Mustafa: Pakoja emergjente nuk është zbatuar as 50 për qind

Ekonomi

Mustafa: Pakoja emergjente nuk është zbatuar as 50 për qind

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 10:31
Muhamet Mustafa

Kriza pandemike dhe mbyllja e shumë veprimtarive ekonomike gjatë muajve të kaluar ka shkaktuar humbje të mëdha për sektorin e ekonomisë në vend, andaj po kërkohet të evitohet mbyllja e serishme e ekonomisë, pasi vlerësohet se kjo do jetë grusht i rëndë për këtë sektor.

Këshilltari i lartë në Institutin Riinvest, Muhamet Mustafa në një intervistë për KosovaPress thotë se si pasojë e COVID-19 dhe masave parandaluese që janë marrë karshi kësaj pandemie, ka rënie të mëdha deri në 70 për qind varësisht nga sektori.

Për shkak të rënies së fuqisë blerëse, tashmë humbje ka filluar të ketë edhe tregtia, sektor ky i cili kishte qarkullim të madh në fund të marsit, kur edhe u paraqiten rastet e para me infeksion në vendin tonë.

Mustafa: Duhet të evitohet mbyllja e bizneseve

“Rëniet sillen nga 20 për qind deri në 70 për qind, varet nga firma në firmë dhe sektori në sektor. Tash ka filluar edhe sektori i tregtisë. Derisa sektori i tregtisë në periudhën e parë, për shkak të frikës që nuk do të ketë mall, ka pasur rritje të qarkullimit, për shembull në fund të marsit dhe një pjesë të prillit, ndërmarrjet tregtare kanë rritur qarkullimin, tash ka zvogëlim të qarkullimit 10 deri 15 apo 20 për qind, sepse ka rënë fuqia blerëse. Do të thotë se edhe ndërmarrjet tregtare kanë një problem e lërë më ndërmarrjet hoteliere, prodhuese që kanë filluar të këndellen, por është një proces më i vështirë sesa që kemi menduar. Mendoj se ne gjithqysh duhet ta evitojmë mbylljen e serishme sikurse në periudhën mars-prill dhe në një pjesë të majit, pasi kjo për ekonominë e Kosovës do të jenë grusht i rëndë andaj duhet të bëjmë çmos që mos të vijmë në atë situatë”, tha ai.

Mustafa thotë se ngërçi politik dhe përzgjedhja e luftës politike i ka krijuar probleme të tjera.

Ai pret që pas rishikimit të buxhetit në Kuvend do të fillojë zbatimi i pjesës tjetër të pakos emergjente, e cila sipas tij nuk është zbatuar as 50 për qind.

Mustafa: Pakoja emergjente s’ka arritur të zbatohet as 50 për qind

“Pasojat dhe dëmet në biznese janë më të mëdha sesa që kemi menduar, andaj është e mirëseardhur sa më shpejt që qeveria të bëjë veprime të shpejta në rebalancin e buxhetit, në mënyrë që pakoja emergjente të zbatohet, sepse edhe pakoja emergjente sipas vlerësimet tona nuk ka arritur të zbatohet as 50 për qind. Prej 170-180 milionëve, diku 80-90 milionë më së shumti kanë shkuar drejt destinimit të duhur, pjesa tjetër kërkon rebalancin e buxhetit. Prandaj, ngërçi politik dhe përzgjedhja e luftës politike në këtë situatë i ka krijuar problemet e mëdha. Kështu që as pakoja emergjente nuk është zbatuar dhe besoj që me rebalancim të buxhetit shpresoj se kjo do të bëhet shpejt”, tha Mustafa.

Derisa ka folur për pakon e rimëkëmbjes ekonomike, Mustafa thotë se kjo pako kërkon studim dhe mjetet e parapara në këtë pako duhet të destinohen aty ku duhet.

Krahas pakos së propozuar nga kryeministri Avdullah Hoti, e paraparë që për rimëkëmbje ekonomike të vihen në dispozicion 1.2 miliardë euro, Mustafa thotë se edhe bankat duhet të zhvillojnë aktivitetin kreditor me qëllim që t’u ofrohet një mbështetje më e madhe bizneseve.

Mustafa: Mjetet e pakos së rimëkëmbjes ekonomike duhet të shkojnë në sektorët e duhur

“Pakoja e rimëkëmbjes është një çështje që kërkon studim, në mënyrë që efektet e parave të jenë sa më të mëdha dhe se duhet të investohet aty ku do të kthehen efektet në përgjithësi. Kjo që tash po thotë qeveria se me rebalanc do të sigurojë 700 milionë euro, dhe për vitin tjetër edhe 500 milionë euro, janë një shumë e konsiderueshme dhe nëse realizohet mirë dhe në sektorët ku kthimi është më i madh, do të ketë një efekt pozitiv. Mirëpo, te zbatimi duhet të krijohet një mekanizëm, se a do ta zbatojë qeveria drejtpërdrejt nëpër ministri dhe biznese apo do të merren vesh që këtë ta bëjnë nëpërmjet bankave. Ndoshta është më efikase dhe më objektive vlerësimi i kërkesave të bizneseve që duhet të mendohet”, tha ai.

Qeveria e Kosovës tashmë ka prezantuar pakon e rimëkëmbjes ekonomike si pjesë e programit qeverisës dhe përfshinë nëntë masa për lehtësim të bizneseve.

Sipas raportit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në pjesën për Kosovën parashikon që ekonomia do të pësojë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020, e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021.

Shpërthimi i COVID-19 dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancat nga diaspora.

Ndërsa konsumi mund të rikthehet ndërkohë që ekonomia rimëkëmbet, eksportet e shërbimeve dhe investimet do të marrin më shumë kohë për t’u rimëkëmbur. Në këtë kontekst, të hyrat publike do të pësojnë rënie të konsiderueshme.

Për shkak se Kosova hyri në krizë me disa mbulesa fiskale, depozitat të larta qeveritare, borxh relativisht të ulët publik, ajo tani ka ca hapësire fiskale për të zbutur efektet e pandemisë, megjithëse kjo hapësirë është e kufizuar nga rritja e njëkohshme e shpenzimeve rrjedhëse, thuhet në raport.

Sidoqoftë, tejzgjatja e pandemisë dhe masave frenuese mund të çojnë në recesion më të thellë dhe mungesë më të madhe të të hyrave, duke kufizuar më tej hapësirën fiskale për përgjigje në nivel të politikave.

Banka Botërore thotë se përveç shtyrjes së përgjithshme të pagesave të detyrimeve tatimore, qeveria në detyrë veproi me shpejtësi dhe shpalli pakon e reagimit ndaj emergjencës prej rreth 2.8 për qind të GDP-së për të mbështetur qytetarët, bizneset dhe profesionet e prekura.

Shënjestrimi adekuat në ofrimin e pakos për më nevojtarët, sipas Bankës Botërore, mbetet vendimtar për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm në ekonomi, varfëri dhe shoqëri. Do të jetë e rëndësishme që të ruhet hapësira fiskale për të qenë në gjendje për të ofruar mbështetje plotësuese nëse nevojitet në rast se kriza zgjat më shumë, dhe për të mbështetur më vonë rimëkëmbjen e nevojshme ekonomike, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat