Panairi “Agrokos” një mundësi e mirë për prodhuesit - Bota Sot
Panairi “Agrokos” një mundësi e mirë për prodhuesit

Ekonomi

Panairi “Agrokos” një mundësi e mirë për prodhuesit

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 13:43
Panairi “Agrokos”

Në Panairin ndërkombëtar të agrobiznesit, ushqimit dhe pijeve “Agrokos”, në të cilin po marrin pjesë mbi 100 kompani nga vendi, rajoni dhe më gjerë, përfaqësuesit e kompanive presin të arrijnë marrëveshje për bashkëpunim me partnerë të ndryshëm për zgjerimin e bizneseve në tregun vendës dhe të huaj.

Bekim Xhafa nga CEO theksoi rëndësinë e panairit për promovimin e produkteve dhe për shkëmbimin e kontakteve me partnerë.

Xhafa veçoi se në këtë panair, produktet nga Shqipëria nuk mungojnë asnjë herë, derisa edhe në panairin e ardhshëm do të jenë të pranishme edhe bizneset nga Greqia.     

Xhafa: Panairi më rëndësi të veçantë për bizneset

“Ndjehem vërtet mirë (me organizimin e panaireve) qe 19 vjet dhe për vitin 2020 ne patëm edhe një bisedë me përfaqësuesen e re nga Ambasada greke dhe u dakorduam që pas panairit të ulemi dhe të planifikojmë që pjesëmarrës në vitin 2020 të jenë edhe kompani nga Greqia, sepse ka potencial dhe janë shumë kompani greke, të cilat bashkëpunojnë në Kosovë dhe ne vetëm duhet t’i zyrtarizojmë”, deklaroi Xhafa. 

Përfaqësuesja e Odës së Afarizmit të Kosovës, Qëndresa Ibrahimi tha se panairi është një ngjarje me rëndësi për zgjerim të biznesit dhe krijimin e kontakteve me partnerët e tyre.  Ajo ka ftuar institucionet e Kosovës që t’i japin prioritet sektorit të bujqësisë, pasi që është shtytës i zhvillimit ekonomik.

Ibrahimi: Të përkrahet më tepër sektori i bujqësisë

“Ne si OAK e kemi theksuar vazhdimisht që bujqësia është ndër sektorët më me potencial të zhvillimit të vendit, andaj ne bëjmë thirrje që të përkrahet më tepër ky sektor, në mënyrë që produktet tona të jenë më cilësore dhe të kenë mundësi për të eksportuar jashtë vendit, duke marrë parasysh që përfaqësojnë biznese mjaft të mira, të cilat kanë potencial shumë të lartë”, theksoi Ibrahimi.

Po ashtu edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Federatës së Bosnjës, Emir Pashiq, theksoi se në këtë panair po marrin pjesë 17 kompani nga ky shtet dhe iu dëshiroi arritjen e marrëveshjeve në ditët në vijim. Ai tha se delegacioni i BeH, për herë të katërt radhazi qëndron në Prishtinë.

Pashiq: Sjellim liderët e industrisë së BeH

“Sjellim liderët e industrisë së BeH, këtë vit janë përfaqësuesit e Holding, Bimal, i cili grup udhëheq 17 kompani. Biznesmenëve iu dëshiroj arritjen e marrëveshjeve në ditët e ardhshme”, theksoi Pashiq.

Gëzim Selim nga kompania industria e mishit “Kalabria”, theksoi se në këtë panair presin interesim më të madh të qytetarëve për produktet vendore, veçanërisht për ato të mishit. Ai tha se mbulojnë 36 për qind të tregut të Kosovës me produkte të mishit me brendin “Natura”, ndërsa shprehin interesim edhe për tregun e BE-së. 

Selimi: Qytetarët të vijnë t’i shijojnë produktet tona dhe të binden për kualitet

“Presim nga ky panair që organizohet nga CEO interesim më të madh të qytetarë të Kosovës që t’i provojnë produktet tona dhe ta dinë që edhe këto prodhohet me kualitet. I kemi aktualisht mbi 30 produkte që distribuojmë në tregun e Kosovë, shprehim interesim edhe për tregjet e regjionit që shumë shpejt të fillojmë, por edhe në Evropë. Ne i përmbushim kriteret për të eksportuar në Evropë, por aktualisht shteti i Kosovës nuk po mund t’i përmbushë disa kritere të BE-së për të  eksportuar produktet e mishit”, tha Selimi.

Në këtë panair ishte edhe kompania “Eurofruti”, e cila merret me grumbullimin e frutave të malit dhe ato kultivuara, që bënë procesimin, ngrirjen, paketimin dhe i tregton jashtë, në shtete e Evropës.

Milot Bislimi nga kjo kompani, pret që në këtë panair të arrijë marrëveshje me partnerë të ndryshëm nga vendi dhe jashtë.

Bislimi: Jemi eksportues në vendet e BE-së

“Ne merremi me grumbullimin e frutave të malit dhe ato të kultivuara, bëjmë procesimin e tyre, ngrirjen, paketimin dhe I tregtojmë jashtë, në shtete e Evropës, siç është Gjermania, Zvicra, Austria e kështu me radhë. Pra, kemi mjedrën e kultivuar, dredhëzën, manaferrën, pastaj ato të malit, boronicën, manaferrën e malit, kaça”, tha Bislimi.

E veçantë në këtë panair ishte edhe një kompani tjetër vendore, e cila prezanton kungullin për përpunime të ndryshme, si dhe farën pa lëvozhgë e papjekur vetëm e terur dhe natyrale, farë kjo e kungullit e siguruar në Austri.

Përfaqësuesi i kompanisë ‘Agro-shala”, Fatmir Shala, tha se qe pesë vjet merren me këtë veprimtari bujqësore dhe produktet e saja eksportohen në vendet e ndryshme.

Shala: Prezantojmë farën e kungullit pa lëvozhgë

“Në panair prezantoj produktet vendore, kungullin, që shfrytëzojmë farën e kungullit për përpunime të ndryshme, për farë të freskët, për prodhim të vajit, për gjalpë dhe prodhime të tjera të ndryshme. Nga panairi presim për informim të pjesëmarrësve me produktet tonë të cilat i posedojmë. Posedojmë farën e kungullit pa lëvozhgë, është farë organike, e pa trajtuar e kultivuar në Kosovë”, theksoi Shala.

Në panairin e edicionit 19-të po marrin pjesë biznese nga Shqipëria, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia dhe shtete të tjera. Panairi do të jetë i hapur deri më 25 tetor në sallën “1 Tetori”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat