Rreth 400 auto-shkolla në Kosovë, peng i pandemisë - Bota Sot
Rreth 400 auto-shkolla në Kosovë, peng i pandemisë

Ekonomi

Rreth 400 auto-shkolla në Kosovë, peng i pandemisë

Nga: Xhylije Ibrahimi Më: 15 maj 2020 Në ora: 23:09
Xhylije Ibrahimi

Mbi 400 auto-shkolla në Kosovë, ku janë të angazhuar rreth 3 mijë punëtorë, njësoj sikurse arsimi, kanë ngelur peng i pandemisë prej dy muajve e më tepër.

Ministria e Infrastrukturës nuk i ka marrë parasysh specifikat e këtij sektori, i cili ka mundur të riorganizohet për të punuar edhe në kushtet e pandemisë.

Organizimi i ligjëratave ka mundur të bëhet online, njësoj sikurse te shkollat, ndërsa pjesa praktike nuk do të duhej të konsiderohej problem, meqë punohet vetëm për vetëm me kandidatin.

Do të ishte e mjaftueshme mbajtja e higjienës dhe masave mbrojtëse.

Ne si Federatë e auto-shkollave i jemi drejtuar me një shkresë Ministrisë së Infrastrukturës, por as që na është përgjigjur kush, e lere më të na kontaktonte.

Në emër të Federatës, sërish kërkojmë prej Ministrisë që të lejojë punën e auto-shkollave prej datës 18 maj, meqë në këtë fazë përfshihen lehtësime për një kategori më të madhe të bizneseve, përfshirë edhe trafikun hekurudhor, trafikun urban e ndërurban, ku mundësia për distancë fizike është më vështirë e respektueshme.

Fundi i fundit, dy muajt e kaluar nuk dëshmuan ndonjë rrezik të madh për shëndetin e popullatës nga ky virus, meqë statistikat nuk tregojnë për rritje të numrit të vdekjeve në Kosovë, në krahasim me periudhën para pandemisë.

Shtrëngimi i bizneseve deri në këtë masë, do të ketë pasoja afatgjata për ekonominë.

Ministria e Infrastrukturës dhe qeveria e Kosovës në përgjithësi duhet të reagojë në mënyrë pozitive ndaj kërkesave të bizneseve për t`i liruar të punojnë, ashtu siç tashmë ka bërë Sllovenia dhe vendet tjera.

.................................................

(Autorja është anëtare e Kryesisë së Federatës së Auto-Shkollave të Kosovës)

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat