Bekim Brestovci: Ja plani im për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës

Ekonomi

Bekim Brestovci: Ja plani im për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 15:18
Bekim Brestovci

Ai ishte larguar në vitin 1993 si i përndjekur politik nga Kosova, por kontributin e tij për vendin nuk e ndaloi asnjëherë. Pas 26 vitesh, sot Bekim Brestovci është një nga afaristët më të suksesshëm shqiptar dhe është kthyer në Kosovë për të vijuar ëndrrën për të cilin kishte punuar.

Brestovci, që është pjesë e Nismës, është në listën për deputetë të koalicionit që partia e tij e ka me AKR-në dhe Partinë e Drejtësisë. Ai është kthyer së bashku me familjen para më shumë se një viti . Mirëpo, kërkon që përvojën dhe përpjekjet e tij në ekonomi të institucionalizohen.

Kontributi i Brestovcit për Kosovën ka të bëjë me Fondin 3% si dhe me atë “Vendlindja thërret” si dhe me organizimin e protestave dhe demonstratave në vendet perëndimore në mënyrë që zëri i shqiptarëve për mëvetësi të dëgjohet.

Ndërsa, pas shkollimit adekuat, në vitin 2004 Brestovci arrin të blejë ndërmarrjen e parë që ishte themeluar në vitin 1972 dhe pastaj biznesin e tij ta zgjeronte duke krijuar edhe 10 ndërmarrje të tjera më rreth 1300 të punësuar.

Në intervistën “Kandidatët” për Kp, Brestovci tha se kërkon të zgjidhet deputet për të përfaqësuar vullnetin e qytetarëve dhe për të ndihmuar bizneset të implementojnë forma të reja të biznesbëries në Kosovë.

Brestovci: Si deputet do të përfaqësoj vullnetin e qytetarëve

“Deputetin e shoh si një menaxher të vullnetit të qytetarëve do të thotë puna ime do konsistojë në menaxhimin më të mirë të mundshëm të një vullneti qytetar. Natyrisht kërkoj gjithherë që qytetarët ta gjejnë formën e duhur për ta artikuluar vullnetin e tyre dhe për ta transmetuar deri tek të zgjedhurit e tyre. Mirëpo ajo çfarë mund të premtoj është se do të mbetem vetëm menaxhues i vullnetit të qytetarit edhe gjatë mandatit tim si deputet nuk do të merrem me asnjë çështje tjetër. Unë në Kosovë nuk kam ardhur për të zhvilluar biznes vetanak, kam ardhur për t’i ndihmuar bizneseve të tjera, për të sjellë formate të tjera të biznesbëries në Kosovë, mirëpo individualisht më nuk e kam çështje jetësore të merrem me biznes, kështu që tërë kohën time do ja kushtoj krejt mandatin vetëm të jem menaxher i mirë i vullnetit të qytetarëve dhe t’i përfaqësoj interesat e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Premtoj që do të jem një profil shamë më ndryshe i një politikani se sa profilet që jemi mësuar t’i kemi parë në skenën politike e të tjerat mbeten me u pa si rezultat i punës sime”, deklaroi ai.

Brestovci thotë se falë përvojës së tij, ndikimi i tij i drejtpërdrejt do të jetë në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Ai propozon një model të ri që ka të bëjë me krijimin e zonave industriale nga bizneset e diasporës shqiptare ku pastaj do të participojë edhe kapitali i huaj.

Po ashtu, Brestovci thotë se do të punojë që tregu për prodhimet vendore të zgjerohet në të gjithë Evropën e në veçanti të jenë pjesë e tregut gjerman.

Brestovci: Ja formati që garanton zhvillimin ekonomik

“Nga përvoja ime, nga përgatitja ime profesionale do ndikoj besoj fuqishëm në një zhvillim ekonomik të përshpejtuar, po them vetëm një format të cilin veç jam në avancim e sipër e që ka të bëjë me krijimin e zonave industriale nga bizneset e diasporës shqiptare ku pastaj do participon edhe kapitali i huaj përveç shqiptar, është një format i mirë dhe shumë premtues që do të ketë ngritje të shpejtë në drejtim të zhvillimit ekonomik, krijimi të vendeve të reja të punës sepse modeli i tillë do të mund të multiplikohet edhe në shumë e shumë komuna të tjera së shpejti. Do të thotë ndikimi im i drejtpërdrejt do të jetë në zhvillimin ekonomik, në hapjen e vendeve të reja të punës. Pastaj do e shfrytëzoj mundësinë time, përvojën time por edhe kontaktet e mia që i kam në diasporën dhe me shumë e shumë pjesëtarë të komunitetit që jetojnë në shtete të ndryshme në Evropë që prodhimet tona vendore të kenë një qasje shumë ma të shpejtë dhe më të drejtpërdrejtë në tregun ndërkombëtar paraprakisht në tregun gjerman”, tha ndër të tjera ai.

Te rinjtë janë padyshim pjesë e planeve të Brestovcit. Ai thotë se rinia duhet të orientohet drejt shkollimit profesional, një projekt mbi të cilin ai thotë se është duke punuar prej dy vitesh.

Brestovci deklaroi se shumica e të rinjve të papunë kanë të mbaruar studime në drejtimet në të cilat janë mbipopulluar. Ai i sheh shkollat profesionale si mundësi për uljen e numrit të papunëve në mesin e të rinjve.

Brestovci: Plani im për të rinjtë

“Një fokus të veçantë do e kem edhe në krijimin e mundësive për shkollimin e profesionaleve dhe kam dy vite vetëm që kam punuar në këtë drejtim dhe deri më tani kemi arritur që një numër të caktuar të të rinjve ta sjellim për shkollim profesional 3-vjeçar në Gjermani mirëpo këtë do e multiplikojmë edhe do insistoj tejmase që të kemi shkolla profesionale të profileve të ndryshme në Kosovë sepse unë mendoj që ne rininë tonë duhet ta aftësojmë duke e profesionalizuar për jetën. Ne e kemi një papunësi numerikisht shumë të madhe, por në anën tjetër nëse sot do të intervistojmë disa të rinj në kryeqytet se cilën punë dinë ta bëjnë shumica e të papunëve nuk janë të zotët ta ushtrojnë ndonjë punë sepse kanë kryer një fakultet i cili ka prodhuar ndoshta numerikisht më tepër kuadro sesa që ka nevojë shteti, kështu që presupozoj që ne do ta kemi orientimin shumë nga profesionalizimi i të rinjve, nga shkollat profesionale të cilat njëkohësisht do të kontribuonin shumë në zhdukjen ose uljen e papunësisë”, tha Brestovci.

Bekim Brestovci kandidon në listën për deputetë të koalicionit Nisma-AKR-PD me numrin 16.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat