Pandemia ka afektuar edhe industrinë e sigurimeve, rekomandohet hapja e Qendrave të Regjistrimit

Ekonomi

Pandemia ka afektuar edhe industrinë e sigurimeve, rekomandohet hapja e Qendrave të Regjistrimit

Më: 12 maj 2020 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Sikur çdo sektor tjetër, pandemia Covid-19 ka afektuar tej mase edhe industrinë e sigurimeve, pasi numri i policave të shitura nga kompanitë e sigurimeve ka rënë rreth 50 përqind krahasuar me vitin paraprak.

Gjendja do të fillonte të përmirësohej nëse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do t’i hapte Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve pasi këto janë të mbyllura me një vendim të MPBAP-që nga muaj mars.

Kështu thotë drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku, i cili shton se ende nuk është bërë një përllogaritje e saktë e humbjes financiareve të kompanive të sigurimeve, por sikur shumica e bizneseve në vend, pandemia ka shkaktuar dëme edhe në industrinë e sigurimeve në vend.

Meqenëse është një numër i madh i veturave të paregjistruara, Mazreku thotë se këto automjete paraqesin rrezik në trafik.

Mazreku: 50 përqind më pak polica të sigurimit në raport me vitin paraprak

“Me ndryshimin e orarit të lëvizjes së qytetarëve, sigurisht që është vështirësuar edhe më shumë situata dhe sigurisht që interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me policë të sigurimit ka rënë. Aktualisht me shifra të sakta nuk mundemi me fol, mirëpo nëse flasim me interesim, interesimi është 50 përqind më i ulët në raport me vitin paraprak. Kërkesat ndoshta kanë ndikuar sigurisht edhe për nga kufizimi i lëvizjes për 90 minuta gjatë ditës me dalë në trafik. Ka ndikuar edhe nga kushtet e ndryshëm që qytetarët i kanë dhe një pesë e tyre edhe ndoshta nuk i kanë përdorë veturat, mirëpo interesimi është shumë më i vogël në raport me vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Sigurisht se ne më vonë do të dalim edhe me shifra të sakta se sa janë humbjet, mirëpo aktualisht nuk kemi të dhëna zyrtare derisa të publikohen ato edhe uebfaqen e Bankës Qendrore”, thotë Mazreku.

Drejtori i Shoqatës, për KosovaPress thotë se vendimi për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve ka ndikuar direkt në rënien e menjëhershme të shitjes së policave të sigurimit, e ku si pasojë numri i automjeteve të paregjistruara po rritet.

Mazreku: MPBAP të bëjë hapjen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve

“Sektori i sigurimeve është i ndërlidhur ngushtë edhe me Qendrat e Regjistrimeve sepse policat tona që lëshohen pastaj dorëzohen në këto qendra dhe pastaj ndodhë edhe regjistrimi i automjetit. Mbyllja e qendrave na ka dëmtuar në kuptimin meqenëse njerëzit nuk kanë pasur mundësi t’i regjistrojnë veturat, ku edhe nuk i kanë siguruara. Lidhur me këtë, ne rekomandojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të fillojë gradualisht me hapjen e Qendrave të Regjistrimit për shkak se nëse vazhdojmë tutje me këtë gjendje, sigurisht se situata do të vështirësohet”, pohon ai.

Ndërsa, media ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, por nuk janë përgjigjur.

Mazreku thotë se nuk është aq shumë shqetësuese edhe rënia të hyrave për kompanitë sa mbetet problem qarkullimi i një numri të madh të automjeteve prej rreth 150 mijë vetura në trafik që potencialisht munden me qenë edhe shkaktarë të aksidenteve. Dëmet financiare të shkaktuara nga kompensimi për aksidentet për këto automjete që nga pas lufta kapin vlerën e 44 milionë eurove, ose 4 deri në 8 milionë euro në vit.

Po ashtu, Mazreku po kërkon që edhe sektori i kompanive të sigurimeve me qenë pjesë e grupit punues të “Pakos II” për rimëkëmbje ekonomike. Madje, i pari i shoqatës po kërkon nga Qeveria që të subvencionohen qytetarët për sigurimin e automjeteve.

Mazreku: Me “Pakon II” për rimëkëmbje ekonomike të përfshihet edhe industria e sigurimeve

“Sigurisht se unë do t’i shpalos shqetësimet tona si industri dhe mënyrën qysh ata (Qeveria) duke i ndihmuar qytetarët në mënyrë indirekte na ndihmojnë edhe neve, sepse ndarja e një fondi të caktuar për qytetarët që në këtë kohë pandemie t’i sigurojnë veturat e tyre duke subvencionuar këtë shumë nga shteti, do të ishte ndihmesë direkte për qytetarin, mirëpo në anën tjetër do të ishte një ndihmës indirekete për neve... Nuk ka asnjë masë që një kompani e sigurimeve ka ndërmarrë ndaj stafit të vet, mirëpo nëse vazhdohet kështu sigurisht që situata do të vështirësohet”, deklaron Mazreku.

Ai në fund theksoi se përkundër vështirësive, kompanitë kanë vazhduar punën duke ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme qoftë nga prania fizike apo nga distanca për shitjen e policave në tërë territorin e Kosovës dhe janë të hapura çdo ditë prej orës 8:00 deri në orën 16:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat