COVID-19 dëmtoi ekonominë, e vështirësoi punën e bizneseve

Ekonomi

COVID-19 dëmtoi ekonominë, e vështirësoi punën e bizneseve

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 14:28
Foto Ilustrim

Pandemia COVID-19 ka goditur bizneset e sektorit HORECA, ku përfshihen hotelet, restaurantët dhe furnizimi me ushqim, të cilat për shkak të masave të marra nga Qeveria, kanë pësuar humbje, si dhe janë përballur me vështirësi në kryerjen e pagesave për paga, qira, kredi, si dhe shpenzimeve të tjera operative.

Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Fatos Mexhuani.

“Pas datës 13 mars 2020 i gjithë aktiviteti HOREC-as është mbyllur dhe është ndalur 98 për qind e qarkullimit, vetëm 2 për qind e tyre kanë funksionuar me delivery”, thotë Mexhuani.

Por, Mexhuani tregon se ka biznese që ende nuk e kanë filluar punën me kapacitete të plota, edhe pse nuk ka përmendur ndonjë prej tyre.

“Ka biznese që kanë rifilluar me kapacitete të plota, por ka një numër të konsiderueshëm që e kanë filluar punën me gjysmë kapaciteti, për arsye që pas hapjes nuk është gjendja e njëjtë e qarkullimit sikurse para pandemisë dhe po e vërejmë tash që gastronomia është duke punuar me 50 për qind të qarkullimit nga e kaluara”, bën të ditur Mexhuani.

COVID-19, e cila ka infektuar miliona njerëz dhe ka marrë jetën e mijëra të tjerëve në mbarë botën, ka shkaktuar dëme të mëdha në bizneset e këtij sektori, si dhe ka prekur shumë degë tjera të ekonomisë në vend.

Për më shumë se dy muaj shumë biznese nuk kanë mundur të zhvillojnë aktivitet, si dhe nuk kanë arritur t’i paguajnë as shpenzimet e pagat e punëtorëve. Për t’i ndihmuar bizneset dhe punëtorët, ish-Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka hartuar një pako emergjente në shumë prej 179 milionë euro me 15 masa. Dëmet sipas përllogaritjeve nga odat e bizneseve në ekonominë e Kosovës, mund të llogariten deri në 700 milionë euro, por këto shifra, janë kontestuar nga ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, pasi sipas tij, këto humbje mund të shkojnë deri në 500 milionë euro.

Qeveria e re e Kosovës e votuar më 3 qershor që drejtohet nga Avdullah Hoti, në Programin Qeverisës 2020-2023, ka paraparë që në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi, ka bërë të ditur se rreth 45 mijë biznese kanë aplikuar për të përfituar nga pakoja emergjente.

“Numri i bizneseve të cilat kanë aplikuar për të përfituar nga pako emergjente deri më tani është 44,272. Kurse numri i punëtorëve të cilët kanë aplikuar për përfitim nga pako emergjente është 181, 475. Numri i punëtorëve të rinj është 12,651”, ka treguar ajo.

Numri i punëtorëve të rinj, nuk është hapje e vendeve të punës, por formalizim i punëtorëve që kanë punuar pa kontrata pune.

COVID-19 ka pasur ndikim edhe në grumbullimin e të hyrave, ku ATK, për periudhën janar-prill 2020, ka pasur rënie për mbi 25 për qind, krahasuar me planin vjetor.

Ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se humbjet ditore të ekonomisë nga virusi korona janë rreth 6 milionë euro.

“Dëmet ekonomike në tërësi ende nuk dihen pasi pandemia nuk ka përfunduar. Por, ajo që dihet deri më tani është se përafërsisht në baza ditore gjendja pandemike i ka kushtuar shtetit të Kosovës rreth 6 milionë euro. Nëse këto shumëzohen me 50 ditë, i bie që në total kemi humbur në prodhim rreth 300 milionë euro. Të shtojmë këtu edhe ato që mund të humbën, i bie që në tërësi mund të humb 450 deri 500 milionë euro, në rast se ecim me ritëm normal pjesën tjetër të vitit”, tha Bislimi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (5 maj 2020).

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, tha se sipas një ankete nga asociacionet e bizneseve rreth 2 për qind e ndërmarrjeve nuk janë afektuar nga masat anti COVID-19.

“Ndërmarrjet më të goditura janë ato, aktiviteti i të cilave është ndërprerë në tërësi si pasojë e vendimeve të Qeverisë, fillimisht në sektorët e hoteleve, restauranteve dhe furnizimit me ushqim, po ashtu edhe sektorit të turizmit, e më vonë me ashpërsimin e zgjerimin e listës së aktiviteteve të ndaluara edhe sektorët e shitjes me pakicë të produkteve jo esenciale”, tha Zeka.

Sektori prodhues dhe gastronomia, sipas tij, janë më të goditurat nga pandemia.

“Nga anketa e kryer me ndërmarrjet, në javën e parë të muajit prill rezulton që 40 për qind e ndërmarrjeve kanë ndërprerë aktivitetin e tyre në tërësi”, ka shtuar Zeka.

Shuma e Pakos Emergjente Fiskale, sipas tij, është e pamjaftueshme, pasi ajo duhet të jetë më e madhe.

“Kemi kërkuar që kompensimi për pagat e sektorit privat të jetë më i lartë nga ai i propozuar nga Qeveria në vlerë prej 170 eurosh. Po ashtu, kompensimi për shpenzimet: qiratë të jetë i plotë, e jo 50 për qind”, thekson Zeka.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka folur për humbjet e shkaktuara nga Coronavirusi.

“Në bazë të hulumtimit që e kemi bërë, humbjet financiare ditore në ekonominë tonë janë 9-10 milionë euro”, tha Rukiqi.

Banka Botërore ka paraparë rënie të ekonomisë në Kosovë prej 4.5 për qind në vitin 2020, për shkak të Coronavirusit, por ajo ka dhënë një shpresë se mund të ketë rikthim të rritjes ekonomike më 2021.

“Nëse shpërthimi i pandemisë zgjatë dhe masat frenuese mbeten në fuqi deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2020, atëherë edhe recesioni do të jetë më i gjatë, e humbja e të hyrave buxhetore më e lartë, duke i kufizuar kështu mundësitë e reagimit të mëtejshëm me anë të politikave”, thuhet në një raport të Bankës Botërore.

Rukiqi thotë se pandemia ka ndikuar pozitivisht në formalizmin e vendeve të punës, madje kjo është konfirmuar edhe më lartë nga të dhënat e ATK-së.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani ka thënë se sektorët më të goditur do të jenë ata sektorë të cilën nuk kanë mundur të punojnë për shkak të masave që i ka ndërmarrë Qeveria.

Sektorët e goditur, sipas tij, do të kenë pasoja edhe në punësim.

“Megjithatë, pas relaksimit të masave një pjesë e kësaj humbjeje do të rikuperohet gjatë këtij viti dhe vitit vijues. Mirëpo mund të ketë edhe presion të shtuar social për shkak se do të kufizohet mundësia e lëvizjes së punëtoreve që potencialisht do të mund të emigronin në vendet e Bashkimit Evropian. Vlerësimet për ndikimin e pandemisë në punësim do të mund të bëheshin gjatë tremujorit të tretë kur do të kemi një pasqyrë më të qartë se sa afatgjate mund të jenë pasojat e pandemisë në punësim”, tha Hashani, duke shtuar se pozitive në këtë situatë është formalizimi i vendeve të punës.

“Një numër i punëtorëve është formalizuar, e cila në rrethana tjera do të kërkonte më shumë kohë dhe masa ndëshkuese nga qeveria. Megjithatë, është e qartë se pakoja emergjente e qeverisë nuk mund të eliminojë efektet e pandemisë. Nga kjo situatë gjithsesi se do të ketë humbje për shumicën e agjentëve në ekonomi, qëllimi duhet të jetë që këto pasoja të minimizohen. Mendoj se pakot që do të dizajnohen në vazhdim duhet të sigurojnë se kanë një vëmendje më të shtuar për kategori më të cenueshme”, shtoi ai.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Institutit Riinvest dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat