Kosova pa buxhet mund të përballet me trazira dhe dëme të mëdha në shoqëri dhe ekonomi - Bota Sot
Kosova pa buxhet mund të përballet me trazira dhe dëme të mëdha në shoqëri dhe ekonomi

Ekonomi

Kosova pa buxhet mund të përballet me trazira dhe dëme të mëdha në shoqëri dhe ekonomi

Më: 21 janar 2020 Në ora: 11:09
Foto ilustrim

Kriza politike në Kosovë si pasojë e vonesës në formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, nuk përjashton mundësinë që vendi të përballet me kolaps buxhetor për shkak të mosmiratimit të buxhetit të vitit 2020.

“Ngërçi” politik me të cilin po ballafaqohet shteti ynë tash e sa muaj, sipas këshilltarit të kryeministrit në dorëheqje, Haki Shatri, mund të çojë deri në trazira dhe dëme të mëdha në shoqëri dhe ekonomi.

Po kështu po mendojnë edhe ekspertë të ekonomisë të cilët shprehen se mosmiratimi i buxhetit në afatet e lejuara, është një fatkeqësi për vendin dhe për sektorin privat.

Këshilltari i kryeministrit në dorëheqje, Haki Shatri thotë për KosovaPress se nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 mars, gjysma e popullsisë në vend mbesin pa të ardhura.

Përveç kësaj, Shatri thotë se edhe investimet kapitale për vendin janë ndaluar që nga 1 janari i këtij viti dhe nuk mund të zhvillohet asnjë projekt kapital.

Shatri: Mosmiratimi i buxhetit mund të sjellë trazira dhe dëme ndaj vendit

“Me 31 mars mbyllet çdo mundësi e pagesave, edhe pagat edhe pensionet. E vetmja vijë që funksionon dhe nuk është e kufizuar me ligj, është borxhi i jashtëm. Pra, çdo pagesë, çdo veprim bllokohet, e mos të flasim për investimet kapitale që nuk ka drejtë as prej 1 janarit të procedohet pagesa për investime kapitale. Nëse janë 80 mijë nëpunës civil dhe mbi 100 mijë shfrytëzues të pensioneve dhe skemave sociale bëjnë 200 mijë, nëse kanë nga katër anëtarë të familjes, gati gjysma e popullsisë. Por janë edhe pasojat e tjera me kontratat për kryerjen e punimeve sepse bllokohen pagesat. Pastaj, drejtpërdrejt reflektohet edhe tek sektori privat. Trazira, pakënaqësi dhe dëme i bëhen vendit, kjo është me rëndësi”, deklaroi Shatri.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi thotë se mosmiratimi i buxhetit është një fatkeqësi për vendin dhe mund të krijojë efekte shumëdimensionale në fushën e ekonomisë.

Sipas Krasniqit, kriza buxhetore, shkakton pasoja të shumta për bizneset dhe shoqërinë në vend.

Krasniqi: Mosmiratimi i buxhetit shkakton pasoja edhe për bizneset

“Fatkeqësisht nuk është hera e parë, edhe viteve të kaluara kemi hyrë në vit të ri kalendarik pa buxhet të miratuar edhe pse kemi pasur qeveri. Pra, është një vazhdimësi e këtyre problemeve të njëjta. Në po presim nga qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë ta ketë në prioritet zhvillimin ekonomik dhe mirëqenin, e jo sikur deri më tani vetëm me fjalë zhvillimin e vendit. Presim që të kemi një bashkëpunim shumë më të madh me institucionet e Kosovës, por edhe realizim të premtimeve që institucionet e Kosovës i japin për bizneset”, thotë Krasniqi.

Edhe eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj pohon për KosovaPress se nëse deri në fund të marsit nuk ka institucione të reja dhe nuk votohet buxheti për të qeverisur gjatë vitit 2020, barra kryesore hë për hë bie mbi partinë e parë të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Mustafa thotë se Kosova po rrezikon drejt shkuarjes në një kolapsi buxhetor, ndërkohë që theksoi se vendi po e humb edhe në arenën ndërkombëtare.

Kadriaj: Kolapsi buxhetor rrezikon vendin edhe në nivelin ndërkombëtar

“VV-ja tani e tutje duhet të jetë më e përgjegjshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të cilat obligojnë. Të krijojnë institucionet dhe në këtë rast nuk duhet të humbim kohë, sepse çdo ditë e më shumë Kosova si shtet po e rrezikon, që mund të vijë deri te një kolaps i mundshëm buxhetor që mund të vijë deri të një bllokim i administratës. Duke vlerësuar nga aspekti ekonomik, Kosova edhe ashtu është jo mirë në performancë si nga ana e investimeve të huaja po ashtu edhe humbja e imazhit si shtet në nivel ndërkombëtar”, shprehet Kadriaj.

Këshilltari i kryeministrit në detyrë, Haki Shatri duke treguar se nuk kanë kompetenca të procedojë projektbuxhetin në Kuvend, thotë se është fat i mirë që draft buxheti për vitin 2020 është i përgatitur nga qeveria në dorëheqje dhe ka një përmbajtje e cila 80% nuk mund të ndryshojë nga cilado qeveri e re që vjen.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat