Shpenzimet qeveritare për 9 muaj u rritën për 77 milionë euro

Ekonomi

Shpenzimet qeveritare për 9 muaj u rritën për 77 milionë euro

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 16:46
Mbledhja e Qeverisë

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozim-vendimin për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, raportin e Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet nëntëmujore dhe propozim-vendimi për rivarrimin e dëshmorëve të kombit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, vlerësoi se me këtë mbledhje sigurohet funksionimi i institucioneve në aspektin buxhetor dhe siguron vazhdimin e mbështetjes dhe përkujdesjes në veçanti për kategoritë sociale.

Haradinaj: Me këtë mbledhje sigurojmë funksionimin e institucioneve në aspektin buxhetor

“Si qeveri kujdestare kemi vendosur të mbajmë një mbledhje të qeverisë në detyrë për të siguruar funksionimin e institucioneve nga aspekti buxhetor. Mbledhja e sotme është e një rëndësie të veçantë pasi që me aprovimin e  propozimeve të sotme sigurojmë që pensionistët të mos mbeten pa pensione që veteranët dhe kategorisë tjera sociale të kenë në vazhdimësi përkujdesje. Po ashtu, kam pranuar edhe shumë kërkesë të tjera për pika të rendit të ditës, duke përfshirë edhe vendimet që kanë të bëjnë me investimet e huaja”, tha Haradinaj.

Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, duke arsyetuar propozim-vendimin tha se janë evidentuar mbi 31 milionë e 217 mijë euro të kursyera nga organizatat buxhetore dhe se ato do të shpërndahen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Brendshme përkatësisht të policisë në vlerë prej 4 milionë e 185 mijë euro për blerje e pajisje që janë të nevojshme për policinë e Kosovës.

Hamza  foli edhe për raportin që evidenton se në këtë periudhë, janar - shtator janë realizuar të hyra të përgjithshme në vlerë prej 1 miliard e 676 milionë euro, ndërsa shpenzimet janë në vlerë 1 miliard e 407 milionë euro, sipas të cilit ka rritje të shpenzimeve.

Hamza: Shpenzimet për këtë vit janë rritur për 77 milionë euro

“Gjithsej, pranimet gjatë nëntëmujorin arritën vlerën 1 miliard e 676 milionë euro me një rritje prej 167 milionë apo 11 për qind më shumë krahasuar me periudhën e vitit paraprak. Gjithsej, pagesat kanë arritur në 1 miliard e 407 milionë me një rritje prej 5.8 për qind apo 77 milionë euro krahasuar me periudhën raportuese si rezultat i rritjes së shpenzimeve buxhetore”, theksoi Hamza. 

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për rivarrimin e dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Velani.

Qeveria në detyrë ka ndarë mjete në vlerë prej 42 mijë euro, për angazhimin e ekspertëve që do të punojnë në përfitimin e fondeve nga projektet MCC.

Kujtojmë që Qeveria në detyrë nuk ka mbajtur mbledhje që prej 26 korrikut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat