Denis Gafuri zbulon detaje nga konventa e dytë për menaxherët e shitjet

Ekonomi

Denis Gafuri zbulon detaje nga konventa e dytë për menaxherët e shitjet

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 13:26
Denis Gafurin

Për të dytin vit me radhë, trajneri për shitje dhe motivim Denis Gafuri do të organizojë konventën për menaxherët e shitjet e cila është quajtur “Suksesi është qëllimi yt”.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të konventës së parë që u mbajt vitin e kaluar,

këtë vit në formë edhe më madhështore po organizohet konventa e dytë.

Për të kuptuar më shumë rreth ngjarjes më interesante në fushën e biznesit që do të mbahet në vend, kp  zhvilloi një intervistë me Denis Gafurin.

Gafuri, autor i shumë shkrimeve dhe folës frymëzues me përvojë shumëvjeçare në shitje dhe marketing, fillimisht u ndal në suksesin që pati konventa e vitit të kaluar.

Ai tha se vitin e kaluar morën pjesë 340 pjesëmarrës nga i gjithë vendi dhe rajoni dhe u ndihmoi të gjithëve në fitimin e njohurive të reja dhe në zhvillimin e bashkëpunimeve dhe pozitive me njëri-tjetrin.

Këtë vit, pjesëmarrja do të jetë më e madhe dhe në një ambient tjetër dhe më komod ku nuk do të mungojnë as befasitë.

Kjo konventë, sipas Gafurit, paraqet një mundësi ideale për vetpërmirësim duke marrë parasysh që një organizim i tillë është më se i nevojshëm për menaxherët e shitjes, të marketingut, resurseve humane, drejtorët ekezekutivë, sipërmarrësit dhe pronarët e kompanive, punonjësit e nivelit të lartë dhe të mesëm, profesionistët e udhëheqësit e ekipeve.

Ai tha se folësit do të jenë nga Zvicra, Sllovenia, Shqipëria dhe Maqedonia si dhe shumë ndërmarrës e ekspertë të tjerë të suksesshëm vendorë të cilët do të jenë të pranishëm për të shpalosur eksperienca dhe për të shfaqur modelet e suksesit të tyre.

Gafuri: Këtë vit, konferenca për menaxherët e shitjes edhe më e madhe

Video

“Konventa ka me qenë më së pari më e madhe, ka me qenë hoteli më i mirë, ka me pas shërbimin më të mirë, spikerët kanë me qenë jashtëzkaonisht të mirë të cilët do të vijnë prej shteteve të ndryshme, prej Sllovenisë, prej Shqipërisë, prej Kosovës ku do të ndajnë eksperiencat e tyre dhe për me mund të ndihmojnë bizneseve, ndërmarrësve edhe ata të gjithë që mendojnë të hyjnë në biznes që t’i kalojnë sfidat në mënyrë më të lehtë, mos t’i përsërisin ato gabime që vetëm ata i kanë pasur më herët në jetën e tyre në biznes për biznes”, u shpreh Gafuri.

Përpos vet Gafurit, pjesëmarrësi do të kenë mundësi të mësojnë shumë nga përvoja e folësve të tjerë si Bruno Augustoni , Jordan Berginc, Mirela Sulo, Shaip Bytyçi, Eglent Bici, Fatmir Zymberi, Tamer Ibrahimi, Alketa Vejsiu, Ermal Mamaqi, Ardian Hoxha dhe Diola Dosti të cilët janë pjesë e kësaj konvente.

Temat që do të shtjellohen janë personalizimi, kreativiteti, eksporti, empatia në shitje, service design in sales, menaxhimi i stresit, menaxhimin e kohës, tregimet e suksesit në praktikë të disa folësve dhe shumë tema të tjera.

Sipas Gafurit, në këtë konventë do të ketë sfida e diskutime bashkëpunuese të cilat do të ndikojnë në krijimin e një baze dhe themelimin e një ideje që garanton suksesin e pjesëmarrësve në të ardhmen.

Gafuri: Do të ketë tema të jashtëzakonshme

Video

“Gjëja e parë që ka me qenë është qasja, mënyra e komunikimit, ka me fol për marketingun, ka mu fol për menaxhim të shitjeve, ka me u fol për ndarje të eksperiencave me ndërmarrës të jashtëzakonshëm, kemi me fol për menaxhim të kohës që na ngatërron punë shumë shpesh duke u marrë me gjëra të vogla dhe ne nuk mund t’i japim rezultat të mirë në punë. Ka me pas tema të jashtëzakonshme, të mira, kështu që ata që vijnë kanë me i gëzu ato”, vijoi ai.

Për shkak të rëndësisë që ka kjo konventë për bizneset, një biletë për të qenë pjesëmarrës është shndërruar edhe si një mundësi për t’ia bërë dhuratë partnerit në biznes.

Vet Gafuri deklaroi se nuk e kishte hasur më parë këtë dukuri, porse ishte një gjë e bukur pasi me këtë rast, partneri e kupton që ju dëshironi ta ndihmoni që ai të rritet në afarizëm.

Sipas tij, kjo konventë nuk do të jetë vetëm mundësi për të mësuar, por edhe për rrjetizim dhe do të krijojë shumë kontakte të reja mes bizneseve pjesëmarrëse.

Gafuri: Kompanitë kërkojnë bleta për partnerët me të cilët bashkëpunojnë

Video

“Është një dukuri shumë interesante dhe e mrekullueshme që më ka lënë përshtypje shumë që po lypin kompanitë përveç pjesëmarrjes me stafin e tyre, por kërkojnë bileta të veçanta me iu dediku partnerëve të tyre që bashkëpunojnë me ta. A ka dhuratë më të madhe se ma i dhënë dikujt si dhuratë për me marrë pjesë në një konventë të tillë, ku ai do ta kuptojë që partneri po mendon për ta që ai të përmirësohet, të rritet me afarizëm, të jap shërbime më të mirë për klientin. Është një gjë që nuk ka ndodhur shumë deri tash dhe ia vlen mu përmend”, tha ai.

Konventa e dytë për menaxherë të shitjes “Suksesi është qëllimi yt” mbahet më datë 1 nëntor në Hotel Venus në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat