Banka Botërore kërkon nga Kosova që sa më shpejt të ratifikohet marrëveshja prej 50 milionë dollarësh

Ekonomi

Banka Botërore kërkon nga Kosova që sa më shpejt të ratifikohet marrëveshja prej 50 milionë dollarësh

Më: 13 maj 2020 Në ora: 20:39
Banka Botërore

Banka Botërore i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt të ratifikojë marrëveshjen për ndarjen e 50 milionë dollarëve, të cilat janë ndarë për luftimin e pandemisë.

Përmes një komunikate, Banka Botërore ka njoftuar se sapo ka finalizuar negociatat me Qeverinë e Kosovës për një Projekt të Emergjencës COVID-19 për Kosovën në shumën prej 50 milion dollarësh amerikanë.

“Gjatë muajit të fundit, Banka Botërore ka punuar intensivisht me Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe Ministrinë e Shëndetësisë për t’u dakorduar për projektin e emergjencës, i cili do t’i ndihmojë Kosovës në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, si dhe do të forcojë sistemin e shëndetësisë publike të vendit”, thuhet në komunikatë.

Projekti, sipas Bankës Botërore, përfshin prokurimin urgjent të pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore për sektorin e shëndetësisë, forcimin kapaciteteve të testimit dhe zbulimit të hershëm të COVID-19, përmirësime dhe zgjerim të kapacitetit të Klinikës së Sëmundjeve Infektive, dhe mobilizim të personelit shtesë shëndetësor.

“Ai përfshin edhe mbështetje të përkohshme për përfituesit e Skemës së Ndihmës Sociale dhe amvisëritë që kualifikohen për mbështetje në bazë të Planit Fiskal Emergjent. Në mënyrë që të fillojë zbatimi i projektit, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore me një shumicë prej 2/3 të të gjithë deputetëve. Ne presim mbështetjen e fortë të të gjithë deputetëve në mënyrë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në komunikatë.

Projekti është pjesë e një programi të Bankës Botërore që pritet të kalojë shifrën prej 120 milionë dollarësh dhe që ka për qëllim të mbështes Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat