Deficiti tregtar i Kosovës kalon mbi tre miliardë euro - Bota Sot
Deficiti tregtar i Kosovës kalon mbi tre miliardë euro

Ekonomi

Deficiti tregtar i Kosovës kalon mbi tre miliardë euro

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 17:44
Foto ilustrim

Kosova ka një deficit vjetor tregtar që arrin shifrën në mbi 3 miliardë euro. Ky deficit tregtar, sipas ekspertëve, është i lartë dhe vjen si pasojë e mospërputhjes ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve. Si i tillë, deficiti në këtë nivel, nënvizojnë ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve, ndikon edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2018, vlera e importit të produkteve të huaja në Kosovë kishte arritur shifrën mbi 3 miliardë euro, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës, ishte mbi 350 milionë euro.

Ndërkaq, në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportin “Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë”, theksohet se eksporti i mallrave në muajin korrik 2019 kishte vlerën 40.4 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerë 336.8 milionë euro.

Këto shifra tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.3 për qind në muajin korrik 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Deficiti tregtar, sipas BQK-së, ka shënuar rritje nga viti në vit.

Kjo situatë nga ekspert të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve konsiderohet të jetë e dëmshme në përgjithësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të ulë varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi, nëpërmjet nxitjes së prodhimtarisë vendore.

Por, sipas tij, ajo që po pamundëson zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e prodhimtarisë vendore, është pabarazia në treg.

“Fatkeqësisht, Kosova ka një deficit të lartë tregtar që tejkalon 3 miliardë euro në vit, që do të thotë se vetëm 1 me 10 e importit të mallrave dhe prodhimeve të cilat vijnë në Kosovë, mbulohen nga eksporti, ku shprehur në shifra 1 me 10 e kemi proporcionin e bilancit tregtar me botën e jashtme. Pavarësisht disa skemave publike të përkrahjes së prodhimit vendor, megjithatë hendeku i deficitit të lartë tregtar me botën e jashtëm po thellohet në vazhdimësi, pasi që këto skema nuk po japin efektet e dëshiruara për shkak të korrupsionit të nivelit të lartë që ekziston në Kosovë dhe pabarazisë në treg”, thotë Gashi.

Kosova vazhdon të ketë një sektor jokonkurrues të prodhimit. Prodhuesit në Kosovë në vazhdimësi kanë theksuar se përballen me probleme të shumta, si tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, ekonomia joligjore, financimi i vështirë për bizneset, normat e larta të interesit, jostabiliteti me energji elektrike, konkurrenca jo e barabartë.

Gashi thekson se të gjitha këto probleme duhet të eliminohen për të përmirësuar bilancin tregtar.

“Bizneset në Kosovë, të cilët kanë lidhje me pushtetin, ato janë të favorizuara në treg dhe zakonisht ato marrin projekte nga fondet publike, ndërsa ato të cilat investojnë në kapacitetet e fuqisë punëtore dhe në teknologji, ato në fakt nuk janë konkurrente në treg për shkak të pabarazisë”, thotë Gashi.

Kurse, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se deficiti i lartë tregtar është një dukuri e cila po pamundëson zhvillim dhe rritjen ekonomike në vend.

“Kosova vuan ende nga mungesa e një dokumenti kombëtar, pra një strategjie kombëtare për zhvillim ekonomik, ku do t’i vendoste prioritet e veta e njëra nga to është edhe zvogëlimi i deficitit tregtar, duke e zëvendësuar atë me prodhim vendor. Që nga mbarimi i luftës, Kosova ka pasur deficit tregtar me miliarda euro. Kjo neve na bën të jemi të varur nga importi, nga inflacioni dhe vazhdimisht të jemi vendi që eksporton para të gatshme, qoftë të taksapaguesve, qoftë paratë e buxhetit dhe po ashtu remitencat – paratë që vinë nga diaspora”, thotë Shahini.

Ndërkohë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë pati thënë se me një fokus më të madh në sektorin ekonomik, Kosova mund të arrijë një rritje ekonomike prej 6 deri në 7 për qind, e cila brenda një periudhe të shkurtër kohore do të mund të adresonte dy nga problemet me të cilat përballet vendi, siç është papunësia dhe deficiti i lartë tregtar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...