Pandemia e ka dëmtuar edhe transportin hekurudhor në vend - Bota Sot
Pandemia e ka dëmtuar edhe transportin hekurudhor në vend

Ekonomi

Pandemia e ka dëmtuar edhe transportin hekurudhor në vend

Më: 28 qershor 2020 Në ora: 10:23
Ilustrim

Për shkak të numrit të madh të rasteve pozitive me COVID19 dhe mbylljes që ndodhi gjatë muajve të kaluar, si pasojë e pandemisë, transporti hekurudhor në Kosovë po pëson humbje pasi që ka rënë shumë edhe numri i udhëtarëve. Në kompaninë “Trainkos”, thonë se për shkak të mosqarkullimit të trenave gjatë mesit të muajit mars, prill dhe maj, kjo kompani ka pësuar ngecje në arritjen e planifikimeve të tyre.

Drejtori i departamentit për zhvillim të biznesit brenda në “Trainkos”, Liridon Drenica për KosovaPress, ka thënë se pandemia ka ndikuar negativisht edhe tek kjo kompani.

Sipas tij, transporti hekurudhor po vazhdon të ketë humbje, pasi që ka numër të vogël të qytetarëve që po udhëtojnë përmes këtij transporti.

Drenica: Në transportin e udhëtarëve po vërehet numër i vogël i udhëtarëve

“Në aspektin ekonomik tek ne si kompani ka ndikuar si tek të gjitha kompanitë tjera sepse në transportin e udhëtarëve vërehet një numër shumë i vogël i udhëtarëve për shkak të frikës që e kanë ende nga ky virus, ndërsa sa i përket transportit të mallrave duke i parë edhe raportet tre mujor, por edhe raportin pesë mujor që tashmë e kemi përfunduar vërehet që kemi një ngecje në arritjen e planifikimeve...Diku rreth 35 përqind e transportit të mallrave nuk është arritur planifikimi...Ende nuk qarkullojmë me linjat e plota që i kemi edhe të parapara por vërehet qartë që numri i udhëtarëve është shumë i vogël krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, theksoi Drenica.

Drenica tha se aktualisht në qarkullim janë 4 vagonë, por që ende vazhdon të mbetet e mbyllur linja për transportin e mallrave Prishtinë-Shkup.

Drenica: Në qarkullim kemi linjën Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas, Prishtinë-Shkup vazhdon të jetë e mbyllur

“Neve kemi vazhduar konform rekomandimeve të IKSHP-së që me datën 18 maj kemi futur në qarkullim trenin e parë i cili ka qarkulluar prej mëngjesit nga Peja për në Prishtinë, dhe në mbrëmje nga Prishtina për në Pejë. Dhe më pas kemi vazhduar edhe me qarkullimin e trenit të dytë i mesit të ditës që shkon nga Prishtina në Pejë dhe anasjelltas. Ndërsa sa i përket linjës Prishtinë-Shkup treni vazhdon të mbetet jashtë operimit si rezultat se pjesa e Maqedonisë Veriore ende nuk i ka marr të gjitha masat për hapjen e kufirit dhe kjo ka ndikuar që edhe ne mos ta lëshojmë në qarkullim këtë tren. Jemi në koordinim të plotë me autoritetet e Maqedonisë së Veriut me menaxhmentin e hekurudhave dhe në momentin e parë që ata janë të gatshëm që ta fusin në qarkullim këtë tren neve jemi të gatshëm që fillojmë menjëherë“, theksoi Drenica.

Si masë parandaluese, Drenica tha se krahas masave mbrojtëse për stafin administrativ çdo ditë bëjnë edhe dezinfektimin e trenave.

Në kompaninë “Trainkos” deri tani pozitiv me COVID19 nuk ka rezultuar asnjë punëtorët prej 240 sa janë.

Drenica: Çdo ditë dezinfektohen vagonët e trenave

“Neve bëjmë edhe dezinfektimin e vagonëve të udhëtarëve çdo ditë në momentin kur përfundon orari i qarkullimit të trenave dhe këtë e bëjmë në mënyrë të vazhdueshme, po ashtu dezinfektimin vazhdojmë ta bëjmë ende edhe tek objektet të administratës dhe atij ekzekutiv...Fatmirësisht prej numrit të punëtorëve që e kemi 240 në kompaninë tonë përveç që kemi pasur raste të dyshuara raste të prekura nuk kemi pasur deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast të konfirmuar me COVID”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat