Prezantohen potencialet ekonomike të Kosovës në shtetin amerikan të Minnesotas - Bota Sot
Prezantohen potencialet ekonomike të Kosovës në shtetin amerikan të Minnesotas

Ekonomi

Prezantohen potencialet ekonomike të Kosovës në shtetin amerikan të Minnesotas

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 10:39
Foto

Me synim të promovimit të potencialeve për investime në Kosovë, lidershipi i Odës Ekonomike Amerikane ka zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet ekonomike dhe tregtare, me odat lokale ekonomike, si dhe bizneset nga shteti amerikan i Minnesotas.

Në kuadër të kësaj vizite, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane janë pritur nga Departamenti Ekonomik i Minnesotas, Zyra Tregtare e Minnesotas, Oda Ekonomike e Qytetit të Saint Paul-it, Oda Ekonomike e Shtetit të Minnesotas, por edhe nga kompani individuale, përfshirë edhe kompaninë e fuqishme inovative "3M".

Delegacioni i Odës Ekonomike Amerikane ka folur për të arriturat e Kosovës përgjatë 11 viteve si shtet, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin e stabilitetit të përgjithshëm, duke theksuar nevojën e investimeve amerikane jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin.

“Kosova është prezantuar si një shtet nga i cili kompanitë prodhuese amerikane të cilat do të vendoseshin në Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane do të mund të eksportonin produktet e tyre lehtazi në tregun evropian dhe më gjerë në ato shtete me të cilat Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë”, thuhet në komunikatën e Odës.

Ne anën tjetër, Kosova mund të mësojë shumë nga shtetet amerikane, siç është rasti me Minnesotan, e cila duke promovuar një program lehtësirash për investitorët ka arritur të ketë një prani të madhe të kompanive nga lista "Fortune 500" e bizneseve më të fuqishme.

Oda Amerikane ka ftuar për vizitë në Kosovë delegacione tregtare nga shteti i Minnesotas, të cilat do të mund të njoftoheshin nga afër me potencialet ekonomike të shtetit më të ri evropian.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat