Mitrovica, shpenzon 98,32% të buxhetit komunal për vitin 2019

Ekonomi

Mitrovica, shpenzon 98,32% të buxhetit komunal për vitin 2019

Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e Komunës së Mitrovicës.

Fillimisht drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Shukri Gashi, ka njohur Ekzekutivin lidhur me raportin financiar janar- dhjetor 2019, ku sa i përket arkëtimit të të hyrave vetjake Komuna e Mitrovicës gjatë vitit 2019 ka arkëtuar 2,306,821.55 euro, duke arritur 93,61% të planifikimit për vitin 2019 (planifikimi ka qenë 2,464,403.00 euro), derisa ka shënuar rritje prej 13,08% në krahasim me vitin 2018. Sa i përket shpenzimit të buxhetit, Komuna e Mitrovicës ka arritur të shpenzonte 98,32% të buxhetit të gjithmbarshëm, kurse obligimet e papaguara të komunës në krahasim me vitin 2018 kanë pësuar rënie prej 47,54%.

Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, informoi të pranishmit për kujdestaritë e organizuara nga Drejtoria e Inspeksionit me datat 08.02.2020 dhe 09.02.2020, duke inspektuar subjektet afariste, lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës, me ç’ rast vendimi për të dielën të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.

Po ashtu drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Tafil Peci, prezantoi agjendën e aktiviteteve të cilat Komuna e Mitrovicës do t’i mbajë për nder të Festës së Pavarësisë së Kosovës, me ç’ rast do të dekorohet i gjithë qyteti me flamuj dhe më 14 shkurt 2020 duke filluar nga ora 17:00 do të shfaqet ekspozitë nga Fondi i Galerisë së Arteve të Mitrovicës, në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, pastaj në orën 18:00 do të bëhet shfaqja teatrore “Kur treni vonohet”, ndërsa më 17 shkurt, duke filluar nga ora 12:00 do të mbahet koncert për fëmijë në sheshin e qytetit, e në orën 13:00, Koncerti i Pavarësisë në sheshin e qytetit “Mehë Uka”.

Gjithashtu në këtë mbledhje përfaqësues nga kompania konsulente “INS” dhe zyrtarë të Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm kanë prezantuar draftin e Planit Zhvillimor Komunal për vitet 2019-2027, duke thënë se është plan strategjik multifunksional dhe dokumenti më i rëndësishëm ndërsektorial në nivel komune, i cili trason rrugën e zhvillimit ekonomik, social e infrastrukturor të komunës.

Në fund ata njoftuan se për Planin Zhvillimor Komunal janë mbajtur takime edhe me qytetarë, në mënyrë që ata të informohen rreth ecurisë së këtij plani, mendimet e tyre lidhur me nevojat, sfidat dhe prioritetet për ato vendbanime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat