Ministri Mustafa takoi drejtorin e Shoqatës së Sigurimeve Sami Mazreku

Ekonomi

Ministri Mustafa takoi drejtorin e Shoqatës së Sigurimeve Sami Mazreku

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 18:43
Pamje nga takimi

Sistemi i sigurimeve në sektorin e bujqësisë është një komponentë thelbësore për një sektor më konkurrues, më produktiv e më fitimprurës në Kosovë.

Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, gjatë takimit me drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, me të cilin kanë biseduar për rëndësinë e sistemit të sigurimeve në sektorin e bujqësisë dhe avancimin e këtij sistemi në vend.

“Sigurimi i prodhimtarisë bujqësore është segment shumë i rëndësishëm për ta zhvilluar dhe avancuar sektorin e bujqësisë edhe më tej dhe për ta bërë atë më konkurrues”, ka thënë ministri Mustafa.

Ai ka theksuar se një sistem i mirë i sigurimit bujqësor ndihmon padyshim edhe në rritjen e produktivitetit dhe profitabilitetit të fermerëve të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimev e të Kosovës, Sami Mazreku, theksoi rëndësinë e sigurimeve në sektorin e bujqësisë, duke vlerësuar tashmë edhe lansimin e sistemit të sigurimeve në Kosovë.

“Sistemi i sigurimeve në bujqësi ndikon edhe në forcimin e një mjedisi të përshtatshëm, duke rritur në këtë mënyrë edhe aftësitë teknike në zbutjen e rreziqeve që kërcënojnë këtë sektor”, ka thënë ai.

Ndryshe, në fillim të vitit 2019, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, kanë lansuar sistemin e sigurimeve bujqësore në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat