OAK shpreh shqetësim për rritjen e tarifave nga bankat komerciale

Ekonomi

OAK shpreh shqetësim për rritjen e tarifave nga bankat komerciale

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 14:49
OAK shpreh shqetësim për rritjen e tarifave nga bankat komerciale

Kamata prej pesë për qind për kthimin e parave të imëta, tarifat e larta të bankave komerciale për deponimin e të hollave, numri i ulët i bankomateve dhe degëve të bankave, provizionet e POS-ave dhe mundësia kufizuar e deponimit të parave kesh në ATM, ishin disa nga çështjet e ngritura në takimin e Odës së Afarizmit të Kosovës me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi falënderoi guvernatorin Mehmeti për takimin duke shprehur gatishmëri për informimin lidhur me problemet që po ballafaqohen bizneset me bankat komerciale në vend, shqetësime këto të cilat OAK i ka pranuar nga bizneset anëtare.

Çështja e përmendur në takimin e kaluar rreth tarifës prej 5-8% për kthimin e parave të imëta në të letrës është adresuar përsëri për shkak të kërkesës së madhe të bizneseve për uljen e kësaj tarife dhe si pasojë e mos marrjes së ndonjë përgjigje nga ana e BQK për këtë kamatë. 

Krasniqi theksoi se është shumë e rëndësishme të krijohen politika të mira financiare në mënyrë që të përmirësohen kushtet e të bërit biznes në vend.

“OAK vlerëson që problemet e lartcekura të bizneseve në raport me bankat komerciale, dhe probleme të tjera të evidentuara të cilat do të përcillen me shkrim në BQK, jo vetëm që po shkaktojnë mosardhje të investitorëve të huaj, por po ndikojnë edhe në mos rritje të mirëqenies dhe mungesë të zhvillimit ekonomik”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat