COVID19 afekton operacionet e bizneseve edhe në aspektin ligjor e tatimor

Ekonomi

COVID19 afekton operacionet e bizneseve edhe në aspektin ligjor e tatimor

Nga: Bota Sot Më: 23 prill 2020 Në ora: 13:52
Oda Ekonomike Amerikane
Mungesa e një sistemi digjital për gjyqësorin dhe raportimin e pasqyrave financiare, konfuzionet e ndryshme të shkaktuara nga vendimet e qeverisë, mungesa e likuiditetit që vështirëson pagesat e punonjësve si dhe të detyrimeve kreditore e të tjera, po rezultojnë në implikime të ndryshme ligjore dhe tatimore për bizneset, deri sa proporcioni i masave të marra me situatën e krijuar sidomos në aspektin ekonomik vazhdon të mbetet kritik. Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me ekspertët tatimor dhe ligjor Gresë Rexhepi dhe Ardi Shita, moderuar nga Visar Dobroshi.

Gresë Rexhepi, kryesuese e Komitetit Tatimor të Odës Amerikane dhe menaxhere e departamentit tatimor në PwC Kosovo i vlerësoi pozitivisht masat e marra nga Qeveria si përgjigjje ndaj COVID19 mbi shtyerjen e afatit të deklarimeve tatimore dhe obligimit për të i deklaruar pasqyrat financiare, mirëpo theksoi se kjo kohëzgjatje nuk është e mjaftueshme meqë kriza vetëm sa po thellohet. Sipas saj, vendet e rajonit duhet të merren parasysh në përpilim të vendimeve me ndikim në aspektin tatimor, sidomos për lirimin nga ndëshkimet dhe interesat në vonesat e pagesës tatimore nga bizneset. Gresa theksoi se ky ka qenë edhe një rekomandim i Komitetit Tatimor të Odës Amerikane, që ka rrjedhur si pasojë e mungesës së dukshme të likuiditetit tek bizneset. Tutje, ajo theksoi se problem në vete është edhe mos ekzistenca e një platforme digjitale për raportimin e pasqyrave financiare, meqë gjatë kësaj kohe paraqitja fizike paraqet sfida të tjera.

Avokati i çështjeve komerciale Ardi Shita, problemet e shfaqura përgjatë këtyre javëve në aspektin ligjor, i kategorizoi në tre grupe. Sipas tij në grupin e parë hyjnë problemet e lidhura me vendimet e qeverisë të marra në mënyrë ad-hoc. Shita shtoi se mospërfshirja e asociacioneve të bizneseve në grupe punuese për këto vendime është për t’u kritikuar ngaqë kjo ka rezultuar në keqinterpretime dhe ndryshime drastike brenda një periudhe të ngushtë kohore. Ndërsa, në grupin e dytë sipas Shitas hyjnë problemet në lidhje me punëtorët dhe ligjin e punës. Ai tha se pezullimi i aktiviteteve dhe numri i madh i punëtorëve për t’u paguar nga kompanitë kanë rezultuar në rrezikim të likuiditetit, ndërsa ligji i punës është i paqartë për situata të tilla. Si problem të tretë ai i konsideroi dispozitat e forcës madhore, duke thënë se në Ligjin për Marrëdhënie të Detyrueshme trajohen fare pak situatat e forcës madhore dhe se mungesa e kësaj force si dispozitë kontraktuese mund të sjell implikime. Shita përmendi se në këtë kohë vërehet nevoja e shtuar për digjitalizim të gjyqësorit.

Forumet virtuale të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë mbështeten nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat