Panxha: Rreth 60% e prodhuesëve raportuan rënie të të hyrave, shteti t’i fus 500 milionë euro në ekonomi

Ekonomi

Panxha: Rreth 60% e prodhuesëve raportuan rënie të të hyrave, shteti t’i fus 500 milionë euro në ekonomi

Më: 12 maj 2020 Në ora: 11:32
Ilustrim

Rreth 60 % e kompanive kosovare që merren me prodhimtari kanë raportuar rënie të të hyrave financiare për muajin e kaluar si pasojë e pandemisë.

Kështu bëri të ditur kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha.

“Humbjet janë relativisht të mëdha, ne nuk kemi një numër fiks sesa është humbja totale për sektorin e prodhimit. Por, në bazë të një ankete, që e kemi bërë, rezulton që 60 % e kompanive kanë deklaruar se kanë ulje të madhe në qarkullim, në të hyrat financiare, si rrjedhojë kjo nënkupton që kemi probleme të mëdha në sektorin e prodhimit”, u shpreh ai.

Shkaktari i uljes së të hyrave është i njohur për Panxhan.

Sektori i prodhimit, ‘sherrin’, sipas tij,  ia pa mbylljes së bizneseve të sektorëve tjerë.

“Mos të harrojmë që sektori i prodhimit nuk është mbyllur direkt, por sektorët e tjerë,  që konsumojnë produkte: ndërtimtaria, gastronomia apo shërbime tjera, kanë qenë të mbyllur për një periudhë. E kjo do të reflektohet edhe në të hyrat e sektorit te prodhimit”, theksoi ai.

Në Pakon Fiskale, shteti ka ndarë nga kuleta e tij, 8 milionë euro për të përkrahur sektorin e prodhimtarisë.

Kjo shumë po i duket e pamjaftueshme përfaqësuesit të tyre.

Mbi 500 milionë euro, Panxha, thotë se nevojiten për të rimëkëmbur gjithë sektorët e prekur të ekonomisë – përfshirë këtu sektorin e prodhimit.

“Ekonomia e Kosovës, nëqoftëse i shikojmë parametrat ekonomik dhe e krahsojmë me atë që janë duke bërë vendet e tjera, nevojitet një injektim i mjeteve në shumën 500 milionë euro që të përkrahet ekonomia. Një pjesë e tyre duhet të dedikohet edhe për sektorin e prodhimit – rimëkëbjen e tij. Deri tash ekonomia është bazuar në import, tash është një mundësi e mirë që të punojmë bashke me Qeverinë që të bëjmë themelin për fuqizimin e sektorit të prodhimit dhe të ndërrohet struktura ekonomike e Kosovës”, deklaroi ai.

Panxha u ka bërë thirrje qytetarëve  t`i respektojnë masat e parapara në mënyrë që të mos mbyllen prapë veprimtaritë ekonomike.

Ndryshe nëse një gjë e tillë ndodh., ekonomia e vendit, siç thotë ai do të vihej në një pozitë të palakmueshme.

E që situata të mos vie në këtë pozitë, ai pos qytetarëve po kërkon, edhe ndihmën e politikanëve që sipas tij duhet ta zgjidhin ngërçin politik.

“Do të jetë një skenar shume i keq për Kosovën nëse na ndodh edhe neve, parandaj është shumë me rëndësi që plani i rimëkëmbjes shumë me shpejtë të përfundohet dhe po shpresojmë që situata politike të ketë një zgjidhje sepse pa marrë parasysh se çfarë plani miratojmë, ne kemi një situatë politike e cila është pothuajse e bllokuar, me një parlament jofunksional, ku duhet të dimë që një pjesë e mirë e ligjeve të pakos emergjente duhet të miratohen përmes parlamentit. Nëse na zë edhe faza e dytë e përhapjes se virusit, atëherë, do të jemi në një pozitë të palakmueshme”, theksoi ai për Front Online. Qeveria ka filluar tashmë me aplikimin e masave lehtësuese për bizneset e po ashtu Ministria e Financave ka nis diskutimet për pakon tjetër mbështetëse pas pandemisë për t`i ndihmuar ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat