OAK kërkon reagim më të shpejtë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës

Ekonomi

OAK kërkon reagim më të shpejtë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 15:19
OAK

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) u pritën në takim nga drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) Sakip Imeri.

Kryetari i Bordit të OAK-ut Skënder Krasniqi tha se bashkëpunimi me AKK-në deri më tani nuk ka munguar, pasi tash e dy vjet kanë një memorandum bashkëpunimi dhe vazhdimisht adresojnë kërkesa për çështje që pengojnë bizneset dhe janë në kuadër të këtij institucioni.

Ai theksoi që OAK ka një vit që ka adresuar tek AKK-ja kërkesën e sektorit të operatorëve kabllorë lidhur me konkurrencën jo lojale dhe daljen në treg të ofertave me çmime nën kosto, mirëpo ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Nënkryetari i Bordit të OAK-ut Arsim Selmonmusaj kërkoi që të mos lejohet vendosja e çmimeve nën kosto të prodhimit, pasi që kështu po vështirësohet zhvillimi i bizneseve dhe po krijohet klimë e pafavorshme për të bërit biznes në vend.

Pronari i biznesit “Furra Saranda” Artan Qenaj informoi më detajisht për problemet me të cilat ky sektor po përballet për shkak të konkurrencës jo lojale.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës Sakip Imeri, u zotua se brenda një afati sa më të shkurtë kohorë do të dalin me përgjigje zyrtare ndaj kërkesave të adresuara nga OAK.

Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut Bashkim Millaku theksoi që AKK-ja mund të dërgojë vetëm opinione për çështje të ndryshme tek institucionet vendore, pasi që nuk ka autoritet ekzekutiv, përjashtim nga kjo bëjnë hulumtimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat