Nuk ka vendim për shtyrje të serishme të afatit të pagesës së kësteve të kredisë

Ekonomi

Nuk ka vendim për shtyrje të serishme të afatit të pagesës së kësteve të kredisë

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 11:35
BQK

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sqaroi se nuk është marrë asnjë vendim i ri për shtyrje të serishme të afatit të pagesës së kësteve të kredive.

Gjatë ditës së shtunë në shumë portale të vendit është publikuar lajmi me titull: “BQK-ja shtyn afatin e kësteve të kredive”, por duket se kjo ka qenë “fake news”.

Sipas BQK-së, mbetet në fuqi vendimi që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore për shkak të Covid 19.

“Sikurse kemi informuar edhe më herët, gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues, nuk do të aplikojnë ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe BQK-ja nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra. Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore apo më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe”, thuhet në reagimin e BQK-së.

BQK-ja kërkon nga institucionet kredidhënëse të zbatojnë këtë kërkesë, me qëllim të lehtësimit dhe të ruajtjes së likuiditetit të kredimarrësve gjatë kësaj periudhe të ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike për shkak të pandemisë.

BQK thotë se do të vazhdojë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra parësore e BQK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat