Balaj: 140 persona të punësuar me kontrata mbi vepër, nuk janë më në PTK - Bota Sot
Balaj: 140 persona të punësuar me kontrata mbi vepër, nuk janë më në PTK

Ekonomi

Balaj: 140 persona të punësuar me kontrata mbi vepër, nuk janë më në PTK

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 00:32
Lami Balaj

Lami Balaj, në Interaktiv ka folur edhe për pakënaqësitë e punëtorëve në lidhje me Ligjin për Paga.

Ai ka treguar se kanë marrë sinjale nga ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, që thotë se Ligji për Paga nuk duhet të zbatohet për pagat e punëtorëve të Telekomit.

“Ne kemi qenë kundër prej fillimit që të futemi në këtë ligj. Arsyeja pse nuk duhet të jemi pjesë e Ligjit për Paga është se jemi kompani me konkurrencë në treg. Dhe sot, neve na kalon konkurrenca me paga”, ka thënë Balaj. “Nëse ne duam që të jemi në hap me konkurrencën duhet të kemi parasysh se pjesa më e madhe e inxhinierëve dhe ekspertëve do të kalojnë te konkurrenca”, ka thënë ai më tej.

Balaj ka thënë se Ndërmarrjet Publike vetfinancuese nuk duhet të hyjnë në këtë Ligj për Paga.

“Përjashtimin e PTK-së nga Ligji për Paga duhet ta bëjë ministri Mahir Yagcilar, që duhet të ulet bashkë me akterët e tjerë dhe të vendosë për një gjë të tillë”, ka thënë Balaj.

Tutje Balaj ka treguar se rreth 140 kontrata mbi vepër të nënshkruara me punëtorë në muajt e fundit janë shkëputur në dy javët e fundit.

“Janë shkëputur kontratat mbi vepër. Mua më ka ardhur keq kur kanë ardhur, sepse e kam ditur se çfarë do të ndodhë me ta. Por para 2 javësh janë shkëputur kontratat e rreth 140 personave”, ka thënë ai.

Ai nuk ka pranuar që të flasë me emra të personave që u janë shkëputur kontratat, por ka thënë se është fjala për punëtorë të ardhur në muajt e fundit.

“Unë nuk mund të flasë se janë emra të familjarëve të politikanëve a kush janë. Ne në fakt prej medieve i kemi mësuar emrat edhe të atyre kur janë pranuar. Është vendim i Bordit që të shkëputen kontratat dhe ashtu ka ndodhur”, ka thënë Balaj.

Balaj ka thënë se ata janë pranuar në punë me kontrata mbi vepër për shkak të kampanjave që i ka pas Vala.

“Ka përfunduar kampanja dhe ka përfunduar edhe kontrata e tyre. Ka qenë kampanjë pranverore e verore, e kjo ka qenë arsyeja që janë marrë këta persona në atë kohë. Ata që i kanë marrë në punë duhet të japin llogari për ta”, ka thënë Balaj.

Duke folur për largimin e Demir Limaj, ai ka thënë se ai është dashur të zgjedhë nëse do të jetë ligjërues apo drejtor.

Ai tutje ka shtuar se janë duke monitoruar gjendjen nëse ka shkarkime jo të duhura.

“Ne kemi pasur bisedime me kryeshefin ekzekutiv për emërimet dhe konkurset, sepse jemi duke e monitoruar”, ka thënë ai.

I pyetur për punësime pa konkurs, Balaj ka thënë se që nga viti 2008 nuk ka konkurs në Telekom.

“Ne kemi qenë shumë të ngarkuar sepse 3 vitet e fundit Telekomi është sulmuar padrejtësisht. Unë kam thënë se duhet të hetohet secili punëtor në Telekom. Mirëpo punëtorët nuk kanë faj. Çka ka faj një punëtor për një marrëveshje të dëmshme. Çka kanë faj punëtorët që kanë ardhur kryeshefat politik ose që kanë dalë milionat nga Telekomi. Duhet me pa shteti çka ka ndodhë”, ka thënë ai.

Balaj ka thënë se nuk ka parti politike në Kosovë që nuk është e informuar për Telekomin e Kosovës.

“Ajo çfarë më ka bërë të ndihem mirë, është komisioni hetimor për Telekomin dhe kanë qenë të zëshëm për kontratat e dëmshme”, ka shtuar ai.

Ai tutje ka shtuar çështja e privatizimit është e mbyllur.

“Telekomi prej një kompanie me vlerë miliardshe i ka rënë vlera. Kanë ikur shumë kompani, kemi pasur telashe edhe me kontraktor sepse kanë pasur frikë nga privatizimi. Telekomi nuk falimenton sepse është ndërmarrje që është e lidhur me të gjitha institucionet”, ka thënë ai.

Sipas tij ndërprerja e kontratës i jep mundësi Telekomit të rikthehet në treg.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat