Industria e sigurimeve u dëmtua mbi 60 milionë euro

Ekonomi

Industria e sigurimeve u dëmtua mbi 60 milionë euro

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 13:29
Sami Mazreku

Edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka konfirmuar se me miratimin e Ligjit mbi të ardhurat e Korporatave, siç ka thënë ai, i është dhënë fund diskriminimit disa vjeçar të industrisë së sigurimeve të Kosovës, duke e hapur një etapë të re për këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas tij, industria e sigurimeve të Kosovës është detyruar me vite të tëra të paguaj tatim ekstra në qarkullim prej 5 për qind, pagesa e së cilit vlerësohet se i ka dëmtuar kompanitë e sigurimeve për mbi  60 milionë euro. “Vlen të theksohet se një tatim i tillë nuk e ka paguar asnjë biznes tjetër, përpos kompanive të sigurimeve, në Republikën e Kosovës. Tashmë është pranuar edhe nga Rregullatori, pra Banka Qendrore e Kosovës, se për shkak të tatimit ekstra prej 5 për qind, për shkak të 1 përqindëshit që kanë paguar kompanitë e sigurimeve për Kryqin e Kuq të Kosovës, kompanitë e sigurimeve për vite të tëra kanë operuar me humbje”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se gjatë dy viteve të fundit industria e sigurimeve në Kosovës është duke performuar me fitime, përderisa me miratimin e këtij Ligji kjo industri do të ketë mundësi të zhvillohet edhe më tej.

Ai ka bërë të ditur se Shoqata e Sigurimeve të Kosovës vazhdimisht ka avokuar tek institucionet kompetente të Republikës së Kosovës se kompanitë e sigurimeve ishin të vetmet biznese që kanë qenë të diferencuara në kuptim të tatimit që i janë nënshtruar, përkatësisht në primet bruto të grumbulluara dhe jo në fitimet e deklaruara, siç ka ndodhur rëndom me të gjitha bizneset tjera në Republikën e Kosovës. “Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kuptuan qartë mesazhin tonë dhe në seancën mbajtur në pjesën e parë të muajit korrik 2019 përfundimisht e korrigjuan një defekt ligjor, i cili e ka dëmtuar në masë të madhe industrinë e sigurimeve të Kosovës. Përpos punës që ka bërë Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, për të ardhur deri në këtë fazë është dashur edhe një angazhim i madh i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, z. Fehmi Mehmeti, ministrit të Financave, z. Bedri Hamza, Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, etj.”, ka pohuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat