​BQK dhe Ministria e Financave diskutojnë planin e rimëkëmbjes ekonomike me drejtuesit e bankave - Bota Sot
​BQK dhe Ministria e Financave diskutojnë planin e rimëkëmbjes ekonomike me drejtuesit e bankave

Ekonomi

​BQK dhe Ministria e Financave diskutojnë planin e rimëkëmbjes ekonomike me drejtuesit e bankave

Më: 28 maj 2020 Në ora: 15:02
Foto nga takimi

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe ministrit në detyrë të Ekonomisë dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot u organizua një takim i përbashkët me drejtuesit e bankave komerciale në Kosovë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i zhvillimeve dhe masave të deritanishme për të ndihmuar përballjen e ekonomisë me pasojat e COVID-19 dhe plani i rimëkëmbjes së ekonomisë për periudhën në vijim.

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti vlerësoi lart konstruktivitetin e treguar nga sektori bankar gjatë kësaj periudhe, duke iu përgjigjur pozitivisht nevojave të ekonomisë përmes lehtësimeve që ju kanë bërë huamarrësve.

Ai shprehu bindjen se sektori bankar do të luajë një rol kyç gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike duke shërbyer si partner i besueshëm i institucioneve, në përpjekjet për të ndihmuar rikuperimin dhe zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.

Vlerësim të lartë për punën e sektorit bankar gjatë kësaj periudhe shprehu edhe ministri Bislimi, i cili së bashku me zëvendësministrin Ilir Aliu prezantuan para drejtuesve të bankave planin për rimëkëmbje ekonomike, i cili po përgatitet nga një grup punues që përfshin përfaqësues të Qeverisë, BQK-së dhe bizneseve.

Në thelb të këtij plani gjendet skema për garantimin e kredive, përmes së cilës synohet rritja e financimit kreditor dhe përmirësimi i kushteve të financimit për bizneset dhe individët.

Nga ana tjetër, Albert Lumezi, kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, shprehu falënderimin për reagimin e shpejtë të BQK-së sa i përket masave rregullative në raport me menaxhimin e situatës së krijuar gjatë pandemisë, si dhe mirëpriti iniciativën për krijimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike, duke shfaqur gatishmërinë e sektorit bankar për të kontribuuar në këtë proces.

Palët u pajtuan për ta vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në procesin e finalizimit të planit të rimëkëmbjes ekonomike dhe domosdoshmërinë e fillimit sa më të shpejtë të implementimit të një plani të tillë, në mënyrë që të minimizohen pasojat ekonomike të pandemisë dhe të ndihmohet rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat