Fermerët në Rahovec në prag të falimentimit, kërkohet ndërhyrja e shpejtë e shtetit

Ekonomi

Fermerët në Rahovec në prag të falimentimit, kërkohet ndërhyrja e shpejtë e shtetit

Më: 17 maj 2020 Në ora: 11:12
Rahovec

Dëmet e shkaktuara në bujqësi kapin vlerën miliona euro si pasojë e pandemisë Covid-19. Ndër komunat më të prekura është edhe ajo e Rahovecit.

Fermerët e Rahovecit nuk kanë ide se çka do të bëhet me prodhimet e tyre këtë vit, ku si pasojë e pandemisë janë mbyllur tregjet dhe një numër i prodhimeve kanë mbetur pa u shitur.

Kp ka qëndruar në këtë komunë, për t’i parë nga afër dëmet.

Dy ishin kërkesat e fermerëve, mbështetje nga qeveria dhe hapje e tregut.

Fermeri Beslim Popaj, i cili merret me kultivimin e patates, thotë se nuk kanë pranuar asnjë ndihmë nga qeveria, deri sa theksoi se hapja e tregut në Rahovec është mëse e nevojshme.

Popaj: Qeveria asgjë s’na ka ndihmuar, kërkojnë hapje të tregut

“Kemi pasur një sipërfaqe prej 25 ari, me patate të cilat janë mbjell me 15 janar, tash jemi në maj që e kanë kaluar atë fazën për me u shite, kështu që krejt ka mbetur këtu....Qeveria kurgja hiç, ajo është hutua mbas firmave të mëdha dhe për Bujqësi hiç... Ne kërkojmë hapjen e tregut në komunën tonë, e jo na me shkua me i shitë produktet tona në Prizren e Prishtinë, tu e pas këtu Rahovecin, ma afër dhe pa shpenzime”, thotë ai.

E fermeri tjetër, Behar Haxhimustafa, thotë se dëme në bujqësi kanë pasur nga ngricat edhe tani nga pandemia.

Haxhimustafa: Prej pandemisë shumë jemi në minus

“Prej pandemisë shumë jemi në minus, sidomos që ka pasur edhe ngrica edhe tregu nuk është i hapur, problemet janë shumë të mëdha...Patatja është dalë, nuk kemi ku t’i shesim”, deklaroi Haxhimustafa.

Kurse, Agron Haxhimustafa, kërkon ndihmë nga qeveria, në të kundërtën ai thotë se do të falimentojnë.

Haxhimustafa: Nëse s’na ndihmon qeveri ne do të falimentojmë

“Qeveria me na ndihmua mirë kishte me qenë, përndryshe ne falimentuam krejt...Pa na ndihmua qeveria nuk mundemi me mbijetua.....Tregu pa qare duhet me u hape, shpresojmë se në qershor hapet”, thotë ai.

Ndihmë nga Qeveria ka kërkuar edhe kryetari Smaj Latifi i cili ka thënë se fermerët duhet të futen në Pakon Emergjente, pasi që janë dëmtuar shumë nga pandemia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat