Bajrami: Për 2020 presim rënie ekonomike 3 për qind

Ekonomi

Bajrami: Për 2020 presim rënie ekonomike 3 për qind

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 18:25
Ilustrim

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka votuar rishikimin e buxhetit për vitin 2020.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, derisa paraqiti rishikimin e buxhetit, tha se nuk kanë larguar asnjë projekt fillestar.

Ajo tha se alokimet për këto projekte janë zvogëluar për të mundësuar kursimin, dhe se kursimet e identifikuara do të kthehen në proceset e ardhshme buxhetore që, siç u shpreh ministrja, mjetet nuk do të humbin.

Bajrami tha se në vitin 2020 presin rënie ekonomike 3 për qind, ndërsa të hyrat totale do të jenë 1 miliard e 788 milionë euro.

Bajrami: Për 2020 presim rënie ekonomike 3 për qind

“Në vitin 2020, ne presim një rënie ekonomike prej minus 3 për qind në terma real, ndërsa në ata nominal rënia pritet të jetë rreth minus 2 për qind. Sipas projeksioneve të Bankës Botërore këto do të jenë edhe më të larta. Megjithatë, ne presim që rritja ekonomike të kthehet në terrenin pozitiv në vitin 2021 dhe 2022, ku presim që norma e rritjes të jetë rreth 5 për qind”, tha ajo.

Ministrja Bajrami tha se sa i përket të hyrave buxhetore presin rënie 5 për qind.

Bajrami: Të hyrat totale do të jenë në vlerë 1 miliard e 788 milionë euro

“Projeksionet mbi të hyrat buxhetore tregojnë, se në vitin 2020 të hyrat totale do të jenë në vlerë 1 miliard e 788 milionë euro. Krahasuar me vitin 2019, presim një rënie 5 për qind apo rreth 100 milionë euro më pak se një vit më herët. Në krahasim me planifikimet që kemi pasur në vitin 2020, pra me buxhetin aktual rënia do të jetë minus 11.5 për qind ose 232 milionë euro më pak. Me kthimin e rritjes ekonomike pozitive, ne presim që më 2021 dhe në vitet pasuese të kemi edhe rritje substanciale të të hyrave. Për sa i përket shpenzimeve, gjithsej shpenzime buxhetore janë planifikuar që këtë vit të jenë 2 miliardë e 620 milionë. Te shpenzimet që lidhen me programet për rimëkëmbje ekonomike është alokuar shuma 385 milionë euro për 2020 dhe 146 milionë në vitin 2021”, tha ajo.

Ajo tha se deficiti i buxhetit pritet të jetë 6.5 për qind e bruto produktit vendor.

Bajrami tha se me rishikimin e buxhetit do të mundësohet zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm, derisa ka treguar lëvizjet që janë bërë nëpër ministri sa i përket buxhetit.

Bajrami: I kemi kthyer fondet në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë

“I kemi kthyer fondet në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, i kemi marrë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit 1.3 milion. Ka qenë gabim teknik dhe i kemi kthyer te Ministria e Tregtisë dhe janë shtuar 300 mijë euro të reja. Ministrisë së Punëve të Jashtme, pas konsultimeve, i kemi shtuar në buxhet 2 milionë euro. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, pasi iu kanë marrë 1.3 milion euro, i janë shtuar 190 mijë euro te projekti i eficiencës së energjisë. Te Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kemi shtuar projektin për komunitete prej 1.4 milion euro. Te Ministria e Punëve të Brendshme kemi shtuar 2 milionë euro sipas prioriteteve të tyre. Te Ministria e Zhvillimit Rajonal kemi shtuar 61 mijë euro për mallra dhe shërbime, 650 mijë euro kapitale dhe 100 mijë euro subvencione e transfere. Te Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kemi shtuar 336 mijë euro për pagesën e qirasë së ministrisë, sepse nuk kanë qenë të planifikuara, pasi që ka pasur plane të tjera që ministria të lëvizë ndërkohë që mbetet aty. Te Ministria e Kulturës është shtuar shuma prej 400 mijë euro, te Ministria për Komunitete dhe Kthim është shtuar shuma 1 milion eurove sipas prioriteteve të ministrisë, te Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është shtuar shuma 50 mijë euro në projektin e IT për komunat dhe te Ministria e FSK-së është shtuar shuma 1 milion euro për projekte kapitale”, ka bërë të ditur Bajrami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat