Raporti i Bankës Botërore: Kosova vazhdon me procesin e reformave lidhur me përmirësimin e mjedisit afarist - Bota Sot
Raporti i Bankës Botërore: Kosova vazhdon me procesin e reformave lidhur me përmirësimin e mjedisit afarist

Ekonomi

Raporti i Bankës Botërore: Kosova vazhdon me procesin e reformave lidhur me përmirësimin e mjedisit afarist

Më: 24 tetor 2019 Në ora: 15:53
Foto

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë të ditur se Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2020, i publikuar sot, konfirmon progresin gradual dhe të qëndrueshëm të Kosovës drejt krijimit të një klime të favorshme për biznes dhe tërheqje të investimeve në vendin tonë.

Progres i veçantë është shënuar fushën e mbrojtjes së investitorëve të vegjël, trajtimi i lejeve të ndërtimit, sigurimi i energjisë elektrike dhe zbatim i kontratave për shkak të aprovimit të ligjit të ri për ndërmjetësim.

Sipas MTI-së, progresi në këto fusha ka bërë që Kosova të njihet nga Banka Botërore si njëra nga 20 shtetet më të reformuara në Raportin e të Bërit Biznes 2020.

Megjithëse, në raportin për vitin 2020, Kosova ka shënuar një rënie në rangim në pozitën 57-të (nga pozita 44 sa ishte në vitin 2019), dallimi në rangim mes këtyre dy viteve nuk është plotësisht i krahasueshëm për shkak të ndryshimeve metodologjike dhe ndryshimit të të dhënave, që është bërë në mënyrë retroaktive nga Banka Botërore për disa vite.

Progresi i bërë nga Kosova është evident nga analizimi i të dhënave nga raporti që tregojnë se Kosova ka shënuar një përmirësim prej plus (+) 2.2 % në lehtësinë e të bërit biznes dhe ka pasur progres në 7 indikatorë nga 10 sa janë gjithsej. 

Sa i përket dy indikatorëve që mbikëqyren drejtpërdrejtë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, indikatorët Fillimi i një Biznesi dhe Mbrojtja e Investitorëve të Vegjël, në rastin e Fillimit të një Biznesi ka pasur përmirësim për 0.2%, ndërsa për Mbrojtjen e Investitorëve të Vegjël ka pasur përmirësim për 8%.

Siç është cekur tashmë, ndryshimet në rangim nga viti 2019 në vitin 2020 nuk janë plotësisht të krahasueshme për shkak të ndryshimeve metodologjike të bëra nga Banka Botërore, të cilat e prekin në veçanti indikatorin Mbrojtja e Investitorëve të Vegjël.

Ndryshe, Raporti për të Bërit Biznes 2020 vlerëson lehtësinë e të bërit biznes në 190 shtete.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat