Kjo nuk është normale, qytetari që mori 430 euro hua në ‘Iute Credit’ detyrohet t’i paguajë mbi 1 mijë euro

Ekonomi

Kjo nuk është normale, qytetari që mori 430 euro hua në ‘Iute Credit’ detyrohet t’i paguajë mbi 1 mijë euro

Më: 26 dhjetor 2019 Në ora: 23:37
‘Iute Credit’

Pas publikimit të një serie shkrimesh për rritjen e kamatave jashtë normales që ‘Iute Credit’ ka aplikuar te hallegjinjtë, shumë qytetarë po rrëfejnë telashet që kanë pasur me këtë institucion mikrofinanciar.

I.L nga Podujeva po detyrohet t’i kthejë mbi 1 mijë euro për 430 euro sa kishte marrë hua.

Sipas dokumenteve të këtij qytetarit dhënë Sinjali, I.L është dashur që për 430 euro hua të paguajë shumën prej 597.70 euro brenda tetë muajve. Por, pasi ky qytetar nuk i ka paguar me kohë këstet e huasë, atëherë borxhi i është dyfishuar.

Në letrën që ia ka dërguar ‘Iute Credit’, qytetari obligohet ta shlyej obligimin financiar në shumën prej 951 euro. Dhe në rast se nuk i paguan brenda pesë ditësh do të dërgohet te përmbaruesi, ku shpenzimet e procedurës përmbarimore (minimum 100 euro), do t’i shtohen borxhit të përgjithshëm të qytetarit.

“Unë kam marrë 430 euro, por pas tre muajsh me ka ardhë që t’i paguaj 1,051 euro. Më kanë dërguar te përmbaruesi dhe ma kanë prishur historinë”, rrëfen I.L.

Pas kësaj, qytetari ka arritur marrëveshje me përmbaruesin që t’i paguajë këstet çdo muaj, dhe borxhi i tij është 771.51 euro.

“Iute Credit” në bazë të planit të propozuar të biznesit, ishte autorizuar nga BQK që në tri vjetët e para të operimit (2017,2018,2019) të zbatonte normën efektive të interesit deri në 34%. Ndërsa në praktikë kishte vepruar ndryshe duke zbatuar norma efektive të interesit nga 70.04% deri në 112.90% ose me një mesatare prej 82.11%.

Kujtojmë se ditë më parë Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që t’i mbyllë ‘Iute Credit’ dhe ‘Monegon’.

Ky vendim ka ardhur pasi dy institucionet që operonin në Kosovë kanë shkelur vazhdimisht rregullat e operimit.

Ndërsa, qytetarët që kanë mbetur pa i kryer kreditë e marra nga “Monego” dhe “Iute Credit ”, do të vazhdojnë t`i paguajnë këstet me kamatat e njëjta kundërligjore ndaj BQK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat