Mehmeti: Nga janari do të ulet numri i veturave të pasiguruara

Ekonomi

Mehmeti: Nga janari do të ulet numri i veturave të pasiguruara

Më: 24 dhjetor 2019 Në ora: 15:15
Fehmi Mehmeti

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti gjatë prezantimit të arriturave të kësaj banke ka prezantuar për herë të parë planin për zvogëlimin e automjeteve të pasiguruara ne treg.

Rritja ekonomike për vitin që po e lëmë pas ka shënuar normën 4.2 për qind. E njëjta normë parashihet të jetë edhe për vitin 2020.

Në konferencën për media të fundit për këtë vit, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti tha se BQK me aktivitetin e saj ka vazhduar të sigurojë një sistem financiar stabil dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik.

Guvernatori Mehmeti tha se këtë vit kanë shënuar rritje kreditë 10 për qind dhe depozitat me një rritje 16 për qind.

Duke folur për normat e interesit për kredi, guvernatori Mehmeti tha se ka rënë në 6.5 për qind.

“Sa i përket sektorit bankar, edhe këtë vit karakterizohet me një rritje të kreditimit, përmirësim të qasjes në financa dhe rritje të lartë të qëndrueshmërisë financiare. Në fund të vitit 2019, kreditë arritën 2.98 miliardë euro ose me një rritje vjetore prej 10 për qind. Rritja vjetore ose burim kryesor i financimit për aktivitetin bankar konsiderohen të jenë depozitat të cilat shënojnë vlerën 3.75 miliardë euro ose me një rritje prej 16 për qind. Norma e interesit ka vazhduar të bien në 6.5 për qind që krahasuar me një vit më herët ka qenë 6.6”, deklaroi Mehmeti.

Ndërsa, normal mesatare e inflacionit vendor, sipas tij, shënon 2.8% e që është dukshëm më e lartë me atë të një vitit më herët.

Mehmeti tha se me zhvillime pozitive gjithashtu karakterizohet edhe Fondi Pensional i Kosovës, vlera e aseteve të këtij fondi ka arritur 1.92 miliard euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 8 për qind përkatësisht kthimi pozitiv në vlerë 138 milionë euro.

Edhe sektori i sigurimeve këtë vit ka perforumuar me fitim pozitiv, Mehmeti përmendi edhe revokimin e licencës së një kompanie të sigurimit dhe rritjen e sigurimit për vetura.   

Mehmeti tha se kjo ngritje prek ata të cilët shkaktojnë dëme në aksidente, teksa shtoi se në vitin e ardhshëm do të ulet numri i automjeteve të pasiguruara.

"Është mirë që të interpretohet drejt çështja e këtyre tarifave për automjete luksoze, jo për automjete të transportit. Ajo çka jemi duke bërë ne tani, është se kjo rritje e tarifave i prek ata të cilët shkaktojnë dëme, për arsye se ne jemi duke draftuar rregulloren për ‘Bonus Malus’, do ta rrisim vlerën e saj dhe jam i sigurt se ata të cilët nuk shkaktojnë aksidente. Ideja e saj është që të zvogëlohet raporti prim dëm, dhe ideja është që ata të cilët nuk shkaktojnë dëme nuk do të paguajnë tarifën e lartë, përkundrazi do të paguajnë më pak se në të kaluarën”, tha ai.

Mehmeti ka përmendur edhe revokimin e licencave për një institucion mikrofinanicar dhe një institucioni tjetër financiar jo-bankar, për çka tha se kanë ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor ndaj Monego dhe IuteCredit.

“Para pak ditëve ne kemi revokuar licencat e dy institucioneve financiare, realisht një institucioni financiar dhe një institucioni financiar jo bankar që në këtë rast janë Monego dhe IuteCredit. Për arsye se këto institucione në vazhdimësi kanë aplikuar norma të lartë të interesit krahasuar në atë që kanë prezantuar në planin e biznesit. Kanë aplikuar norma të interesit tre shifrore dhe për këtë arsye BQK kemi marrë këtë vendim të revokimit të regjistrimit për këto institucione. Lidhur me këtë proces ne po vërejmë forma të ndryshme të presionit publik ndaj këtyre vendimeve, por dëshiroj të ritheksoj se BQK ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor”, deklaroi Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti tha se çdo destabilizim financiar shkakton edhe rrezik në sigurinë kombëtare.

Ndërsa zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, tha se janë gënjeshtra pretendimet për prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Estoninë.

Gjithashtu, në kuadër të konferencës janë ndarë edhe çmimet për “Ekonomisti i ri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat