Zeka: Forcimi i sundimit të ligjit, faktor kryesor për ekonominë në Kosovë

Ekonomi

Zeka: Forcimi i sundimit të ligjit, faktor kryesor për ekonominë në Kosovë

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 07:18
Arian Zeka

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se qeveria e re që pritet të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit duhet të vazhdojë reformat ekonomike dhe forcimin e sundimit të ligjit si mundësi për të rritur ekonominë e vendit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Zërin e Amerikës se faktori politik është i rëndësishëm për investimet e huaja pasi që sipas tij mos qëndrueshmëria politike largon ata nga investimet.

“Qeveria e re natyrisht se duhet të bëj gjithçka që të ofrojë një sundim më të madh të ligjit, pavarësisht zhvillimeve tjera, pavarësisht edhe përmirësimit që mund të bëjmë edhe në aspektin e kapitalit njerëzor, fuqizimi i sundimit të ligjit dhe rendit duhet të shihet si faktori më i rëndësishëm në tërheqjen e investitorëve serioz të huaj gjë që i ka munguar vendit deri më tani. Përndryshe do të vazhdojmë të zëmë vendin e parë ose vend goxha të lartë në të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare ehe sa i përket perceptimit mbi korrupsionin por edhe mbi faktorët tjerë negativë që rëndojnë mbi sundimin e ligjit.”

Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit mbi klimën e biznesit në botë për vitin 2019, thuhet se me gjithë përparimet, rritja ekonomike e Kosovës dhe tërheqja e investimeve, sfidohen nga shumë faktorë përfshirë shkallën e lartë të korrupsionit por edhe paqëndrueshmërinë politike.

Zoti Zeka thotë se perceptimi i lartë i korrupsionit ndikon që bizneset me emër në botë, të mos investojnë në Kosovë. Ai thotë se një sfidë tjetër që vazhdon të përcjellë Kosovën është paragjykimi për gjendjen aktuale në vend.

“Kosova megjithatë ka shënuar progres për gjatë viteve të fundit por ka dështuar në të komunikuar të këtij progresi dhe zhvillimeve pozitive qoftë para investitorëve të huaj qoftë para shteteve tjera të cilat vazhdojnë të kenë rezervat e tyre për zhvillimet pozitive në Kosovë. E shohim në kontaktet e përditshme që kemi qoftë me Odat amerikane homologe nëpër shtete tjera të Evropës ose partnerët tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ekziston ai perceptim negativ për vendin e të cilin ne siç e thashë më herët nuk kemi bërë mjaft shumë për ta ndryshuar.”

Oda ekonomike amerikane në Kosovë thotë se qeveria e re duhet të vazhdojë me reformat e të bërit biznes që do të ndihmonte në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

“Reforma e mëtutjeshme fiskale e cila do të ndihmonte në rritjen e përparësisë konkuruese sidomos në sektorin e prodhimtarisë tonë, shtyrja përpara ose funksionalizimi i vendimeve të mëhershme për zonën ekonomike amerikane që është me rëndësi për ne si odë amerikane edhe natyrisht themelimi i gjykatës së re komerciale që do të ndihmonte në trajtimin më të shpejtë edhe me numër më të madh të gjyqtarëve të kontesteve të natyrës komerciale.”

Zoti Zeka thotë se viteve të fundit Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të investimeve të huaja direkte dhe se sipas tij kjo lidhet edhe me situatën politike të brendshme por edhe në raport me fqinjët.

Kosova do të mbajë më 6 tetor zgjedhjet parlamentare, të katërtat me radhë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Që atëhe rë asnjë qeveri nuk ka arritur të përmbushë mandatin e plotë katër vjeçar, dhe kjo situatë sipas ekspertëve ekonomik ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat