Për të përfituar nga pakoja, mijëra qytetarë regjistrohen si të papunë

Ekonomi

Për të përfituar nga pakoja, mijëra qytetarë regjistrohen si të papunë

Më: 20 prill 2020 Në ora: 19:34
Foto ilustrim

Mijëra qytetarë këto ditë u janë drejtuar zyrave të punësimit nëpër komunat e tyre për t’u regjistruar si të papunë. Këtë po e bëjnë me qëllim që të përfitojnë nga pakoja emergjente e Qeverisë, e cila parasheh 130 euro asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.

Por këtyre zyrave po u drejtohen edhe ata që kanë familjarë të punësuar.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Punësimit, Drin Haraçia, ka thënë se vetëm brenda 5 ditëve kanë futur në sistem mbi 6 mijë aplikacione të punëkërkuesve, ndërsa në pritje janë edhe mijëra aplikacione të tjera.

Në Kosovë deri në mesin e muajit mars kanë qenë mbi 75 mijë punëkërkues.

Por, regjistrimi si punëkërkues është vetëm njëri nga kriteret që duhet plotësuar për të përfituar nga kjo asistencë sociale.

Ministria e Financave më 16 prill ka marrë vendim për zbatimin e masës 15, që parashihet në pakon emergjente.

Aty, përveç tjerash, thuhet se aplikuesit do të nënshkruajnë një deklaratë në të cilën konfirmojnë se të dhënat janë të sakta dhe mund të verifikohen. Paralajmërohen edhe pasoja për ata që deklarojnë të pavërteta.

Qeveria më 30 mars ka aprovuar pakon emergjente fiskale në vlerë 179.6 milionë eurosh, e cila parashihet t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve të dëmtuar nga përhapja e pandemisë Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat