë të re për këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas tij, industria e sigurimeve të Kosovës është detyruar me vite të tëra të paguaj tatim ekstra në qarkullim prej 5 për qind, pagesa e së cilit vlerësohet se i ka dëmtuar kompanitë e sigurimeve për mbi  60 milionë euro. “Vlen të theksohet se një tatim i tillë nuk e ka paguar asnjë biznes tjetër, përpos kompanive të sigurimeve, në Republikën e Kosovës. Tashmë është pranuar edhe nga Rregullatori, pra Banka Qendrore e Kosovës, se për shkak të tatimit ekstra prej 5 për qind, për shkak të 1 përqindëshit që kanë paguar kompanitë e sigurimeve për Kryqin e Kuq të Kosovës, kompanitë e sigurimeve për vite të tëra kanë operuar me humbje”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se gjatë dy viteve të fundit industria e sigurimeve në Kosovës është duke performuar me fitime, përderisa me miratimin e këtij Ligji kjo industri do të ketë mundësi të zhvillohet edhe më tej.

Ai ka bërë të ditur se Shoqata e Sigurimeve të Kosovës vazhdimisht ka avokuar tek institucionet kompetente të Republikës së Kosovës se kompanitë e sigurimeve ishin të vetmet biznese që kanë qenë të diferencuara në kuptim të tatimit që i janë nënshtruar, përkatësisht në primet bruto të grumbulluara dhe jo në fitimet e deklaruara, siç ka ndodhur rëndom me të gjitha bizneset tjera në Republikën e Kosovës. “Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kuptuan qartë mesazhin tonë dhe në seancën mbajtur në pjesën e parë të muajit korrik 2019 përfundimisht e korrigjuan një defekt ligjor, i cili e ka dëmtuar në masë të madhe industrinë e sigurimeve të Kosovës. Përpos punës që ka bërë Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, për të ardhur deri në këtë fazë është dashur edhe një angazhim i madh i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, z. Fehmi Mehmeti, ministrit të Financave, z. Bedri Hamza, Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, etj.”, ka pohuar ai.

Tarifa për Kryqin e Kuq ishte barrë për sigurimet

 Disa muaj para se të miratohej në Kuvendin e Kosovës Ligji mbi të Ardhurat e Korporatave, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar një nen të Ligjit mbi Kryqin e Kuq të Kosovës, i cili i obligonte kompanitë e sigurimeve që 1 për qind të primit ta ndajnë për këtë OJQ. Vendimi i Kushtetueses erdhi pas ankesës së Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, duke u bazuar në një vendim të ngjashëm që kishte marrë një Gjykatë në Kroaci.

Guvernatori Mehmeti pranon se tarifa për Kryqin e Kuq po ashtë ka qenë një barrë shtesë për sektorin e sigurimeve dhe siç thotë ai është një lajm i mirë që Kushtetuesja e ka shfuqizuar.

“Lehtësimi nga ky detyrim financiar do t’i mundësojë siguruesve përmirësimin e shërbimeve të tyre dhe investimit në produkte të reja si dhe zhvillimit të tregut të sigurimeve në përgjithësi. Kjo në të njëjtën kohë do të përmirësoj mjedisin ekonomik të të bërit biznes dhe do ta bëj me atraktiv ketë sektor për investime të huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, ka potencuar Mehmeti.

Ndërsa Mazreku sqaron se një vendim të tillë Kushtetuesja e kishte marrë pas ankesës së tij si drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, me ç’rast u kishte ofruar dëshmi të bollshme se një praktikë e tillë kohë më parë ishte cilësuar si antikushtetuese edhe nga Gjykata e Kroacisë.

Risitë në sektorin e sigurimeve

Guvernatori i BQK-së thotë se Ligji Mbi Korporatat dhe shfuqizimi i pagesës për Kryqin e Kuq do ta ndihmojnë shumë sektorin e sigurimeve, i cili, sipas tij, mbetet një sektor shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Trajtimi i drejtë i sektorit të sigurimeve lidhur me detyrimet dhe pagesat për Kryqin e Kuq dhe mënyrës së tatimimit do të mundësojë përforcimin e mëtejmë të pozicionit financiar të siguruesve, që nënkupton edhe kapacitete më të mëdha për përmbushjen e detyrimeve ndaj policëmbajtësve dhe zhvillimit të produkteve të reja në treg”, ka thënë Mehmeti. I pari i BQK-së pret që viti 2019 dhe vitet që pasojnë të ketë shumë përmirësime në industrinë e sigurimeve duke filluar nga përmirësimi i shërbimeve të tyre, përkatësisht pagesa e dëmeve, zhvillimin e produkteve të reja si dhe përmirësim e performancës së tyre financiare

FAKT:

60 milionë euro janë dëmtuar kompanitë kosovare të sigurimeve nga pagesa e tatimit ekstra në qarkullim prej 5 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat