SEECP në Prishtinë, “Si të fuqizohet tregu dhe investimet në Evropën Juglindore”

Ekonomi

SEECP në Prishtinë, “Si të fuqizohet tregu dhe investimet në Evropën Juglindore”

Më: 16 dhjetor 2019 Në ora: 16:27
Foto nga takimi

Si udhëheqëse e radhës e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përkatësisht Departamenti për Bashkëpunim Rajonal, ka organizuar sot në Prishtinë konferencën e radhës me temën ”Si të forcohet tregu dhe investimet në Evropën Juglindore”.

Në këtë konferencë, e cila u organizua në bashkëpunim edhe me Odën Ekonomike të Kosovës, morën pjesë përfaqësues të odave ekonomike të vendeve të rajonit: Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria dhe Turqia.  Zëvendës ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në hapjen e kësaj konference potencoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si paraprirës në proceset integruese në Bashkimin Evropian.

“Përmirësimi i ambientit investues, ndarja e praktikave midis vendeve tona, përmirësimi i infrastrukturës, integriteti digjital, por edhe zbatimi i reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, janë disa nga temat të cilat do të ndikonin drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, tha Vuniqi. Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal, por edhe bashkëpunimin ndërmjet odave ekonomike të vendeve të rajonit si dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Në këtë konferencë panelistët në diskutimet e tyre shkëmbyen përvojat e tyre duke treguar edhe të dhëna lidhur me eksportet dhe investimet e huaja direkte në vendet që përfaqësojnë, si dhe renditën disa nga sfidat dhe barrierat me të cilat ballafaqohet rajoni ynë.

Domosdoshmëria e debateve publiko-private për rritje të investimeve të huaja direkte, lëvizja e lirë, stabiliteti politik, lufta kundër korrupsionit, janë disa nga sfidat me të cilat duhet të përballet rajoni në mënyrë që të krijojë një ambient më të sigurt ekonomik. 

Në anën tjetër pozita e favorshme gjeografike, korniza e mirë ligjore, popullsia e re në moshë, krijimi i parqeve të biznesit të cilët ofrojnë kushte të mira për investitorët në aspektin e infrastrukturës, por edhe energjisë, shihen si avantazhe për të rritur investimet e huaja direkte në rajon, në veçanti në  Kosovë. 

Në këtë kontekst disa nga çështje të cilat duhet të shikohen me prioritet janë fuqizimi i kompanive vendore, duke nxitur bashkëpunimin e tyre me kompanitë e mëdha ndërkombëtare, por edhe fokusimi në edukimin dhe kualifikimin e popullatës në aftësitë profesionale, si dhe krijimi i kushteve për nxitur prodhimin në vendet e rajonit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat