Bizneset nuk i dinë kushtet që duhet aplikuar gjatë fazës së tretë

Ekonomi

Bizneset nuk i dinë kushtet që duhet aplikuar gjatë fazës së tretë

Më: 31 maj 2020 Në ora: 11:42
Mitrovice

Përfaqësuesit e bizneseve në qytetin e Mitrovicës (gastronomia, transporti urban dhe ndërurban, taksitë, kinematë, teatrot etj), të cilat do të veprojnë me kapacitet të plotë gjatë fazës së tretë të zbutjes së masave ndaj COVID-19, që parasheh fillimin e punës së tyre nga data 1 qershor, janë shprehur të lumtur për një gjë të tillë.

Ata kanë filluar përgatitjet për punë, edhe pse nuk i dinë kushtet e reja të cilave duhet t’i përmbahen, ngase nuk janë të informuar nga organet përkatëse, por që premtuan se cilado qofshin ato, do t’i zbatojnë me përpikëri.

Ylber Fetahu, pronar i njërit nga restorantet në këtë qytet, ka bërë të ditur, se është i gëzuar për fillimin e punës së tij me kapacitet të plotë që do të nis nga e hëna, duke thënë se nuk ka informata për kushtet e reja që duhet aplikuar, për të cilat shpreson se do të informohet ditët në vijim.

Ai nuk përmendi shifra, por tha se humbjet kanë qenë të konsiderueshme për shkak të pauzës së detyruar të biznesit të tij, si pasojë e pandemisë.

Fetahu: Nuk kemi informata të sakta për kushtet që duhet t’i zbatojmë

“Jam i lumtur që po fillon faza e tretë e zbutjes së masave pas pandemisë, në aspektin e hapjes së biznesit, punëve, fillimit të jetës normale…Sigurisht që ka me pas edhe kushte të reja për të cilat nuk kemi informata të sakta, pritet ndoshta që ditët në vijim të informohemi prej inspektoratit apo komunës, të cilave duhet me ju përmbajt patjetër…Humbjet sigurisht kanë qenë të konsiderueshme si në gastronomi, por edhe në bizneset tjera”, ka thënë Fetahu.

Florent Shala, përfaqësues i kompanisë ‘Bonat’ nën zingjirin e së cilës vepron restoranti ‘Gusto’ në Mitrovicë, tha se tashmë veç ka nisur përgatitjet për fillimin e punës.

Sipas tij, për kushtet e reja që duhet aplikuar në punë, ai nuk kanë marrë ndonjë informatë nga inspektorati, por është në dijeni për disa deklarata nga përfaqësues të shoqatës së gastronomëve, të cilat tha se do t’i zbatojë me përpikëri.

Ai potencoi humbjet e mëdha financiare të shkaktuara nga pandemia, duke u shprehur optimist që sa më shpejtë të kthehet normaliteti në mbarë vendin dhe një gjendje e tillë të mos përsëritet më.

Shala: Di vetëm për deklaratat e shoqatës së gastronomëve

“Me vullnet kemi filluar përgatitjet që me fillu nga dita e hënë, ashtu siç është rregullorja…Duke u bazuar në disa deklarata të shoqatës së gastronomëve, paraprakisht për disa prej kushteve të reja jemi në dijeni, do të mundohemi me i zbatu në përpikëri…Do të mundohemi t’i mbajmë pajisjet për dezinfektim, dhe përveç kësaj edhe distancën e duhur, e gjithashtu kemi vendosur që një periudhë të caktuar të shërbejmë vetëm në paketime njëpërdorimëshe, pjata, thika, tasat e letrës dhe gjithçka tjetër…Vërtetë humbjet janë shumë të mëdha,…Shpresoj se kjo gjendje nuk do të përsëritet, sa më shpejtë të kthehemi në normalitet, jo vetëm për ne, por për të gjitha bizneset dhe shtetin e Kosovës”, theksoi Shala.

Hapjes së punës për biznesin e tij dhe kthimin në normalitet, i është gëzuar edhe Ilir Shabani, pronar i kompanisë ‘Taxi-Vip’.

Ai u shpreh i lumtur për fillimin e punës dhe kthimin në normalitet.

Shabani: Kushtet nuk i di, të hënën ndoshta na informojnë

“Jam shumë i lumtur që në fazën e tretë po fillon puna, pas një kohe shumë të gjatë…Pak jemi të njoftuar për kushtet e reja të punës, por saktë nuk e di… Të hënën na informon inspektorati i komunës…Humbjet janë shumë të mëdha, por presim që tash prej 1 qershorit dhashtë Zoti të kthehemi në normalitet dhe punojmë sikurse kemi punuar gjithmonë”, sqaroi Shabani.

Në anën tjetër, Kp ka provuar të kontaktojë me njerëz nga inspektorati komunal në Mitrovicë rreth kësaj çështje, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i qasshëm.

Ndryshe, gjendja në qytetin e Mitrovicës është stabile sa i përket pandemisë, pasi që nga gjithsej 19 persona të infektuar, 14 janë shëruar dhe 5 raste janë ende aktiv, ndërsa që 20 ditë ky qytet është pa asnjë rast të ri me koronavirus. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat